Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe online përfaqëson një nga përpjekjet më të rëndësishme për ruajtjen, standardizimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe në epokën digjitale. Me 105 mijë fjalë, ai u hodh online vetëm 4 ditë më parë, duke u vënë në dispozicion të publikut, studiuesve e kujtdo që mund të kontribuojë më vërejtje apo propozime.

Vetë platforma përmban një rubrikë të caktuar për këtë qëllim, e cila mund të konsultohet vetëm nga autorët. Megjithatë edhe publikisht apo në rrjetet sociale ka mjaft fjalë, terma apo interpretime që kanë ngritur pikëpyetje apo paqartësi.

Nga përdorues të ndryshëm online është vënë re se fjalë të caktuara nuk jepen në fjalor me të gjithë shpjegimet e tyre dhe kontekstin në të cilin përdoren.

Një shembull i tillë është fjala negër, që në fjalor barazohet me fjalën “zezak”, duke mos thënë asgjë më tepër për ngjyrime të ndryshme, edhe raciste, që mbartin në të vërtetë të të dyja fjalët.

Një tjetër zë është ‘realizëm”. Sipas studiuesit Gazmend Krasniqi kjo fjalë nuk mund të barazohet me “realizmi”-in (ose realizmi kritik), duke zbuluar e denoncuar aspektet negative të shoqërisë.

“Dy termat nuk kanë shenja barazimi. Kjo formë me shenjë barazimi ka hyrë nga literatura sovjetike. Së bashku me atë që “lulëzoi nga fillimi i shek. XX”. Për inerci, realizmi mund të vijë deri në ditët e sotme (sidomos në Shqipëri, ku vlerësohet edhe me çmime si letërsi bashkëkohore), por në fakt, realisht, koha e lartpërmendur i përket modernizmit. Në këtë rast, realizmi duhej shpjeguar më vete, pastaj derivatet”, shkruan Krasniqi në një postim në Facebook.

Një tjetër fjalë që ka hapur diskutime është “agjërim”. Në fjalor shpjegohet si “veprimi kur agjëroj ose agjërohet” dhe më pas thuhet: “Mosngrënie, mospirje dhe moskryerje e marrëdhënieve intime nga agimi në perëndim në muajin e Ramazanit, si detyrim fetar i fesë islame i përcaktuar në Kuran.” Përmes këtij shpjegimi, kjo fjalë lidhet rreptësisht me fenë islame, ndërkohë që njihet botërisht se agjërimi ishte një praktikë dhe e paganëve, apo dhe feve të tjera, ndonëse ato mund të përdorin një tjetër terminologji.

Fjala “parti” dhe përkufizimi i saj po ashtu ka ngritur pikëpyetje.

Studiuesi Afrim Krasniqi sjell si referencë për këtë term, ligjin mbi “Partitë politike”, Kushtetutën e RSH apo dhe disa vendime të Gjykatës Kushtetuese, ku  ofrohet një shpjegim klasik se çfarë është një parti politike, ngjashëm me praktikat e vendeve demokratike, dhe në tërësi me ngjashmëri edhe me literaturën shkencore bashkëkohore që përdoret. “Partitë politike janë bashkime vullnetare të shtetasve mbi bazën e ideve, të bindjeve e të pikëpamjeve ose të interesave të përbashkëta politike, të cilët synojnë të ndikojnë në jetën e vendit nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhjet dhe përfaqësimit të popullit në organet e zgjedhura të pushtetit”, thuhet në ligjin në fuqi. "Ne e morëm nga modeli gjerman, por çdo vend në BE ka pak e shumë të njëjtin koncept”, shprehet Krasniqi.

Kurse në fjalorin (e ri) online të Gjuhës Shqipe jepet një shpjegim në kontrast të thellë me shpjegimin ligjor dhe konceptet moderne. “Parti” - “organizatë politike e një klase a e një shtrese shoqërore të caktuar, që ka programin e statutin e vet dhe që lufton për të mbrojtur interesat e klasës a të shtresës shoqërore, së cilës i përket”. Një përkufizim që e ngushton shpjegimin duke e lidhur vetëm me një shtresë shoqërore, dhe jo me  ideologjitë apo pikëpamjet.

Në përgjithësi, shumica e terminologjisë që lidhet me politikën duket se ka nevojë për rishikim pasi ngjan se janë shpjegime që më shumë i ngjajnë një kohe e mentaliteti tjetër sesa koncepteve bashkëkohore dhe shkencore mbi termat politikë.

Jo më pak problematike, duket të jenë edhe ngjyrimet që u jepen fjalëve të caktuara, duke dhënë shembuj përdorimi të tyre, siç ndodh përshembull me fjalët “djalë” apo “vajzë”, të cilat duken se arrijnë në kufijtë e një diskriminimi me bazë gjinore.

Nga shumë përdorues vërehet se fjala djalë shoqërohet me mbiemra të tillë, si: sypatrembur, djalë trim etj., ndërsa fjala vajzë shfaqet e shoqëruar më së shumti me epitete të tilla, si: bishtpërdredhur, e përdalë etj.

Ndërkohë, pikëpyetje ngre dhe zgjedhja për të përfshirë në fjalor, edhe e fjalëve të huaja që pavarësisht përdorimit publik, mbartin të njëjtin kuptim si fjalë ekzistuese të shqipes, si përshembull abandonim-braktisje.

Këto raste nuk janë të vetmit që ngrenë nevojën për pyetje dhe ballafaqim, e pse jo konsultim me ekspertë të fushave. Lajm i mirë është se ky fjalor është në formë projekti dhe është i hapur për sugjerime, gjatë 9 muajve që do të qëndrojë online, për t’iu nënshtruar rishikimit, përgjatë 3-4 muajve të mëpasshëm.