ITALI - Mërgim Vojvoda është shumë pranë një transferimi te Udinese. Sipas raportimeve të fundit nga mediat sportive italiane, klubi bardhezi ka arritur marrëveshjen me Comon për kartonin e mbrojtësit të Kosovës.
31-vjeçari pritet të firmosë një kontratë dy vjeçare me Udinesen, me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër. Ndërkohë, Como do të arkëtojë rreth 1.3 milionë euro nga shitja e futbollistit, plus 300 mijë euro bonuse në bazë të paraqitjeve.
Për Vojvodën kjo do të jetë aventura e tretë në elitën e futbollit italian. Mbrojtësi i djathtë veshi fillimisht fanellën e Torinos, më pas u transferua te Como, ndërsa tani është gati të nisë një kapitull të ri në "Friuli" me Udinesen.
I formuar në Belgjikë, ku u rrit në akademitë e futbollit dhe arriti deri te Standard Liege, Vojvoda ndërtoi më pas karrierën në Itali, duke u shndërruar në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Kosovës.
Komente








