PRISHTINË - Një 15-vjeçar është vrarë sot me armë zjarri dhe një tjetër është plagosur në oborrin e shkollës fillore “Emin Duraku” në Prishtinë.
 
Lajmin e ka konfirmuar nga Policia Rajonale në Prishtinë. Flora Ahmeti, zyrtare për informim në polici, ka thënë se një person është vrarë sot në ora 12 e 20 afër shkollës fillore “Emin Duraku” në Prishtinë dhe një tjetër është i plagosur.
 
Burime jozyrtare kanë thënë se i riu i cili dje ishte kthyer nga Suedia dyshohet se është vrarë për motive hakmarrje, pasi që babai i viktimës dyshohet se në vitin 2012 e kishte kryer një vrasje në Mazgit.
 
Ndërkohë, Policia nuk deklarohet rreth motivit të vrasjes përderisa në vendin e ngjarjes ndodhen njësitet përkatëse policore te cilat po merren me rastin.
 
Vendin ku ka ndodhur krimi e kanë vizituar edhe zv/ministri i Arsimit Nehat Mustafa dhe Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Jusuf Thaçi.
 
Deri në këto momente nuk është raportuar për të arrestuar.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)