Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, prezantoi sot Kryeinspektorin e ri të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Afrim Qendro.
Koçiu u shpreh se kjo detyrë mbart sfida, por edhe përgjegjësi të madhe sa i përket zbatimit të ligjshmërisë dhe mbrojtjes së territorit.
“Afrim Qendro do të marrë detyrën e drejtuesit të Inspektoratit të Mbrojtjes dhe Kontrollit të Territorit, një detyrë e cila në vetvete mbart sfida por gjithashtu dhe një përgjegjësi të madhe sa i përket zbatimit të ligjshmërisë dhe mbrojtjes së territorit. Afrimi vjen nga një eksperiencë e jashtëzakonshme në institucionet publike dhe ka treguar se me përkushtimin dhe profesionalizmin e tij di të krijojë ekip, skuadër, por edhe di të kërkojë detyrat të respektohen e zbatohen siç duhen”, tha Koçiu.
Sipas saj, është detyrë e Qendros për ta ngritur në një nivel tjetër punën e mirë që inspektoriati ka kryer.
"IKMT ka për detyrë të zbatojë dhe monitorojë bazën e re ligjore, e cila tashmë është në fuqi prej mujit tetor të shkuar. Është detyrë e Afrim Qendros dhe skuadrës së tij për ta çuar përpara këtë reformë dhe sigurisht për ta ngritur në një nivel tjetër gjithë punën e mirë që ky Inspektorat ka kryer deri më tani", nënvizoi Koçiu.
Qendro garantoi angazhim maksimal për forcimin e kapaciteteve të institucionit, bashkëpunim të ngushtë me strukturat vendore dhe qendrore, si dhe transparencë të plotë në ushtrimin e detyrës.
"Unë e shoh si vlerësim dhe besim të shtuar detyrën e re të rëndësishme që më është ngarkuar. Mendoj që kontrolli mbi territorin për parandalimin e të gjitha shkeljeve është shumë më i rëndësishëm, sesa prishja e objekteve pa leje. Puna në ekip e këtij institucioni duhet të jetë e përgjegjshme, transparente dhe në funksion të ligjit", tha ai.
Komente












