Harta Unike Dixhitale, ku janë pasqyruar informacionet e 43 shtresave hartografike, u prezantua paradite e sotme. 

Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito tha se një nga elementet bazë, që dallon sot një shtet modern nga një shtet i pazhvilluar janë të dhënat dhe sistemet dixhitale.

Për herë të parë në shtetin shqiptar, të gjitha Bashkitë, të gjitha institucionet, por edhe të gjithë qytetarët shqiptarë kanë në dorë një instrument shumë të fuqishëm, i cili është në përputhje edhe me direktivën “INSPIRE” të Bashkimit Europian, si pjesë e detyrimeve të Shqipërisë në rrugën e Integrimit, Hartën Unike Dixhitale, e cila përmbledh 43 shtresa informacioni hartografik”, deklaroi Harito.

Ndërsa, ministri i Çështjeve Vendore, Blendi Çuçi u ndal në procesin e saktësimit të kufijve administrativë, pas ndarjes së re territorial.

"Për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, harta e kufijve administrativo-territorialë përcaktohet me koordinata të sakta gjeografike në formatin GIS. Ky proces ka filluar me kontraktimin nëpërmjet Projektit STAR e një kompanie GIS, me qëllim krijimin e një harte dixhitale e cila do t`i japë fund një herë e mirë konfliketeve midis bashkive për juridiksionin e tyre administrativ", tha ai.

Në këtë aktivitet, ishin të pranishëm edhe kryetarë të bashkive dhe drejtues të institucioneve kryesore në vend, zëvendëskryeministri Niko Peleshi, si dhe si dhe ambasadori i Norvegjisë në Shqipëri, Jan Braathu. 

Qeveria Norvegjeze ka mbështetur me asistencë financiare dhe teknike Autoritetin Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor të vendit tonë, për krijimin e Hartës Unike Dixhitale.

Peleshi foli për problemet e mëdha që ka sjellë mungesa e një harte të unifikuar dixhitale në mbivendosjen e pronave dhe planifikimin e territorit. 

Ka qenë pothuajse i pamundur një planifikim i saktë dhe professional i territorit, për shkak se duke mos pasur një regjistër dixhital dhe të unifikuar, e kemi pasur të pamundur të marrim të dhënat, të bëjmë analiza, të cilat pastaj janë baza e planifikimit të territorit”, tha Peleshi. 


Sipas tij, në korrikun e vitit të kaluar me vendim të Këshillit të Ministrave është bërë i detyruar përdorimi i Hartës së Unifikuar dixhitale nga institucionet, të cilat lëshojnë tituj pronësie. 

Redaksia Online