Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ka folur në studion e emisionit ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, për protestën para Parlamentit të disa komuniteteve që kishin probleme me pronat, ku mori pjesë edhe vetë ai.

Teksa komentoi praninë në protestë të banorëve të Rrjollit, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e resortit nga biznesmeni dhe botuesi Bashkim Ulaj, me pretendimin se po u grabit pronat, Muçi deklaroi se këta banorë janë shembull për t’u ndjekur nga komunitetet e tjera në mbarë vendin për vendosmërinë e tyre.

“Protesta e fundit para Parlamentit ku isha prezent, ishte në fakt një ndër protestat me mesazhin simbolik më pozitiv dhe të rëndësishëm. Ishte një bashkim komunitetesh të ndryshme banorësh, të cilët kishin problematika të ndryshme, por që i bashkonte fakti se të gjitha këto komunitete injorohen nga strukturat e pushtetit. Ishin të pranishëm si banorët e Rrjollit, të cilët për hir të së vërtetës kanë qenë një shembull për t’u ndjekur nga komunitetet e tjera në mbarë vendin, sa i përket vendosmërisë së tyre për të kërkuar të drejtën e tyre që u mohohet deri në këtë pikë, siç ka të bëjë me problematikën e pronës që bëhet fjalë aty në zonën e Rrjollit dhe tani në fund të Prillit ka një seancë gjyqësore nëse do pezullohen punimet derisa të gjendet një zgjidhje përsa i përket çështjes së pronësisë apo jo”, tha mes të tjerash Muçi.

Muçi tha më tej se në protestë ishin të pranishëm edhe banorë të Durrësit, të cilët pretendojnë se po u prishen shtëpitë pa kompensimin e duhur dhe banorë të Bulqizës e Pogradecit, të cilët po ashtu kanë pretendime se po u merren pronat padrejtësisht.

“Por ka edhe problematika të tjera, banorëve të Durrësit në zonën e Kalasë po u prishen shtëpitë pa një kompensim të duhur. Qoftë banorët e Bulqizës që kanë problematikën me kullotat dhe ujin. Edhe aty synohet të ndërtohen hidrocentrale që do t’i vdesë ekonomikisht këto komunitete. Edhe banorë të Pogradecit, ku në Liqenin e Pogradecit po përgatiten për t’u ndërtuar resorte luksoze dhe aty ka një problematikë përsa i përket çështjes së pronës”, shtoi Muçi.

Deputeti Muçi tha gjithashtu se problemet me pronat në Shqipëri janë një problem i shtrirë ndër vite, i cili sipas tij është komplikuar qëllimisht nga shteti.

Sipas Muçit, shteti shqiptar pasi nuk u ka njohur të drejtën e pronësisë qytetarëve, e përdor këtë ‘kartë’ për t’ua grabitur pronat për llogari të oligarkëve.

“Sa i përket çështjes së pronës, të gjithë e dinë në Shqipëri që është një problem i shtrirë në vite, i cili është komplikuar qëllimisht dhe nuk ka gjetur një zgjidhje përfundimtare. Është shteti ai i cili pasi nuk ua ka njohur të drejtën e pronësisë qytetarëve, tani e shfrytëzon këtë vakum ligjor për t’ua rrëmbyer pronat qytetarëve. Sa herë që aty ndërtohen resorte luksoze me të ardhura të dyshimta, shfrytëzohet ky vakum ligjor për grabitjen e pronës qytetarëve. Prandaj unë isha i pranishëm në protestën e këtyre banorëve para Parlamentit”, tha mes të tjerash Muçi.