Ambasadorja Yuri Kim ka dhënë një mesazh të fortë, pas kërkesës së PD për të kthyer procesin e  zgjedhjes së kreut të BKH-së në pikën zero se kjo gjë nuk ka për të ndodhur. Yuri Kim shprehet se kushdo që ëndërron se drejtësia e re nuk do të vijë kurrë, gabohet dhe duhet të zgjohet nga dremitja.

Sipas Kim kushdo që shpreson që BKH nuk do të ngrihet kurrë, por sipas saj ata 'duhet të zgjohen nga kjo dremitje pasi ëndrra e tyre nuk do të bëhet realitet kurrë'. Kim tha se reforma në drejtësi nuk do jetë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por është e nevojshme dhe të gjithë duhet të ecin përpara në zbatimin e  plotë të saj.

"Duket sikur disa po ëndërrojnë që BKH kurrë nuk do të vendoset, ata shpresojnë se drejtësia nuk do të vijë kurrë. Na vjen keq që ju zgjoi nga dremitja juaj, por ëndrra juaj nuk do të bëhet e vërtetë. Reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë ose e përsosur, por është e nevojshme dhe ne duhet të ecim përpara", shkruan Yuri Kim

Deklaratat e ambasadores së SHBA, vijnë pak orë pasi PD kërkoi kthimin e këtij procesi në pikën zero duke akuzuar se është paracaktuar fituesi. Ish-deputeti demokrat Edi Paloka kërkoi skualifikimin e 4 kandidatëve dhe hapjen e garës nga fillimi për të përfshirë policë të ndershëm dhe me integritet. Paloka akuzon se zëvendësdrejtoren e Përgjithshme të Policisë Aida Hajnaj, e cila kandidon për postin e Byrosë Kombëtare të Hetimit,  është zgjedhur në krye të BKH-së në një proces pa garë, ndërsa thotë se është edhe në hetim.

"Për postin e drejtuesit të BKH-së nuk ka garë. Qeveria e ka bërë edhe këtë si tenderat: fituesi është i paracaktuar, në mënyrë që qeveria ta përdorë sa herë të dojë dhe si të dojë për të mbrojtur ortakët e krimit të organizuar, siç ka bërë edhe në të shkuarën. Me të drejtë, vëzhguesit ndërkombëtarë e kanë cilësuar të papranueshëm dhe antiligjor vendimin për të skualifikuar kandidatët e tjerë, duke paraqitur Aida Hajnën si kandidate të vetme", akuzoi Paloka.

Ndërkohë që ditën e hënë pritet që SPAK të zgjedhë kreun e BKH-së, mes katër emrave Aida Hajnaj, Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faskaj të cilët kaluan procesin e vetingut në një proces të monitoruar nga amerikanët dhe partnerët europianë. Pas zgjedhjes së emrit nga SPAK do ia dërgojë KLP-së për miratimin e tij dhe zgjedhjen e kreut të BKH-së.

Reforma në drejtësi është një investim amerikane dhe zbatimi i saj është një nga prioritete kryesore të ambasadores Yuri Kim, e cila nuk ka hezituar kurrë të flasë apo japë mesazhe të forta kundrejt të gjithë atyre që thurin plane apo përpiqen të dëmtojnë atë, pasi kanë frikë se drejtësia e re do të zbulojë përfshirjen e tyre me krimin dhe korrupsionin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:14
Zgjedhja e kreut të BKH-së, Balla reagon pas deklaratës së Kim: Asgjë s'e ndalon drejtësinë e re

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka reaguar pas deklaratës së ambasadores së SHBA, Yuri Kim lidhur me zgjedhjen e kreut të Byrosë Kombëtare të Hetimit.  

Përmes një postimi në Twitter Balla deklaron se ka pasur ëndërrimtarë që u munduan të ndalojnë miratimin e reformës në drejtësi 4 vjet më parë. Sipas Ballës, asgjë nuk mund të ndaloj drejtësinë e re.

“Kishte ëndërrimtarë që u përpoqën të ndalonin aprovimin e Reformës në Drejtësi katër vite më parë. Zbatimi i plotë i Reformës në Drejtësi dhe fillimi i menjëhershëm i BKH janë në rrugën e duhur. Asgjë nuk mund ta ndalë drejtësinë e re”, shkruan Balla.