Princesha e Uellsit Kate Middleton dhe vajza e saj, Princesha Charlotte, kanë interpretuar së bashku një duet në piano në kuadër të një shërbese këngësh të Krishtlindjes.

Nënë e bijë nuk u shfaqën drejtpërdrejt në eventin “Together at Christmas”, i cili u mbajt më herët këtë muaj në Westminster Abbey, pasi performanca e tyre, një pjesë muzikore e kompozitorit skocez Erland Cooper, ishte regjistruar paraprakisht në Kështjellën Windsor javën e kaluar, posaçërisht për transmetimin e natës së Krishtlindjes në ITV1.

Pallati Kensington kishte paralajmëruar klipin përpara transmetimit, duke publikuar një video ku Catherine shfaqej duke luajtur piano me një person ende të panjohur, e shoqëruar me mbishkrimin “një duet i veçantë…”. Në pamje, të dyja shihen të ulura së bashku në piano duke interpretuar “Holm Sound”, një pjesë që thuhet se e njohin mirë dhe e kanë luajtur shpesh së bashku në shtëpi.

Gjatë interpretimit, në ekran u shfaqën pamje të mbërritjes së të ftuarve në shërbesën festive, si edhe Princi dhe Princesha e Uellsit duke vëzhguar fëmijët e tyre teksa lidhnin zinxhirë letre me emrat e tyre në një pemë.

Duke rrëfyer videon, Catherine thotë: “Në thelb të saj, Krishtlindja flet për dashurinë që merr formë në mënyrat më të thjeshta dhe më njerëzore. Jo në gjeste madhështore apo sentimentale, por në ato të buta: një moment dëgjimi, një fjalë ngushëllimi, një bisedë miqësore, një dorë ndihme, prani. Këto akte të vogla kujdesi mund të duken të parëndësishme, por ato kontribuojnë në mozaikun e bukur të jetës, pjesë e së cilës jemi të gjithë.”

Kjo nuk është hera e parë që Catherine, e cila ka përfunduar nivelin e tretë në piano dhe nivelin e pestë në teori muzike, luan në një shërbesë këngësh të Krishtlindjes.

Në eventin e parë të këtij lloji në vitin 2021, ajo befasoi publikun duke shoqëruar në piano këngëtarin dhe kantautorin Tom Walker, teksa ai interpretonte këngën e tij të Krishtlindjes “For Those Who Can’t Be Here”.

Organizatorët kanë bërë të ditur se tema e këtij viti, festimi i “fuqisë së dashurisë dhe bashkimit” në nderim të njerëzve që kontribuojnë në shoqëri, u zgjodh sepse njerëzit mund të festojnë dashurinë në të gjitha format e saj, në një botë që shpesh mund të duket e fragmentuar dhe e shkëputur.

Thuhet se Catherine dëshironte ta përfshinte këtë performancë të veçantë për të theksuar rëndësinë e lidhjeve njerëzore.

“Koha, kujdesi dhe dhembshuria që jepni, shpesh në heshtje dhe pa pritur njohje, bëjnë një ndryshim të jashtëzakonshëm në jetën e të tjerëve,” shkruan Catherine në një letër që shoqëroi çdo program të shërbesës.

Poezi u lexuan nga aktorë si Kate Winslet dhe Chiwetel Ejiofor, ndërsa performanca muzikore u realizuan nga artistë si Katie Melua, Dan Smith dhe Zac Abel. Princi i Uellsit lexoi një fragment nga Bibla nga amboni. Në shërbesë ishin të pranishëm edhe Princesha Charlotte dhe vëllezërit e saj, Princi George dhe Princi Louis.