San Siro do të japë sonte verdiktin për finalistin e parë të Kupës së Italisë, pasi përballë në një stadium të mbushur plot do jenë Interi dhe Juventusi. Gjysmëfinalja e parë në Torino u mbyll me shifrat 1-1, por krijoi shumë episode që premtojnë për një sfidë me shumë xixa sonte në orën 21:00. Këtu mund të përmendim kartonin e kuq të Lukaku-t i cili reagoi ndaj koreve raciste apo grushti i Cauadrado-s ndaj kapitenit të Interit Handanovic.
Te zikaltërit ka optimizëm pas rezultateve të fundit, por statistikat favorizojnë dukshëm Juventusin. Dy skuadrat janë përballur 5 herë në gjysmëfinalet e Kupës dhe në të gjitha rastet më tej ka kaluar Juventusi. Kjo do jetë hera e gjashtë. Në prag të ndeshjes trajneri Allegri ka thënë se Kupa është një mundësi për të mos e mbyllur sezonin pa trofe dhe do bëjnë gjithçka për të shkuar në finale.
Përveç Cuadrado-s që është mungesë e sigurtë te ‘zonja’ dyshimet janë të mëdha edhe për Vlahovic, i cili me shumë gjasë nuk luan. Nga ana tjetër, te Interi ka dyshime në sulm mes Dzeko-s dhe Lukaku-t.