Avokatët e banorëve të Rrjollit njoftuan dje se Gjykata e Posaçme ka urdhëruar SPAK të regjistrojë procedim penal dhe të nisë hetimet për resortin “Blu Borgo” në Rrjoll të Velipojës, që po ndërtohet nga kompania “Gener 2” e botuesit dhe ndërtuesit Bashkim Ulaj.
Prek Molla, banor i Rrjollit, në një lidhje për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, e cilësoi këtë si një lajm të mirë, për vendosjen në vend të drejtësisë.
Teksa akuzoi Prokurorinë e Shkodrës si të korruptuar, ai tha se Bashkim Ulaj po përpiqet të ndërtojë në tokat e fshatarëve të Baks Rrjollit, duke vjedhur tokën e tyre përmes dokumentave të falsifikuara.
“Po, SPAK ka nisur hetimin për Rrjollin. Ky është një lajm i mirë për të gjithë ata që pretendojnë për drejtësi. Drejtësia është ajo që ne po kërkojmë të gjithë shqiptarët. Kështu që SPAK është shpresa e fundit e jona për drejtësi. Është hera e katërt që ne bëjmë kallëzim në SPAK dhe SPAK e ka transferuar dosjen tonë në Shkodër. Dhe Prokuroria e Shkodrës është më e korruptuara e gjithë Shqipërisë. Kam prova e fakte që vërtetojnë korrupsionin në Shkodër. Ka qenë një Prokurori e korruptuar. U eleminua pak ai korruptim që e kishin ata. Tani kanë marrë forcë shumë të madhe.
Në vend që të vijë duke rënë korrupsioni, tani ka ardhur duke u shtuar. Prokuroria e Shkodrës paraqiti ose prezantoi 2 prokurorë për çështjen e Rrjollit. Të dy prokurorët në fazën finale, kur ishte për t’ju drejtuar gjykatave për të marrë një vendim rreth pretendimeve që ne kemi paraqitur në Prokurori, ata thanë ‘jo, këta do të shkojnë në Durrës, me transferim’. Që në 7 korrik është dhënë transferimi i 2 prokurorëve. Edhe që flasim sot, nuk janë caktuar akoma prokurorët që do të marrin çështjen në dorë. Ky është një korrupsion i gjallë sepse do që firma Blue Borg apo Baks Bay, sepse e ndryshuan edhe emrin sipas interesave të tyre.
GJKKO ka dhënë detyrat specifike lidhur me hetimet që do të zhvillojë SPAK. Një nga kryesoret është taksat që Bashkia Shkodër nuk ka përfituar nga leja e ndërtimit sipas ligjit. Dhe shuma totale që Bashkia Shkodër do të fusë në buxhetin e bashkisë Shkodër do të ishte 8 milionë e 300 mijë euro, të cilat mungojnë në arkën e bashkisë. Mungojnë sepse po t’u kishte paguar 8.3 milionë euro banorëve të Rrjollit, gjysmat e problemeve atij do i kishin mbaruar. E dyta, është dëgjesa publike”, tha mes të tjerash Molla.
Më tej Prek Molla shtoi se ndryshimi i emrin nga ‘Blu Borgo’ në ‘Baks Bay’ është bërë me qëllim për të krijuar imazhin te shqiptarët se bëhet fjalë për një tjetër resort.
Ai paralajmëroi të gjithë shqiptarët që të mos blejnë në resortin që po ndërton Bashkim Ulaj, pasi sipas Mollës, askush nuk do t’i gëzojë pronat e banorëve të Rrjollit.
“Me emrin Blue Borg që ata përdorën kishte një rënie kërkese për blerjen e objekteve që ai po ndërton. Tani me këtë emrin e dytë, ai pretendon sikur është një resort tjetër, jo Blue Borg. Këta duan që resorti të shitet pa themele akoma. U them atyre personave që më dëgjojnë dhe duan që ta gëzojnë atë pronë. Sepse nuk besoj se ka njerëz që duan të vijnë dhe të kenë konflikt me fshatarët e Baks Rrjollit. Ne jemi pronarë të ligjshëm. Nëse unë dokumentat i kam fallso, unë do të shkoj në burg. Ata që mendojnë të blejnë në Baks Bay, nuk do ta gëzojnë atë pronë, nuk e gëzojnë pronën e të parëve tonë. Do të përballen me fshatarët, nuk do të kenë të ardhme në Baks Rrjoll”, përfundoi Molla.








Komente
Komento