Mbyllje të një epoke të gjatë të gjobave e vendosura mbi copa letre, të shkruara nganjëherë edhe në mënyrë të palexueshme, e quajt Kryeministri Rama sistemin e ri dhe unik, të prezantuar këtë të martë.

Sistemi i ri tërësisht dixhital do të garantojë që çdo gjobë të jetë e gjurmueshme, e pagueshme dhe e ankueshme online.

“Besoj që është një tjetër stacion i rëndësishëm në rrugën e transformimit dhe të modernizimit të administratës, por dhe të marrëdhënieve të shtetit shqiptar me qytetarin, sepse më në fund krijohen të gjitha premisat që të mbyllet një epokë e gjatë e gjobave të vendosura mbi copa letre, të shkruara nganjëherë edhe në mënyrë të palexueshme .Ndërkohë që të gjitha institucionet që ju drejtoni, mund tani të hyjnë në një epokë të re të vendosjes së gjobës nëpërmjet mjeteve të teknologjisë digjitale, gjë që sjell në radhë të parë njoftimin e menjëhershëm të qytetarit përmes platformës “e-Albania”, e cila njëkohësisht çon në mënyrë automatike një mesazh në telefonin e qytetarit. Nga ana tjetër, të gjitha gjobat mblidhen në një bazë të dhënash dhe çdo qytetari i jepet mundësia që të kontrollojë tek mesazhet e tij në “e-Albania” gjobat që ka.

Po ashtu janë edhe kategorizimet e gjobave në databazë, që janë shumë të rëndësishme qoftë për institucionet, qoftë për Inspektoratin e Përgjithshëm për të parë se si ato janë të ndara në gjoba aktive, në gjoba të paguara, në gjoba të apeluara. Ndërkohë do të bëhet shumë më e lehtë që gjobat të mund, po ashtu, të paguhen drejtpërdrejt nga telefoni dhe të apelohen po ashtu në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Ajo që besoj është e rëndësishme të nënvizohet, është që nuk ka më një proces gjobitjeje pa gjurmueshmëri. Garantohet një rrjedhë e njëjtë, një numër unik, bazë ligjore e qartë për të gjithë dhe identifikohen të gjithë punonjësit që vendosin gjobat, gjë që i jep mundësi për institucionet dhe për drejtuesit e institucioneve që të shohin si në një hartë të gjitha proceset dhe po ashtu edhe sjelljen e të gjitha burimeve të tyre njerëzore”, tha Rama.

Regjistri kombëtar i gjobave do të jetë së shpejti funksional me sistemin e ri, ndërsa gjithashtu inspektorët dhe punonjësit e policisë do të kenë kamera trupi.

“Sigurisht që hapi tjetër është krijimi i regjistrit kombëtar të gjobave që praktikisht përmbyll një proces jo të lehtë për hir të vërtetës, sepse ka qenë një punë e gjatë për të ardhur deri këtu dhe dua të shtoj që së shpejti do të fillojë dhe zbatimi i atij projektit që kemi bërë publik, për pajisjen e të gjithë punonjësve të Policisë dhe inspektorëve të terrenit me kamera. Kamera trupi, të cilat do të jenë aktive gjatë gjithë kohës dhe të cilat do të jenë po ashtu pjesë e sistemit të Inteligjencës Artificiale që kemi, tanimë, ndërtuar në qendrën e madhe të monitorimit. Kjo do të bëjë që në kohë reale, sipas kodeve të përcaktuara, të ndiqet aktiviteti i çdo inspektori në terren, të shihet e gjithë vija e sjelljes së çdo punonjësi të Policisë dhe çdo inspektori në raport me qytetarin dhe të vlerësohen në kohë reale edhe situatat kur është nevoja për mbështetje, kur është nevoja për ndihmë dhe kështu me radhë.

Duke e quajtur një standard të ri të sjelljes me qytetarin, Rama porositi që të mos ketë vonesa teknike e sistemi të jetë 100% në punë sa më parë.  Sistemi do të garantojë që përmes platformës e-Albania, qytetarët do të njoftohen në kohë reale për gjobat e vendosura, do të kenë mundësi t’i konsultojnë, t’i paguajnë drejtpërdrejt dhe t’i ankimojnë në mënyrë elektronike.

Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 21 Nëntor, 17:11

    Cila mendoni se është rruga për zgjidhjen e kërkesave të studentëve?