PRISHTINË, 14 Nëntor /ATSH/- Në Prishtinë mbahet të hënën takimi i sekretarëve të përgjithshëm të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
"Gjatë takimit do të bisedohet lidhur me mbikëqyrjen parlamentare të qeverisë, si dhe për përgjegjësitë dhe praktikat e stafit parlamentar gjatë kryerjes së aktiviteteve mbikëqyrëse", theksojnë burimet zyrtare nga Kuvendi i Kosovës.
Bëhet e ditur se, me ftesë të sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, në 17 dhe 18 nëntor 2014, do të mbahet në Prishtinë seminari i sekretarëve të përgjithshëm të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me temën "Mbikëqyrja parlamentare e qeverisë, përgjegjësitë dhe praktikat e stafit parlamentar gjatë kryerjes së aktiviteteve mbikëqyrëse".
Në këtë seminar do të jenë të pranishëm edhe sekretarët e përgjithshëm të parlamenteve të Hungarisë, Sllovenisë dhe Kroacisë./b.j/











