Princi Harry pretendon se kishte materiale të mjaftueshme për dy libra dhe se nuk përfshiu disa gjëra në kujtimet e tij, sepse babai dhe vëllai i tij nuk do ta falnin kurrë.
Ai tha për Daily Telegraph se kishte disa gjëra të cilat nuk donte që t’i dinte bota. Harry tha gjithashtu se priste një kërkesë falje nga familja e tij drejt Meghan.
Libri ‘Spare’ i botuar këtë javë është bërë një ndër librat më të shitur ndonjëherë në Mbretërinë e Bashkuar.
Libri përshkruan një listë të gjatë ankesash kundër Familjes Mbretërore, si dhe traumat e pazgjidhura për vdekjen e nënës së tij, Princeshë Dianës, luftën e tij me shëndetin mendor, jetën e izoluar që bëri para se të takohej me Meghan dhe prishjen e marrëdhënieve me anëtarët e familjes.
Nga ana e familjes mbretërore nuk ka patur komente mbi përmbajtjen e librit. Në një intervistë me Bryony Gordon të Telegraph - i cili udhëtoi për në Kaliforni për të folur me të - Duka i Sussex tha se ai nuk po përpiqej të rrëzonte monarkinë, por po përpiqej t'i shpëtonte ata nga vetja.
Princi Harry tha se kishte informacione që ai ia zbuloi shkrimtarit të tij JP Moehringer për kontekst, por nuk kishte absolutisht asnjë mënyrë që kjo përmbajtje të mund të përfshihej në libër.