Tiranë- Prezantohet komandanti i ri i Komandës Mbështetëse, gjeneral brigade Aleksandër Pando.

Kjo njësi e nisi vitin 2025 me infrastrukturë të re, por edhe me drejtues të ri.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ishte i pranishëm në prezantimin e komandantit të ri në këto mjedise të reja. Pjesë e kësaj ceremonie ishin gjithashtu shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjenerallejtënant Arben Kingji, efektivë të Komandës Mbështetëse dhe Forcave të Armatosura.

Gjeneral brigade Pando ka shërbyer më herët si drejtor i Shtabit të Përgjithshëm të FA.

“Komanda Mbështetëse është një strukturë mjaft e rëndësishme e Forcave të Armatosura, që ka si qëllim të saj, sigurimin e kapaciteteve për mbështetjen me logjistikë, infrastrukturë, shërbim shëndetësor dhe shërbime të tjera të FA, në interes të plotësimit të misionit të tyre kushtetues”, njofton dikasteri për funksionet e kësaj njësie.

Qëllim është zgjerimi i kapaciteteve drejt modernizimit të ushtrisë dhe rritjes së efikasitetit dhe forcimit të mëtejshëm.