TIRANE - Kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, ka marrë pjesë dje në punimet e Komitetit të Monitorimit të Kongresit Europian të Autoriteteve Lokale, që mbahet në Tbilisi, Gjeorgji, i vetmi përfaqësues vendor i zgjedhur nga Shqipëria. Krybashkiaku i Korçës ndodhet ndërmjet të përzgjedhurve nga 47 vendet nga gjithë bota.

Sipas Peleshit, që në këtë takim prezanton Shqipërinë, në këtë takim u miratua edhe raporti i Monitorimit për vendin tonë. Këtë lajm ai e ka publikuar në rrejtin social Facebook, ku sqaron dhe përfitimet që merr vendi ynë nga aderimi në këtë kongres.

“Nevoja për reformën territoriale dhe reformën fiskale e financiare për autoritetet vendore, janë disa prej rekomandimeve që janë vendor në raport. Jam shpresëplotë se qeveria e re do të bëjë hapat e duhur për të përfunduar reformën e decentralizimit në Shqipëri”, shkruan në faqen zyrtare në “Facebook”, Niko Peleshi.

Ka qenë një kërkesë e përhershme e të gjithë zyrtarëve të qeverisjes vendore për më shumë pavarësi nga qeveria qendrore. Madje në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, pushteti vendor në Shqipëri u ankua për ndërprerjen e granteve të pakushtëzuara, në mënyrë arbitrare, nga ana e qeverisjes qendrore, që më së shumti kanë qenë borxhe ndaj CEZ e ujësjellësve.

Ndërkohë që në faqen e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale  të Këshillit të Evropës bëhet e ditur se Rrjeti Evropian i Organizatave të Trajnimit për Autoritetet Lokale dhe Rajonale jep ndihmë me ekspertë dhe trajnim për vendet e Evropës qëndrore dhe lindore,që kanë mungesa menaxheriale dhe aftësi teknike.

Rrjeti ENTO nxit bashkëpunimin midis qendrave të trajnimit të qeverisë lokale e rajonale, duke u krijuar lidhje organizatave kombëtare me organizata të ngjashme në vende të tjera. Programi i mbështetjes së veçantë për demokracinë lokale dhe rajonale në Evropën qëndrore dhe lindore.

Ky program i jep prioritet asistencës në hartimin e legjislacionit të qeverisë lokale. Ai ofron trajnime dhe udhëzime profesionale në reformën institucionale lokale dhe përfshin ëorkshop-e,vizita studimi dhe kurse për kujdesin shëndetësor në qytete, pavarësinë fiskale dhe financimin e qeverisë lokale.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 04.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)