Pro dhe Kundër Veliajt

Pro dhe Kundër Veliajt
Me gjasë që një debat mbi “tezat e Veliajt” do të paragjykohej në realitetin shqiptar. Jo se këto teza nuk vlejnë apo se konventa e Demokratëve në SHBA nuk do të ishte një përvojë e mirë. Ka disa gjëra, që, shqiptarët duhet thjesht t’i kopjojnë. Pesë hapat se si Veliaj kërkon që PS të vijë në pushtet vitin tjetër, kanë vërtet vlerë, por ndoshta në SHBA. Në Shqipëri, duket se pesë pikat e propozuara, por sidomos atë të parën, më mirë i zbaton PD. Le t’i marrim me rradhë: 1. Bashkimi rreth liderit Meqënëse të përfshirët në debatin e deritanishëm nuk e thonë shkoqur atë që duhet thënë, po e them unë: A është e bashkuar opozita rreth liderit? Dje dëgjova një nga shprehjet më të bukura që qarkullon ditët e fundit për PS: lideri, që duhet të drejtojë gjeneralët në luftë, ka dalë poshtë në fushëbetejë; ndërsa gjithë gjeneralët i ka majë malit duke ia bërë me dorë e duke i treguar sa keq po punon. 10 muaj para zgjedhjeve, situata në PS nuk më duket aq rozë. Një PS, ku kryetarët e minibashkive xhelozohen se kryetari del në kafenetë e zonave të tyre dhe pyet njerëzit pa thirrur deputetët apo vetë ata, e ka shumë të zorshme të bashkohet rreth liderit. Një opozitë, ku krerët e partive të vogla zihen e mërziten me Edi Ramën se ky i fundit nuk u jep hapësirë të jenë deputetë të sigurt në listën e PS, e ka të zorshme të bashkohet rreth liderit.

Ky është realiteti. Problemi është sesi mendon Veliaj apo PS, t’i japë një zgjidhje këtij realiteti për t’i bashkuar të gjithë rreth liderit? Një nga mënyrat më duket e thjeshtë: Rama bën një kontratë publike me të gjithë, ku përsërit idenë se fitoren dhe dështimin, do ta ketë ai mbi kurriz, si komandant i kësaj ushtrie. Nëse ndonjë kërkon të prishë këtë kohezion, do të thotë se betejën më pas, nëse humbet, nuk e ka humbur Rama, por sherret dhe debatet në opozitë.

APEL PA KOMPLEKS TE KALUARES

Teza e Veliajt për komplekset e të kaluarës ka vend të diskutohet mes vetë atyre ish-drejtuesve të Mjaft-it që iu bashkuan PS, dhe ku vetë Erjoni padyshim ka qenë më kryesori. Për socialistët nuk harrohen dot kollaj protestat e mjaftistëve përballë selisë së kryeministrisë, aq sa u bënë një shqetësim i vazhdueshëm për Fatos Nanon. Tani, pas tetë viteve qeverisjeje të demokratëve ndoshta socialistët kanë rënë dakord me faktin se qeveria e Nanos ka qenë "lule" përballë qeverisë Berisha. Zgjidhja? Do të ishte mëse i nevojshëm reabilitimi i njerëzve që kanë qenë aktivë në atë kohë, të cilët, për hir të së vërtetës, janë socialistë të orëve të para që nga themelimi i kësaj partie. Do të doja ta dija se ku është sot Musa Ulqini, tre herë kryetar i PS së Tiranës dhe ndër më kryesorët në dhënien e dy mandateve për Edi Ramën në bashkinë e Tiranës. Do të doja të dija pse iku Petro Koçi që kostot për PS i ka pasur edhe kur i rruajtën kokën komisariateve të Fierit. Po pse nuk afrohet Majlinda Keta, ku është kontributi i Makbule Çeços, Ilir Zelës apo dhjetëra e dhjetëra socialistëve që dikur, kanë pasur edhe eksperiencën e qeverisjes, por edhe të partisë. Gjërat mund të jenë më të thjeshta sesa duken në realitet, por kontributi i këtyre njerëzve, dikur ka qenë i madh. Ndaj të gjithë duhet ta shohin të kaluarën pa kompleks.

HISTORITE LOKALE TË SUKSESIT
PS ka shumë histori lokale suksesi. Pse jo në të gjithë vendin. Një nga pikturat më me vlerë të Edi Ramës për Shqipërinë është modeli i suksesit të administrimit të qytetit të Tiranës, pavarësisht abuzimeve të përfolura por që kurrë nuk u provuan. Ndoshta shembujt e Qazim Sejdinit, Niko Peleshit, Fatos Tushes, Vangjush Dakos, Shpëtim Gjikës, Elvis Rroshit, Tërmet Peçit, Baftjar Zeqos e të tjerëve, duhet të jenë edhe një lloj modeli se çfarë PS mund të bëjë më ndryshe sesa PD në administrimin e zonave. Pak dinë qytetarët e Korçës për punën e mirë që bëhet psh në bashkinë e Lushnjes, apo ata të Lushnjes, për punën e bashkisë së Elbasanit, apo ata të Elbasanit për ndryshimin e qytetit të Kavajës, apo këta të fundit, për atë që ndodh në Vlorë. Ndoshta mirë do të ishte që takimet e strukturave të kësaj force politike të kishin pjesmarrje dhe shkëmbim eksperiencash më të gjera sa në një rreth në tjetrin dhe njerëzit të shihnin mënyrën dhe modelet sesi prezanton PS administratorët e vet.

PROGRAMI SI VIZATIM I ËNDRRËS PËR TË ARDHMEN

Te kjo pika e programit si ëndërr për të ardhmen ka disa gjëra që duhen thënë më troç. Le ta pranojmë, prej 22 vjetësh në Shqipëri ka votues totalisht të majtë që nuk e kanë lexuar ndonjëherë programin e PS, dhe shkojnë në kutitë e votimit me sy mbyllur. Ka votues totalisht të djathtë që po ashtu shkojnë me sy mbyllur dhe hedhin votën për të djathtën. Por ka edhe një kategori votuesish të rinj, ata 22 vjeçarët që orientohen më shumë tek programi dhe vizioni që paraqet lideri. Dhe pyetja është e thjeshtë: Si mund të frymëzojnë në kampet e tyre Edi Rama dhe Sali Berisha këta të rinj? Cilët janë njerëzit që vendosin përballë tyre për t'u thënë se këta janë shembujt e suksesit? Me apo pa dashje, PS e bëri tentativën e vet nëpërmjet Re-Fressh, një tjetër risi amerikane që solli Veliaj. Debati i primareve me gjashtë kandidatë ishte një organizim që nuk ishte bërë më parë në Shqipëri dhe që përpiqej të thyente ndonjë tabu. Kish nga ata që menduan se është vetëm për SHBA, sepse në ndonjë sallë, kishte edhe nga ata të "fortë" që kërkonin të prishnin organizimin e takimeve. Me të meta apo pa të meta, procesi ishte një risi. E mandej? Gjithçka mbeti këtu dhe secili në PS, pret që dikush tjetër të bëjë një aktivitet për të anatemuar dhe kundërshtuar. A ia vlen e gjithë kjo të bëhet 10 muaj para zgjedhjeve?

Dhe një pikë tjetër e ëndërrës së të ardhmes. Kam dëgjuar biseda tallëse për deklarimin e 1 milionë të papunëve. Pyetja shtrohet: Pse PS thotë se janë 1 milionë, dhe jo një mijë e një milionë të papunë, apo 999 mijë të papunë. Ndaj, ka nevojë për më shumë vërtetësi dhe debat konkret mbi ndryshimet programore PS-PD.

RRËZIMI I MITEVE PËR KUNDËRSHTARIN

Këtë edhe sikur të ketë përpjekje pa fund nga socialistët, e kanë të vështirë këtë pikë. Mirë do ishte ta arrinin. Një ujku politik të vjetër si Berisha, zor se ia rrëzon mitin kollaj. Por, e vërteta është ndryshe. Vetëm fushata pozitiviste mund të tregonte se ç'bëjnë ndryshe socialistët. Mjeshtër i provokimit të sallave, mitingjeve, debateve, parlamentit, Berisha ka nevojë për një ekip ndryshe përballë. Jo çdo gjë arrihet me forcë. Mirë do ishte të përdorej logjika. Në këtë pikë, Veliaj ka të drejtë, por duket se nuk ka shumë kohë për të ndryshuar një mentalitet.

Në fund të fundit, teza e Veliajt sjell debat. Nuk dihet nëse pikat e kësaj platforme janë të suksesshme për PS. Por ajo që dihet me siguri, është se platforma e denigrimit të figurës së dikujt tjetër, të daljeve publike me akuza pa fakte, të gënjeshtrave që mund të prishin punën e katër viteve, të pasigurisë që tremb jo vetëm elektoratin por edhe vetë partiakët e zyrave, është një platformë e dështuar.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: 700 cuba që duan t’u imponohen 700 mijë qytetarëve

Mero Baze: 700 cuba që duan t’u imponohen 700 mijë qytetarëve