Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ndarë një foto në Ditën e Alfabetit. Nga shtëpia e Kongresit të Manastirit, Rama pozoi me figurat kryesore të kësaj ngjarje që shkruan historinë 118 vjet më parë.

“Në shtëpinë e Kongresit të Manastirit”, ka shkruar Rama në postimin e tij.

Më 14 nëntor 1908, në ndërtesën ku ndodhej selia e klubit “Bashkimi”, nisi Kongresi i Manastirit. Për nëntë ditë, 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete dhe shoqëri shqiptare, u mblodhën për të diskutuar njësimin e alfabetit. Punimet drejtoheshin nga Mithat Frashëri, me nënkryetarë Luigj Gurakuqin dhe Gjergj Qiriazin.

Një nga momentet kryesore të Kongresit ishte 16 nëntori, kur u zgjodh një komision prej 11 anëtarësh, me në krye Atë Gjergj Fishtën. Mes tyre ishin Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Dom Ndre Mjeda, Mithat Frashëri dhe figura të tjera të njohura të kohës. Pikërisht anëtarët e këtij komisioni shfaqen në fotografinë historike që Rama ka zgjedhur të përpunojë me inteligjencë artificiale.

Më 20 nëntor, komisioni paraqiti vendimin për alfabetin e gjuhës shqipe, i cili mori miratimin e të gjithë delegatëve të pranishëm. Kongresi përfundoi më 22 nëntor 1908, datë që sot kremtohet si Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Kjo nuk është hera e parë që Rama përdor inteligjencën artificiale për të “udhëtuar” në të kaluarën dhe për t'u shfaqur përkrah figurave historike shqiptare. Më herët, ai ka publikuar edhe një fotografi të përpunuar ku shfaqej përkrah Ismail Qemalit.


Lajmi kryesor:

Rama në Shtëpinë Muze të Alfabetit në Manastir: 118 vite më parë këtu u vendos se si do t’i shkruanim njëri-tjetrit! Zbulohet pllaka përkujtimore e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë