TIRANE, 1 Tetor /ATSH/- Të martën skadoi afati i vendosur nga Këshilli i Ministrave për shprehje interesi të kandidatëve që duan të bëhen pjesë e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Ndërsa 151 kandidatë janë ofruar për të konkurruar si anëtarë të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Kjo u bë e ditur sot nga kryeministri Edi Rama.
Qeveria kishte hapur një garë për vendet në Këshill, ku ftonte shqiptarët që punonin në institucione të huaja financiare.
Përmes postimit të tij në Twitter, kryeministri Rama saktësoi se të 151 kandidaturat janë nga shqiptarë jashtë atdheut, ndërsa njoftoi se thirrja e interesit konsiderohet tanimë e mbyllur.
Në Këshillin Mbikqyrës të Bankës janë katër vende vakante, dy të mbetura bosh prej disa muajsh, një i krijuar pas dorëheqjes së anëtarit Ardian Civici dhe një tjetër pas shkarkimit të guvernatorit Ardian Fullani, i cili u arrestua në fillim të muajit shtator pas skandalit të vjedhjes së afër 7 milion dollarëve. Aktualisht Fullani eshte në arrest shtëpiak.
Nga të katër vendet vakante për anëtarë të Këshillit Mbikqyrës, dy i takojnë parlamentit që t'i propozojë, një qeverisë dhe një tjetër vetë Këshillit.
Nga ana e tij edhe presidenti Bujar Nishani ka bërë thirrje për paraqitjen pranë institucionit të tij të kandidatëve për guvernator të Bankës së Shqipërisë. Në date 5 tetor mbaron edhe afati i procedurës paralele të shpallur nga Presidenti i Republikës për postin e Guvernatorit.e.xh//a.ke/