Prishtinë-Sot në kampin "Film City" në Shtabin e KFOR-it në Prishtinë u mbajt ceremonia e ndërrimit të komandës për Ekipin e Ndërlidhjes dhe Këshillimit të NATO-s (ENKN). Ceremonia shënoi dorëzimin e komandës nga gjenerali gjerman në largim, Gjeneral Brigade Peter Braunstein tek gjenerali i ardhshëm gjerman, Gjeneral Brigade Werner Haumann, si Drejtor i ENKN-së.
Ngjarja u ndoq nga Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Francesco Paolo Figliuolo dhe nga udhëheqësia e Forcës së Sigurisë së Kosovës të përfaqësuar nga Ministri Demolli dhe Gjeneral Kastrati. Kjo ceremoni ishte e dyta që nga 28 marsi i vitit 2014 kur ky entitet i NATO-s është ndarë nga selia e KFOR-it dhe është vendosur drejtpërdrejt në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s në Bruksel.
Në fjalën e tij, Gjenerali Braunstein ka përmbledhur periudhën si Drejtor i ENKN-së duke thënë se, "ishte një nder i madh dhe kënaqësi për të shërbyer me familjen e KFOR-it në mbështetje të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ne kemi arritur mjaft shumë deri tani, por ka ende punë për t'u bërë në mënyrë që të përmirësohet më tej ndërtimi i kapaciteteve dhe trajnimi për Forcën e Sigurisë së Kosovës".
Njoftimi i dërguar thekson se, Komandanti i KFOR-it, në përmbylljen e tij, ka përcjellur përgëzimet për rezultatet e arritura nga ENKN, të cilët kanë kryer detyrat në mënyrë të jashtëzakonshme, duke demonstruar profesionalizëm dhe kompetencë.
"Do të doja të theksoj se në saje të marrëdhënies tonë të ngushtë dhe punës ekipore kam qenë në gjendje që  arrijë më mirë qëllimet dhe objektivat e KFOR-it. Unë vërtetë i vlerësoj shumë përpjekjet tona të përbashkëta që na lejuan në mënyrë proaktive të organizojmë dhe të planifikojmë për zhvillimet e mundshme të situatës dhe për të vepruar si një ekip duke angazhuar liderët kryesorë dhe palët e interesuara në Kosovë. Peter, punë të shkëlqyer dhe të lumtë", tha Gjenerali Figliuolo.
Gjenerali Braunstein, i cili ka shërbyer si Drejtor i ENKN-së që nga 29 gushti i vitit 2014, do të marrë përsipër komandën e Qendrës së Verifikimit të Ushtrisë Gjermane në Gajlenkirchen, në muajin shkurt. Drejtori i ardhshem Gjeneral Brigade Haumann, i cili më parë ka shërbyer si Shef i Degës së Mbështetjes në Komandën e Forcave Ajrore Gjermane, tani do t'i drejtojë 35 anëtarët e shërbimit dhe të personelit civil të përfaqësuar nga 14 kombe të ndryshme./ATSH/