Inspektoratit Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka prishur në Drimadhes dy godina dhe sipas këtij institucioni, prishja është bërë në kuadër të rehabilitimit të qendrës së Dhërmiut.

Nga ana tjetër për prishjen e këtyre ndërtesave ka reaguar Greqia, e cila  nëpërmjet një deklarate pasditen e ditës së sotme, shprehet se godinat turistike, prishja e të cilave ka filluar ditën e sotme, i përkisnin pjesëtarëve të minoriteti grek.

Athina zyrtare shprehet se prishja e këtyre objekteve është në kundërshtim me ligjin.

“Fakti se shembja e objekteve po bëhet në mesin e sezonit turistik, megjithëse ligji parashikon pezullimin e veprimtarive të tilla në këtë moment kohor, konfirmojnë se Shqipëria nuk i ka kuptuar kërkesat e këshillit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian”, shkruhet në deklaratën e ministrisë së Jashtme greke.

Greqia është në favor të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë. Mirëpo, kusht për këtë integrim evropian është përkushtim i i këtyre vendeve ndaj rregullave evropiane dhe parimet e shtetit të së drejtës. Shkelja e këtyre parimeve nga një shtet kandidat për anëtarësim do të thotë që në të vërtetë, ai shtet nuk e dëshiron rrugën e vet evropiane”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu në këtë deklaratë thuhet se mbrojtja e të drejtave të pronësisë të minoriteteve ishte përcaktuar si një kusht për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë nga ana e ministrave të jashtëm të BE-së.

“Greqia dhe Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë  se kërkon që të drejtat e minoritetit grek të respektohen. Konsolidimi , sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave themeltare të të drejtave të minoriteteve, e cila përfshin edhe të drejtën e pronës,  është vënë nga BE-ja si kushte për hapjen e negociatave me Shqipërinë”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga ministria e jashtme greke.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com