Pas më shumë se dy vitesh mungesë, Barcelona do të luajë sërish në stadiumin e saj legjendar, “Camp Nou”. Më 28 maj 2023 ishte hera e fundit që katalanasit zhvilluan një ndeshje në shtëpi, ndaj Mallorcas, ndërsa tani, pas 909 ditësh rinovimesh dhe sfidash të shumta, rikthimi është realitet.
Këshilli i qytetit ka dhënë lejen për hapjen e disa pjesëve të stadiumit, duke mundësuar praninë e 45,401 spektatorëve në përballjen e radhës kundër Athletic Bilbaos që do të luhet të shtunën. Ky lajm ka sjellë gëzim të madh te tifozët, të cilët gjatë kësaj periudhe janë privuar nga atmosfera unike e “Camp Nou”.
Barcelona po punon ngushtë edhe me UEFA-n për të siguruar që “Spotify Camp Nou” të jetë arena ku do të zhvillohet edhe ndeshja e Ligës së Kampionëve kundër Eintracht Frankfurt, e planifikuar më 9 dhjetor. Ky do të jetë debutimi i trajnerit Hansi Flick në stolin e Barçës në këtë stadium të rinovuar.
Megjithatë, Flick dhe skuadra e tij kanë pasur tashmë kontakt me fushën e “Camp Nou”, duke zhvilluar një seancë stërvitore publike më 7 nëntor, ku morën pjesë plot 23,000 tifozë, numri maksimal i lejuar para autorizimit të ri.
Pas 2 viteve e 178 ditëve, Barcelona rikthehet në “Camp Nou”, duke i dhënë fund pritjes së gjatë dhe duke hapur një kapitull të ri në historinë e klubit katalanas.
Komente



