Prezantohet strategjia e re
afatgjatë e Financave publike

TIRANE- Kufizimi i mundësive për korrupsion është një nga temat qendrore të reformave të menaxhimit të financave publike. Gjatë prezantimit të draftit të parë të Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020 në Ministrinë e Financave, u theksua se korrupsioni ul ndjeshëm eficiencën e shpenzimeve publike dhe pengon zhvillimin e vendit. Kështu, vendi ynë renditet i 116-ti nga 177 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International duke marrë 31 pikë nga 100 të mundshme.
 
Drafti i Strategjisë u prezantua në prani të ekspertëve ndërkombëtarë nga BE, Banka Botërore, FMN, etj; ku merrnin pjesë edhe ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, si dhe ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, Drejtor i Përgjithshëm për Zgjerimin nga Komisioni Europian, Christian Danielsson, etj.
 
Gjatë prezantimit të draftit u theksua se “Menaxhimi i financave publike në Shqipëri ka parë përmirësime ndër vite. Progresi i deritanishëm ka qenë më shumë në aspektin teknik dhe ligjor si zbatimi i sistemit elektronik të thesarit, ligji i ri organik i buxhetit dhe i prokurimeve publike etj. Por mbetet shumë për të bërë në forcimin e disiplinës së financave publike”.
 
Cani: Reformimi i tatimeve dhe doganave me rëndësi për menaxhimin e të ardhurave
Ministria e Financave do të vazhdojë përpjekjet për forcimin e menaxhimit të të ardhurave duke riorganizuar kornizën legjislative, si dhe reformimin e administratës tatimore dhe doganore. Këtë e deklaroi ministri i Financave, duke u shprehur se borxhi dhe menaxhimi i cash-it do të përmirësohet përmes miratimit të masave dhe procedurave më të mira si dhe përmirësimin e sistemeve elektronike.
 
“BE ka treguar gatishmërinë e mëtejshme për të mbështetur vendin tonë nëpërmjet “Budget Support”, në kuadër të IPA II, bazuar në përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe stabilitetin makroekonomik”, deklaroi ministri Cani.
 
Strategjia e re e Menaxhimit të Financave Publike, përshkruan iniciativat kyçe të reformës që do të zbatohet deri në vitin 2020.
 
“Ne kemi filluar tashmë zbatimin e një sërë masash të rëndësishme të reformave në drejtim të forcimit të financave publike si pjesë e marrëveshjeve me FMN/BB, ku mund të përmendim efektet vjetore të kontrollit të angazhimeve dhe përmirësimin e menaxhimit të thesarit”, u shpreh më tej ministri Cani.
 
Ruajtja e stabilitetit makroekonomik renditet në krye të listës së prioriteteve të Qeverisë. Kuadri fiskal i qëndrueshëm dhe i matshëm do të sigurojë që ky objektiv të arrihet me sukses.
 
“Duke pasur parasysh këto objektiva, është thelbësore të sigurohet që shpenzimet publike të jenë të strukturuara në mënyrë te tillë që të maksimizohet ndikimi i zhvillimit në ekonomi. Prioritet të lartë do të ketë restaurimi i integritetit të procesit të PBA- së dhe rritja e rolit të saj si një gjithëpërfshirës për realizimin e buxhetit vjetor”, deklaroi Cani, duke shtuar, se në këtë kuadër kemi filluar aplikimin e masave për parandalimin e detyrimeve të prapambetura.
 
Çfarë parashikon Strategjia e Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020
Prioritet i lartë do të jepet për përmirësimin e sistemeve të kontabilitetit dhe raportimit, përmes përmirësimit të standardeve kombëtare, përmirësimin e menaxhimit financiar dhe kontabël të sistemeve ekzistuese (AGFIS në AFMIS) si dhe do të zgjerohet gradualisht përdorimi i këtyre sistemeve për të përfshirë një grup më të gjerë institucionesh buxhetore.
 
Transparenca, efektiviteti dhe eficenca e shpenzimeve publike do të rritet me forcimin e mëtejshëm të auditimit të brendshëm dhe të sistemeve të kontrollit të brendshëm në nivelet e pushtetit qendror dhe vendor.
 
Rritja e përmirësimit të informacionit fiskal dhe riorganizimi i qasjes nga Parlamenti dhe palët tjera të interesuara, do të rrisë pjesëmarrjen e shoqërisë civile në procesin e mbikëqyrjes së buxhetimit.
 
Në kuadër të mbikëqyrjes efektive të menaxhimit të financave publike, janë planifikuar masa të tjera strategjike nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Parlamenti.
 
Ndërkohë që përgjegjësia kryesore i mbetet Ministrisë së Financave, funksionet e menaxhimit të financave publike do të koordinohen ngushtësisht me institucionet e tjera qeveritare, duke përfshirë Departamentin e Administratës Publike, Agjencinë e Prokurimit Publik, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë, si dhe institucione të pavarura publike (KLSH dhe Parlamenti). Kështu përgjegjësia e përgjithshme për reformën e Menaxhimit të Financave Publike do të ndahet me subjektet e tjera qeveritare përkatëse.

Danielsson: Reformat me rëndësi për stabilitetin makroekonomik.
Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin nga Komisioni Europian, Christian Danielsson, shprehu mbështetjen e tij ndaj reformave te paraqitura në prezantimin mbi Strategjinë e Menaxhimit të Financave Publike.
 
Ai i vuri theksin te rëndësia që kanë këto reforma për vendin tonë, për sigurimin e një stabiliteti makroekonomik.
 
“Menaxhim më të fortë të financave publike, transparenca te raportimet financiare dhe reformat në administrimin e taksave duhet të mbeten prioritet”, u shpreh Danielsson, duke e vendosur më tej theksin te respektimi i të drejtave të autorit në një masë më të madhe apo dhe lufta ndaj korrupsionit.
 
Sipas tij politikat e menaxhimit të financave publike në periudhën afatgjatë kanë rëndësi të veçantë në ekonomi dhe siguroi mbështetjen e institucioneve që përfaqëson.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen