Pritshmëritë e takimit të G-7ës në Hiroshima

Pritshmëritë e takimit të G-7ës në Hiroshima

Simbolika do të jetë e dukshme kur udhëheqësit e demokracive më të pasura të botës të takohen në Hiroshima, një qytet emri i të cilit risjell në kujtesë tragjedinë e luftës, për të trajtuar një mori sfidash, përfshirë agresionin rus ndaj Ukrainës dhe tensionet në rritje në Azi.

Vëmendja për luftën në Evropë vjen vetëm disa ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përfundoi një turne në vende evriopiane, për të takuar shumë nga udhëheqësit e Grupit të Shtatëshes që tani po shkojnë në Japoni për takimin e nivelit të lartë që fillon të premten. Turneu kishte për qëllim rritjen e ndihmës me armë dhe konsolidimin e mbështetjes politike përpara një kundërofensivë të parashikuar ukrainase për të rimarrë tokat e pushtuara nga forcat e Moskës.

"Ukraina ka nxitur ndjenjën e një objektivi të përbashkët" për G-7ën, tha Matthew P. Goodman, nënpresident për ekonominë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Ai tha se angazhimet e reja që presidenti Zelenskyy mori pak përpara takimit të nivelit të lartë mund t'i shtyjnë anëtarët e bllokut të rrisin mbështetjen e tyre edhe më tej.

Udhëheqësit e G-7ës po përgatiten gjithashtu për mundësinë e ripërtëritjes së konfliktit në Azi ndërsa marrëdhëniet me Kinën përkeqësohen. Ata janë gjithnjë e më të shqetësuar, për atë që e shohin si agresivitet në rritje të Pekinit dhe druhen se Kina mund të përpiqet të pushtojë Tajvanin me forcë, duke shkaktuar një konflikt më të gjerë. Kina pretendon se ishulli vetëqeverisës është i veti dhe dërgon rregullisht anije dhe avionë luftarakë pranë tij.

Kryeministri japonez Fumio Kishida gjithashtu shpreson të nxjerrë në pah rreziqet e përhapjes bërthamore gjatë takimit në Hiroshima, vendi i bombardimit të parë atomik në botë.

Perspektiva e një sulmi tjetër bërthamor shihet qartë nga programi bërthamor i Koresë së Veriut dhe një varg provash, dhe kërcënimet e Rusisë për të përdorur armë bërthamore në luftën e saj në Ukrainë. Ndërkohë, Kina po zgjeron me shpejtësi arsenalin e saj bërthamor nga rreth 400 mbushje luftarake sot në 1500 deri në vitin 2035, sipas vlerësimeve të Pentagonit.

Shqetësimet për fuqinë e ekonomisë globale, çmimet në rritje dhe kriza e kufirit të borxhit në SHBA do të jenë në mendjet e udhëheqësve të G-7ës.

Ministrat e financave të G-7ës dhe shefat e bankave qendrore u zotuan përpara takimit të nivelit të lartë të zbatojnë sanksionet kundër Rusisë, të trajtojnë inflacionin në rritje, të forcojnë sistemet financiare dhe të ndihmojnë vendet me borxhe të larta.

G-7a përfshin Shtetet e Bashkuara, Japoninë, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë, Kanadanë dhe Italinë, si dhe Bashkimin Evropian.

Ky grup gjithashtu po i kushton më shumë vëmendje nevojave të Jugut Global - një term për të përshkruar vendet kryesisht në zhvillim në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine - dhe ka ftuar vende që variojnë nga Brazili, fuqia e Amerikës së Jugut deri te ishujt e vegjël Kuk në Paqësorin Jugor.

Duke angazhuar vende përtej atyre më të pasura të industrializuara në botë, grupi shpreson të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike duke mbështetur përpjekjet për të izoluar Rusinë dhe për t'i bërë ballë vendosmërisë së Kinës në mbarë botën, thonë analistët.

"Japonia u trondit kur shumë vende në zhvillim hezituan të dënojnë Rusinë për pushtimin e Ukrainës vitin e kaluar," tha Mireya Solís, drejtore e Qendrës për Studime të Politikës së Azisë Lindore në Institutin Brookings. "Tokioja beson se ky akt lufte nga një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së është një kërcënim i drejtpërdrejtë për themelet e sistemit ndërkombëtar të pasluftës.

 

Mbështetja e gjerë nga një grup i larmishëm vendesh për parime si mosndryshimi i kufijve me forcë, avancon përparësitë e politikës së jashtme të Japonisë dhe ka rëndësi nga ana ekonomike pasi problemet e tyre me borxhin e lartë dhe rritja e çmimeve të ushqimit dhe energjisë janë një pengesë për ekonominë globale, shtoi zonja Solis.

Në takim do të marrë pjesë edhe kryeministri indian Narendra Modi. Vendi i tij, i cili po kalon Kinën si më i populluari në botë dhe e sheh veten si një superfuqi në rritje, do të mbajë një takim të grupit të ekonomive kryesore të G-20 më vonë këtë vit.

Kryeministri japonez bëri një udhëtim të papritur në Kiev në mars, duke e bërë atë udhëheqësin e parë të vendit të pasluftës që udhëton në një zonë lufte, një vizitë e mbushur me simbolikë duke pasur parasysh kushtetutën pacifiste të Japonisë, por një vizitë që ai ishte nën presion të brendshëm ta zhvillonte.

Një tjetër vend që do të përfshihet në takimet në Hiroshima është Koreja e Jugut, një aleat tjetër i SHBA-së që është afruar me shpejtësi me ish-pushtuesin e saj kolonial, Japoninë, ndërsa marrëdhëniet e tyre përmirësohen përballë shqetësimeve të përbashkëta të sigurisë rajonale.

Presidenti amerikan Joe Biden pritet të mbajë një takim të veçantë trepalësh me homologët e tij japonezë dhe koreano-jugorë.

Sung-Yoon Lee, një ekspert i Azisë Lindore në Shkollën e Drejtësisë dhe Diplomacisë Fletcher të Universitetit Tufts, tha se takimi i dërgon një mesazh Kinës, Rusisë dhe Koresë së Veriut për "solidaritet midis demokracive në rajon dhe vendosmërinë e tyre për t'iu kundërvënë gjithnjë e më shumë kërcënimeve autokratike.”

Presidenti Biden pritej të bënte një ndalesë historike në Papua Guinenë e Re dhe më pas të udhëtonte për në Australi pas takimit të Hiroshimës, por ai i anuloi këto dy ndalesat e fundit të martën për t'u fokusuar në debatin për kufirin e borxhit në Uashington./VOA

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja