Festivali i muzikës Sunny Hill pritet të mbahet në fillim të muajit gusht në Parkun e Gërmisë në Prishtinë. Për vendin ku do të zhvillohet festivali, që deri më tani nuk dihej, ka njoftuar të shtunën kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Ai tha se janë siguruar lejet e nevojshme për mbajtjen e festivalit në këtë park më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022.
“Për shkak të kufizimeve të hapësirës në parkun e Gërmisë, Sunny Hill Festival këtë vit do të ketë kapacitet të kufizuar të pjesëmarrësve, përkundër potencialit dhe nevojave në rritje që i ka festivali”, shkroi Rama në Facebook.
Ai ka shtuar se Sunny Hill Festival është zotuar se e gjithë hapësira e parkut që do të merret në shfrytëzim do të përdoret me kujdes të shtuar, dhe se pastrimi dhe rigjenerimi i parkut “do të bëhet në afat rekord, edhe me investimet e nevojshme nga ana e Sunny Hill Festival”.
Informacioni mbi vendin e festivalit vjen disa ditë pasi u bë e ditur se festivali do të mbahet përfundimisht në Prishtinë, pas një vendimi fillestar që festivali të largohej nga Kosova. Më 14 qershor, themeluesi dhe organizatori i këtij festivali, Dukagjin Lipa, pati bërë të ditur që Sunny Hill do të zhvendoset në Tiranë, “për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin”.
Palët kanë qenë në diskutim të dhënies në shfrytëzim të një parcele prej 17 hektarësh për 99 vite në fshatin Bërnicë e Poshtme. Mirëpo sipas deklaratës së 20 qershorit, palët kanë shprehur gatishmëri “që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme”.
Aty po ashtu është bërë e ditur që një edicion i veçantë me këngëtarë tjerë do të mbahet në Tiranë më 26,27 dhe 28 gusht. Festivali është themeluar nga Fondacioni Sunny Hill, i këngëtares me famë botërore, Dua Lipa dhe edicioni i parë është mbajtur më 2018. Edicioni i vitit 2020 ishte anuluar për shkak të pandemisë së koronavirusit./REL