Princi Harry ka zbuluar një nga pengjet më të mëdha të jetës së tij: telefonatën e fundit me nënën e tij, Princeshë Dianën, para vdekjes tragjike të saj në vitin 1997. Dukës së Sussex-it i vjen keq që nuk e kuptoi se ajo bisedë do të ishte e fundit me të ëmën, duke pranuar se edhe sot jeton me këtë dhimbje. 

“Kam humbur nënën shumë herët. Kam folur hapur për faktin se një nga pengjet e mia më të mëdha është ajo telefonatë e fundit që pata me të. Po ta kisha ditur se ajo do të ishte telefonata e fundit me të, sa ndryshe do të kishte qenë ajo bisedë. Dhe jam unë ai që duhet të jetojë me këtë”. u shpreh Harry.

Princi Harry ishte vetëm 12 vjeç kur Princeshë Diana ndërroi jetë në vitin 1997, në moshën 36-vjeçare. Duke kujtuar atë periudhë të vështirë të jetës së tij, ai tregoi se në atë kohë, dëshira e tij e vetme ishte të luante dhe të kalonte kohë me kushërinjtë.

“Gjithçka që doja në atë kohë ishte të vrapoja dhe të luaja me kushërinjtë e mi”, kujtoi Harry.

Rrëfimi i tij nxjerr në pah dhimbjen e thellë që princi vazhdon të ndiejë për humbjen e nënës dhe pengun që i ka mbetur nga biseda e tyre e fundit. Edhe pse kanë kaluar shumë vite nga vdekja e Princeshë Dianës, kujtimet e asaj periudhe vazhdojnë të kenë një ndikim të fortë emocional tek ai.