Ligji për mbrojtjen civile/ Rama: Sanksione për çdo subjekt privat, nuk mund t'i hapim gropën vetes

Ministria e Mbrojtjes ka prezantuar sot reformën e re strukturore dhe organizative për mbrojtjen civile. Ky projektligj i ri do iu shërbejë komuniteteve që mund të përballen me fatkeqësi natyrore.

Gjatë fjalës së tij kryeministri Edi Rama  deklaroi se kjo bazë e re ligjore ka për qëllim reduktimin e riskut nga fatkeqësitë. Rama tha se do të ketë sanksione për çdo institucion , pasi nuk duhet të presim t'i hapim gropën vetes kur vjen furtuna.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka deklaroi se tashmë do përforcohen masat për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore. Xhaçka tha se një faktor i rëndësishëm është edhe ndërgjegjësimi i fëmijëve ndaj mjedisit, ndërsa theksoi se ligji nuk lë vend për interepretime.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:34
Ligji për mbrojtjen civile/ Rama: Sankione për çdo subjekt privat, nuk mund t'i hapim gropën vetes (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në prezantimin e projektligjit për mbrojtjen civile deklaroi se kjo bazë e re ligjore ka për qëllim reduktimin e riskut nga fatkeqësitë. Rama tha se do të ketë sanksione për çdo institucion , pasi nuk duhet të presim t'i hapim gropën vetes kur vjen furtuna.

"Faleminderit Ministrisë së Mbrojtjes për pikat e shiut që plotësoi këtë prezantim të projektligjit i cili mund të thuhet pa frikë se ka kaluar në një nivel tjetër. Provat i keni pasur para syve. këtu për hir të së vërtetës besoj se ata që do merren me këtë projekt meritojnë një falenderim të posaçëm. Është fat që nga momenti i parë i transferimit, edhe pse me një bazë ligjor të pamjaftueshme edhe pse në kushte improvizimi, kemi pasur rezultateve inkurajuesve. kjo edhe falë angazhimit të trupave në momente të caktuara, dhe gjithë elementëve përbërës në këto operacione të vështira. Ministria e Mbrojtjes ka qenë e kujdesshme për të adresuar hap pas hapi parandalimin. Bashkë me transformimin, domosdoshmëria për të hartuar një bazë të re ligjore ka pasur vëmendjen dhe angazhimin e gjithë atyre që kanë rol në dhënien e opinioneve. Sot ne mund të themi me plot gojën se kemi një bazë të re ligjore të hartuar të gatshme për hartim me një strategji për reduktimin e riskut nga fatkeqësitë. Këtu sfida mbetet e përditshmja, jo momenti kur emergjenca shfaqet. E përditshmja si një përpjekje e vazhdueshme për parandalimin, si një zinxhir që duhet të na garantojë uljen e vazhdueshme të riskut.

Do të ketë sanksione të qartë për cdo institucion apo subjekt privat, nuk mund dot që në përditshmëri t'i hapim gropën vetes e pastaj kur vjen furtuna t’i kërkojmë shtetit të në nxjerrë nga gropa, nuk mund dot ti bien shkurt duke këputur kanalin e shkarkimit të ujërave për të bërë një hyrje me palma në lokal dasmash e pastaj ankohemi pse shteti na prishi dasmën kur erdhi furtuna. Njësitë e qeverisjes vendore nuk mund të mos jenë të papërgjegjshme njësoj si një pronar i një lokali dasmash.

Objektivi është forcimi i bashkëpunimit me vendet e rajonit. Sot ne e dimë shumë mirë që vetë komisionit europian luan rol për emergjencat në Europë. Është e sigurtë që me ligjin ne përafrojmë legjilacionin me BE, por është shumë e rëndësishme se më këtë hap përafrojmë edhe vendin me këto direktiva. Dua të garantoj të gjithë se kjo bazë e re ligjore do të ofrojë një mbështetje maksimale që do rrisë përgjegjësitë e tyre por edhe kapacitetet. Ministria e Mbrojtes me prefekturat dhe bashkitë këtë kapitull do ta shkruajnë me dinjitet. Shumë respekt për të gjithë ata që nuk i shohim në jetën e përditshme por janë aty prezent duke vënë në rrezik edhe jetën e tyre", tha Rama.

Ora 10:32
Mbrojtja civile/ Xhaçka: Revolucion institucional! Nuk duhen zgjidhje afatshkurtra sa për të kaluar lumin (VIDEO)

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka deklaroi gjatë prezantimit të ligjit për mbrojtjen civile deklaroi se tashmë do përforcohen masat për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore. Xhaçka tha se një faktor i rëndësishëm është edhe ndërgjegjësimi i fëmijëve ndaj mjedisit, ndërsa theksoi se ligji nuk lë vend për interepretime.

"Siç e dini ka kaluar rreth një vit e gjysëm që kur përgjegjësia për emergejncat civile ka kaluar për Ministrinë e Mbrojtjes. Kështu menaxhuam përmbtjet në jug, zjarret në Shkodër, tërmetet në Dibër dhe në Lezhë në 2018 dhe atë në Korçë të këtij viti. Sot që flasim janë rreth 400 mln lekë për realizimin e disa projekteve të përgatitur nga Ministria e Bujqësisë. Përfitoj nga rasti të falenderoj nga zemra të gjithë ata burra dhe gra për punën e jashtëzakonshme në përballimin e këtyre situatave. Situatat në fjalë kanë qenë të vështira. Kjo experiencë na bindi edhe më shumë për reformimin e këtij sektori. Pjesa më e rëndësishme e këtij projektiligji është se sjell revolucion në mënyrën se si i qasemi emergjencave. Ka pasur një mungesë të madhe përgjegjshmërie ndaj qytetarëve. Në Shqipëria 86% e territorit është e ekspozuar ndaj rreziqeve. Me ligjin për mbrojtjen civile do të mundësojmë mbrotjen nga këto rreziqe. Do të kërkojë koordinim ndër-institutocional. një nga risitë është transformi i agjencisë ë mbrojtjes civile në Agjenci kombëtare Civile me përgjegjësi dhe kompetenca më të gjera me strukturat homologe. Ligji përmban parashikime të qarta për çdo institucion. Ligji nuk lë vend për interpretime. Përgjegjësitë janë e zeza mbi të bardhë. Nëse sot ne kemi probleme më përmbytjet apo zjarret kjo lidhet e humbjes së kontrollit mbi territorit duke na lënë një trashëgimi të keqe për situatën që kemi sot. Reforma administrative ka dhënë gjatë këtyre viteve beteja pozitive por i mbeten bashkive të bëjnë punën e tyre për të korrigjuar këtë projektligj. Duhet shumë punë dhe edukimi i fëmijëve ndaj mjedisit do dojë shumë kohë por ajo që kemi mësuar se nuk mund të vazhdojmë me zgjidhje afatshkurtra sa për të kaluar lumin", tha Xhaçka

Fjala e plotë

Ju falenderoj që ju përgjigjët ftesës për të diskutuar mbi projektligjin e ri per mbrojtjen civile që ka një rëndësi vërtet të madhe për qytetarët shqiptarë.  Ju të gjithë tashmë keni pasur mundësinë të njiheni me brendinë e ligjit te ri, risitë që ai sjell e padyshim edhe detyrimet e përgjegjësitë që ai i ngarkon institucioneve që ju përfaqësoni prandaj ky është një moment i mirë për të diskutuar edhe njëherë sëbashku përpara se projektligji të marrë rrugën e miratimit.

Dua të falenderoj veçanërisht kryeministrin për praninë e tij këtu padyshim, por edhe për mbështetjen që na ka dhënë gjatë të gjithë punës që kemi bërë për ligjin e ri per mbrojtjen civile, i cili, nuk e teproj nëse them, që sjell një revolucion në të gjithë qasjen e institucioneve shqiptare, por edhe të shoqërisë shqiptare, ndaj emergjencave civile.

Dhe si çdo revolucion institucional e ligjor, edhe ligji i ri per mbrojtjen civile ndryshon statukuonë, prek interesa e kompetenca, ngarkon detyrime e sanksione, natyrshem ngjall edhe rezistencë e diskutime.

Siç e dini, ka kaluar rreth 1 vit e gjysmë që kur përgjegjësia për emergjencat civile, bashkë me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile ka kaluar tek Ministria e Mbrojtjes. Ishte një përgjegjësi e madhe, por që besoj që kemi ditur ta përballojmë më së miri gjatë kësaj periudhe kur sfidat nuk kanë munguar.

Kështu u përballuan e u menaxhuan përmbytjet në jug në 2018 dhe ato në Qarkun e Shkodrës në mars 2018, zjarret sidomos gjatë vitit 2018 por edhe gjatë muajve të parë të këtij viti, tërmetet në Dibër e Lezhë në gusht 2018 apo ai në Korçë në 2019.

Përtej këtyre situatave emergjente, kemi realizuar edhe disa projekte të rëndësishme parandaluese, ku do të veçoja forcimin e argjinaturës së Vjosës ne bashkepunim me bashkine e Fierit, duke siguruar komunitetin atje nga rreziku i përmbytjeve të vazhdueshme te Vjosës.

Sot që flasim, janë rreth 400 milionë lekë, pra 4 milionë dollarë, të akorduar nga Ministria e Ekonomisë dhe Financës për emergjencat civile për realizimin e disa projekteve të përgatitura nga Ministria e Bujqësisë kryesisht për ndërtim argjinaturash dhe rehabilitim të shtretërve të disa lumenjve, duke siguruar kështu komunitetet e atyre zonave, përgjatë Shkumbinit e Vjosës, por edhe përgjatë disa përrenjve problematikë si ai i Pllanës, apo Troshanit, nga rreziku i përmbytjeve.

Dhe përfitoj nga rasti këtu, që të falenderoj nga zemra, të gjithë ata burra e gra, djem e vajza, të FA, por edhe të Njësive të Qeverisjes Vendore, prefektët, forcat zjarrfikëse dhe ato të policisë, për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë në përballimin e këtyre situatave. Është bindja ime që nëse këto situata janë përballuar me sukses, duke arritur të sigurohen pikë së pari jetët dhe shëndeti i qytetarëve, por edhe pronat e infrastruktura, kjo i detyrohet mbi të gjitha profesionalizmit dhe përkushtimit të këtyre djemve e vajzave e burrave e grave.

E them këtë, sepse situatat në fjalë, ishin të vështira jo thjesht për shkak të furisë së natyrës, por edhe për shkak të problemeve të mëdha strukturore, ligjore e organizative me të cilat na është dashur të përballemi. Dhe ishte kjo eksperiencë që na bindi e na motivoi edhe më shumë për reformimin e këtij sektori. Një reformë që fillon me ligjin e ri për “Mbrojtjen Civile” që diskutojmë sot.

Drejtori Cako i preku në fjalën e tij disa nga risitë kryesore që sjell ky projektligj. Që janë vërtet të rëndësishme. Por pjesa absolutisht më e rëndësishme e këtij projektligji është se ai sjell një revolucion në mënyrën sesi ne i qasemi emergjencave duke e zhvendosur fokusin nga reagimi, tek parandalimi dhe zvogëlimi i riskut.

Një autor i njohur amerikan, Tomas Fridman, që është marrë shumë me mënyrën sesi shoqëritë e shtetet reagojnë ndaj ndryshimeve klimatike, krizave e emergjencave, thotë se shumica kanë politika e qasje me të cilat gënjejnë veten njësoj si një njeri që hidhet nga kati i 20 dhe për 19 katet e para beson se është duke fluturuar.

Këtë kemi bërë edhe ne apo jo? Ka pasur ndër vite një shpërfillje e mungesë përgjegjësie të plotë ndaj parandalimit, ndaj parapërgatitjes apo zvogëlimit të riskut. Një qasje tafti bafti dhe një besim që s’e di nga buronte, që s’do të na gjejë gjë e s’do të ndodhë gjë.

Ka pasur një mungesë përgjegjshmerie ndaj qytetarëve, pasi siç mund t’ju thotë çdo specialist e çdo raport ndërkombëtar, Shqipëria është një nga 10 vendet e para në botë përsa i përket riskut të lartë ekonomik ku 86% e territorit është e ekspozuar ndaj dy ose më shumë rreziqeve. Apo, siç thotë raporti i Riskut Botëror i 2016 – që duhet thënë që ishte një këmbanë alarmi për të gjithë ne – përsa i përket indeksit të riskut nga fatkeqësitë natyrore Shqipëria renditet si vendi më i rrezikuar në Europë dhe i 40 në botë.

Por Me ligjin për “Mbrojtjen Civile”, ne sjellim sot një ndryshim vërtet të rëndësishëm në këtë drejtim. Nga sot, krahas fuqizimit të kapaciteteve reaguese, fillon edhe puna për të zvogëluar riskun me të cilin përballet vendi ynë dhe qytetarët. Është një qasje identike me atë që zbatohet tashmë prej kohësh në mjekësi, ku çdo mjek mund t’ju thotë që parandalimi është jo vetëm shumë më efikas, por edhe me kosto më të ulët, sesa reagimi ndaj sëmundjes.

Ajo që vlen për t’u theksuar po ashtu është fakti që duke miratuar këtë ligj Shqipëria përmbush edhe parametrat e Kuadrit Sendai për Reduktimin e Riskut dhe të Fatkeqësive 2015 – 2030 të miratuar nga OKB. Dhe i hap rrugë më në fund anëtarësimit të Shqipërisë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile Evropiane/UCPM, që është një mekanizëm bashkëpunimi dhe koordinimi për reagimin ndaj fatkeqësive në Europë e më gjerë. Dhe besoj është një fakt i papranueshëm që sot, vetëm Shqipëria, Kosova dhe Bosnje Herzegovina mbeten ende jashtë këtij mekanizmi si pasojë e neglizhencës për të reformuar këtë sektor gjatë dekadave të fundit.

Sigurisht, mes të thënit e të bërit ka një rrugë të gjatë. Zbatimi i këtij ligji, ndërtimi i mekanizmit që ai parashikon, do të kërkojë shumë punë dhe shumë angazhim nga një sërë institucionesh.

Do të kërkojë po ashtu edhe shumë më tepër koordinim ndërinstitucional, më shumë kapacitete dhe më shumë fleksibilitet në adresimin e çështjeve e zvogëlimit të riskut të fatkeqësive dhe mbrojtjes civile, çka nuk mund të arrihet përmes strukturës aktuale. Prandaj një nga risitë që sjell projektligji është transformimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile në Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile e cila do të jetë një strukture e përhershme ndërinstitucionale e nivelit të lartë, me shumë më tepër autoritet, me kapacitete shumë më të mëdha administrative, teknike dhe financiare krahasuar me ato aktualet, përgjegjësi dhe kompetenca më të gjera të krahasueshme edhe me të gjitha strukturat homologe.

Ka edhe një tjetër aspekt që dua ta theksoj fort. Dhe që lidhet me ndarjet e qarta të përgjegjësive dhe mbajtjen e përgjegjësisë përpara ligjit nga çdo institucion. E veçanërisht nga njësitë e qeverisjes vendore të cilat deri më sot kanë neglizhuar në masë të madhe respektimin e parimit të subsidiaritetit edhe pse ky parim është sanksionuar me ligj që në vitin 2015.

Ligji përmban parashikime të qarta për çdo institucion, parashikime që fillojnë që nga fondi i buxhetit që duhet alokuar çdo vit për emergjencat e deri tek detyrimi për hartimin e planeve të emergjencës, krijimin e bazës së të dhënave e kështu me rradhë. Ligji nuk lë vend për interpretime.  Përgjegjësitë janë e zeza mbi të bardhë ashtu si sanksionet për ato institucione që nuk i përmbushin detyrimet e tyre.

Por meqë jemi tek bashkitë unë dua të ngre edhe një problem tjetër që lidhet me kontrollin e territorit pasi zvogëlimi i riskut e parandalimi fillon pikërisht aty. Nëse sot ne kemi probleme me përmbytjet apo me zjarret kjo sigurisht që lidhet edhe me humbjen e kontrollit mbi territorin për dekada të tëra, ku u prenë pyje, u ndërtua kudo, u shkatërrua infrastruktura, shtretërit e lumenjve sikur të mos kishte të nesërme, duke na lënë në trashëgimi këtë situatë që kemi sot.

Në fakt, ajo që ndodhi në Shqipëri që nga 1991 e këtej, i ngjan atij tregimit Lumi i Madh të Mitrush Kutelit, e keni lexuar besoj? Ku një fshat i tërë u sul të ndërtonte dyqane e shtesa e kotece deri në shtrat të lumit, derisa një ditë lumi vërshoi e i mori të gjitha përpara.

Reforma administrative dhe lufta e qeverisë për të kontrolluar territorin kanë dhënë padyshim rezultate shumë pozitive. Por ju mbetet bashkive që ta çojnë më tej këtë beteje dhe të bëjnë më shumë për të korrigjuar gabimet e së shkuarës.

Ky ligj është një hap i rëndësishëm, por është vetëm një hap i parë drejt ngritjes së një mekanizmi shumë kompleks por shumë efikas per mbrojtjen e qytetarëve shqiptarë, jetët dhe pronën e tyre. Do të duhet shumë punë. Disa nga pjesët më të rëndësishme siç janë edukimi i fëmijëve për mjedisin e emergjencat apo promovimi i vullnetarizmit do të duan shumë kohë. Por ama, nëse kemi mësuar një gjë deri më sot është që nuk mund të vazhdojmë më me zgjidhje afatshkurtra e ad hoc sa për të kaluar lumin vetëm për të vrapuar pastaj drejt krizës apo emergjencës së radhës.

Ora 10:30
Çako: Faktkeqësitë nuk vijnë vetëm nga natyra, duhet ndërgjegjësuar edhe faktori 'njeri' (VIDEO)

Drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako deklaroi gjatë fjalës së tij se ligji i ri për mbrojtjen civile ka për qëllim jo vetëm mbrojtjen nga dëmet natyrore por edhe ndëgjegjësimin e faktorit 'njeri' përballë situatave të tilla.

"Prej krijimit të njerëzimit dhe deri më sot, pasojat më të mëdha kanë qenë nga përballja me fatkeqësitë natyrore. Por na duhet të theksojmë se edhe faktori 'njeri' është gjithashtu i rëndësishëm dhe ka ndikimin në ndodhjen e katastrofave natyrore. Kemi pasur situata të ndryshme nga faktkeqësitë natyrore por edhe nga ndërhyrja pa kriter e njeriut. Bazuar në gjendjen aktuale është prezantuar projekt-ligji për mbrojtjen civile. i përbën në vetvete një kontribut të ekspertëve në këtë fushë. Theksojmë faktin se ky projektligj është hartuar në asistencë e ngushtë të partnerëve italianë.  Këto politika do të gjejnë zbatim në nivel qendror dhe vendor. Një theks i veçantë i është dhënë ndërgjegjësimit të popullsisë. Nuk duhet të zhvendosim përgjegjësitë. Janë përcaktuar detyrimet për një angazhim të tërthortë të të gjithë shoqërisë. Një theks i veçantë i është dhënë vullnetarizmit", tha Çako.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen