Garat fiktive nëpër tendera, ku kompanitë bëjnë marrëveshje midis tyre paracaktojnë fituesin dhe më pas ofertojnë për një procedurë të shpallur do të hetohen nga Autoriteti i Konkurrencës.
Për herë të parë në ligjin ‘Për mbrojtjen e Konkurrencës’ do të përfshihen 3 koncepte të reja ‘marrëveshjet për oferta në tendera publik’, ‘ftesat për marrëveshje të ndaluara’ apo ‘marrëveshjet në oferta’, që do të jenë objekt hetimi nga Autoriteti i Konkurrencës.
Në relacionin për projektligjin e hedhur për Konsultim Publik nga Ministria e Ekonomisë thuhet se ndalohet me ligj që një kompani të propozojë, detyrojë, motivojë apo ftojë një kompani tjetër për tu bërë pjesë e një marrëveshje mes kompanive që pengon, kufizon e shtrembëron konkurrencën.
Ky hap vjen për shkak se ka ‘marrëveshje në oferta’, që ndodhin gjatë procedurave ku kompanitë bëjnë marrëveshje të heshtura për të caktuar çmimet ose për të ulur cilësinë e mallrave, punëve ose shërbimeve, për këtë arsye do të jenë objekt hetimi.
Në këtë pikë do të konsiderohen të dyshuara si ‘marrëveshje për oferta’ rastet kur të gjithë konkurrentët paraqesin ofertë më të lartë sesa oferta e fituesit të përcaktuar, paraqiten oferta të papranueshme për kushtet e tenderit, tërhiqen në mënyrë të papritur nga oferta, bëjnë oferta në rotacion, pra një tender e fiton njeri e tenderin që vjen tjetri si dhe marrëveshje për ndarje tregu, fenomen i cili ndodh kur konkurrentët ndajnë në pjesë tregun dhe bien dakord që të mos konkurrojnë për një pjesë të caktuar konsumatorësh, ose një pjesë të caktuar gjeografike.
Si përshtatje me ligjet dhe rregulloret e BE në draft është futur edhe koncepti i “killer acquisition- blerje vrasëse” që përfshin përqendrimet në të cilat konkurrentët në treg blejnë konkurrentë të rinj me qëllim ndërprerjen e projekteve të tyre inovative duke eliminuar konkurrencën e ardhshme.
Në finale, si pasojë e të gjitha këtyre ndryshimeve, në relacion thuhet se impakti do të jetë pozitiv për tregjet, bizneset dhe konsumatorët, kjo për shkak se qytetarët do të kenë çmime më të lira që do të vijnë si rezultat i rritjes së konkurrencës së mes kompanive e sektorëve.
“Ndërmarrjet, veçanërisht ato të vogla dhe të mesme, do të përfitojnë nga një mjedis më i drejtë dhe konkurrues dhe rritja e mundësive të hyrjes në treg. Për konsumatorët, këto ndryshime pritet të sjellin përfitime në formën e çmimeve më të ulëta, cilësisë më të lartë të produkteve dhe shërbimeve, si dhe aksesit më të madh në tregje më të diversifikuara dhe më të ndershme”, thuhet në relacion.
Për të arritur këto objektiva do të fuqizohen edhe kompetencat e Autoritetit të Konkurrencës si në staf ashtu edhe në bashkëpunim me institucionet e tjera.
“Autoriteti i Konkurrencës do të fuqizohet me mjete dhe mekanizma më të avancuar për të siguruar zbatimin efektiv të ligjit, përfshirë rritjen e kapaciteteve të tij për të ndërvepruar me bazat e të dhënave të institucioneve të tjera ligjzbatuese, si Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Doganave, Agjencia e Prokurimit Publik dhe Qendra Kombëtare e Biznesit. Kjo do të mundësojë një mbikëqyrje më të mirë të tregut dhe parandalimin e praktikave të dëmshme për konkurrencën”, vijon relacioni.
Ministria e Ekonomisë vlerëson se ndryshimet ligjore të propozuara synojnë të ndihmojnë në krijimin e një tregu më konkurrues, të ndikojnë në uljen e kostot për konsumatorët si dhe në promovimin e një mjedis më të drejtë dhe transparent në treg.
Pr.ligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për mbrojtjen e konkurrencës’
Relacioni për pr.ligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për mbrojtjen e konkurrencës’
Duhet t'a hetonte SPAK-u,por ja kaluan Autoritetit te Konkurences qe te shpetojne lekuren e miqve,te afermve,oligarkeve,monopolisteve dhe atyre qe derdhin para lume per fushata zgjedhore, se e dine qe Autoritetit te Konkurences,autoriteti i fillon e i mbaron vetem ne emer.
Përgjigju