Princesha e Norvegjisë, Mette-Marit, ka shumë gjasa të ketë nevojë për një transplant mushkërish, pasi shëndeti i saj është përkeqësuar muajt e fundit, ka njoftuar pallati mbretëror.
52-vjeçarja u diagnostikua me fibrozë pulmonare në vitin 2018. Kjo sëmundje degjenerative krijon ind që ngurtëson mushkëritë, duke vështirësuar frymëmarrjen dhe qarkullimin e oksigjenit në gjak.
Analizat treguan “një përkeqësim të qartë” të shëndetit të saj, njoftoi pallati të premten. “Po arrijmë në pikën ku një transplant mushkërish do të jetë i nevojshëm,” deklaroi Are Martin Holm, shefi i pavijonit të sëmundjeve respiratore në Spitalin Universitar të Oslos.
Princesha Mette-Marit tha se sëmundja e saj ishte zhvilluar “më shpejt nga sa kisha shpresuar”.
Ende nuk është marrë një vendim nëse ajo do të vendoset në listën e pritjes për transplant, tha Dr. Holm. Pallati njoftoi se mjekët e saj kanë nisur procesin drejt një vlerësimi për ndërhyrjen kirurgjikale të transplantit të mushkërive.
Në Norvegji, zakonisht ka nga 20 deri në 40 pacientë në listën e pritjes për transplant mushkërish dhe Princesha Mette-Marit nuk do të marrë trajtim preferencial nëse vendoset në listë, raportojnë mediat lokale.
Megjithëse ajo nuk është ende në listën e dhuruesve, Dr. Holm tha se ekipi i saj mjekësor po “ndërmerr përgatitjet e nevojshme për të siguruar që transplanti të jetë i mundur kur të vijë koha”.
Pallati tha se Princesha Mette-Marit ka “një nevojë gjithnjë e më të madhe” për pushim dhe për një regjim ushtrimesh të përshtatura.
Megjithatë, ajo ka “shprehur një interes të fortë për të vazhduar kryerjen e detyrave të saj”, shtohej në deklaratën e së premtes. Detyrat dhe angazhimet e saj mbretërore do të përshtaten sipas problemeve të vazhdueshme shëndetësore.
Dr. Holm e përshkroi fibrozën pulmonare para gazetarëve si një “sëmundje të rrezikshme” që shpesh nuk mund të shihet, pasi varet nga sa i sëmurë është individi.
Në gjendje pushimi, një person mund të marrë frymë normalisht, shpjegoi ai, por gjatë aktivitetit fizik, mushkëritë nuk mund të përballojnë më.
Princi Haakon, mbreti i ardhshëm i Norvegjisë, e shoqëroi princeshën për një intervistë ku shpjegoi se ajo mund të duket “krejtësisht mirë” kur është ulur e pa lëvizur, por tha se kishte vënë re se ajo po e ka gjithnjë e më të vështirë frymëmarrjen.
Ai shtoi gjithashtu se ajo ka më pak energji dhe po sëmuret më shpesh.
Shëtitjet në mal ose skijimi së bashku, aktivitete që çifti i pëlqen, nuk janë më të munduara, shtoi princi.
Vetë mendimi për transplantin ka qenë i vështirë, tha Mette-Marit, pasi ajo e di se ai përfshin rreziqe.
Suksesi i një transplanti varet nga disa faktorë, përfshirë gjetjen e përputhjes së duhur dhe sigurimin që trupi të mos e refuzojë organin e ri.
Transplanti shihet si zgjidhje e fundit, shpjegoi mjeku dhe duhet realizuar bazuar mbi disa protokolle mjekësore.
Lajmi për përkeqësimin e shëndetit të princeshës vjen disa muaj pasi djali i saj më i madh u akuzua për 32 vepra penale, përfshirë katër akuza për përdhunim.
Marius Borg Høiby mohon akuzat më të rënda ndaj tij, por konsideron të pranojë fajësinë për disa akuza më të lehta kur të nisë gjyqi.
28-vjeçari është thjeshtri i trashëgimtarit të fronit norvegjez, por nuk ka asnjë titull mbretëror apo detyra zyrtare.
Komente









