Problemi është BE-ja, jo veriu

Problemi është BE-ja, jo veriu
Prej fundit të shekullit të kaluar, Bashkimi Evropian ka rishkruar historinë e Ballkanit perëndimor dhe të ish-Jugosllavisë. Pa dashur të bëj referencë literaturës patetike të historisë, të shekullit të kaluar, ish-Jugosllavia është kështu si është jo vetëm për faijn e “Millosheviçave”.
Konfliktet nuk perfundojnë kur nënshkruhen armëpushimet, fatkeqsisht. Prandaj, në tërë kaosin e pasluftës dhe situatën ku jemi sot, BE-ja është aksionar i denjë.
Kjo jo vetem sepse Brukseli nuk pati asnjëherë qasje të qartë për këtë pjesë të Evropës, por se fillimisht Brukseli politik ka probleme me veten.
“Është koha e Evropës, jo ora e Amerikanëve”, ka thënë Jacques Poos, ish ministër i jashtëm i Luxemburgut, kur filloi thyerja e madhe në ish Jugosllavi.
Të bindur se do të kishin mundesi të ballafaqoheshin me konfliktet, BE-ja po mundohej të mënjanonte unilateralizmin amerikan në rajon. Vala e luftrave në ish-Jugosllavi jo vetëm që ishte e papërballueshme për BE-në, por vuri në pikëpyetje mendësine legaliste dhe shpeshherë të ngurtë mbi të cilën operon ky entitet supra-nacional.
Prej Dubrovnikut në fillim te 90-tave e deri në rastin e Veriut të Kosovës në 2011, jemi deshmitarë okularë të pamundësisë së BE-së për të pasur një qëndrim të qartë fillimisht, e lëre më për të reaguar në vazhdimësi. Prandaj, prej fillimit të konflikteve në ish-Jugosllavi, BE-ja tërë energjinë e saj politikë bërëse e ka shpenzuar për të mbajtur qëndrim neutral dhe “objektiv” se sa për të dhënë ndonjë kontribut për zgjidhjen e problemit.

Kjo në radhë të parë është problem i identitetit të BE-së në qendër, e cila për disa çështje (shumë çështje në fakt) e ka të pamundur të reagojë njëzëri përshkak të konfliktit të interesave që shtetet e BE-së kanë me njera tjetrën. Kujtojini për shembull, flirtet/akuzat me Rusinë për furnizimin me energji gjatë konfliktit me Gjeorgjinë; kujtoni reagimin e BE-së për diktatorin bashkohorë Robert Mugabee i cili u ndihmua një kohë të gjatë nga një shtet i lavdishëm i Bashkimit Evropian; apo edhe rastin e fundit me teknikën “terhiq e mos e kput’” me beduinin Gadafi. Edhe ne rastin e Kosovës, si ne rastet e lartperndura, BE-ja luan “guxhar” se pari me vetveten – me shtetet e veta antare dhe rrjedhimisht edhe me Kosovën.

Madaleine Albright ka thënë se “për të kuptuar Bashkimin Evropian, duhet të jesh ose gjeni ose francez”. Ç’është e vërteta, në tërë kompleksitetin administrativ dhe burokratik dhe paqartesitë politike dhe diplomatike, në rastin e ish-Jugosllavisë në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti, një gjë e sigurt mund të thuhet për BE-në – e ajo është pasiguria dhe paqartësia gati gjenetike e saj. Personifikim i denjë i kësaj është rasti i misionit të EULEX-it.

EULEX-i u vendos në një kornizë ligjore konfliktuale me Kushtetutën e Kosovës duke ia shtuar prezencës skizofrenike nderkombëtare në Kosovë hijeshinë edhe më tutje. Brroçkulla për qëndrim neutral ndaj statusit ishin kode që më vonë u deshifruan në qasjen e tyre për të mos u përballur me veriun dhe në këtë mënyrë për të mos konfirmuar shtetësinë e Kosovës.
Prej fillimit të misionit EULEX-i mbeti gjysëm i shtrirë me tendenca për shtrirje komplete edhe në veriun traumatik. Ne pozicion gjysëm shtrirje, EULEX ia futi gjumit për t’u çuar jerm në bastisjen e ish minsitrit Limaj. Të njejtën vendosmëri dhe aksion të EULEX-it nuk e pashë për një varg problemesh kapilare ligjore që i ka Kosova. E ky vend ka shume probleme që do t’ia kishin pasuruar CV-në EULEX-it, si për shembull, krimi i organizuar, shpërlarje parash, trafikim, korrupsion, krime te luftes…. E përderisa EULEX-i na i bombardoi veshët me diskurs të thatë për sundim të ligjit dhe demokraci, kriminelë, kontrabandues, trafikues tashmë e kishin shënderruar veriun e Kosovës në depo prej ku e tërë Evropa furnizohej me mallra pa barkod. Teknokratët në Bruksel në anën tjetër, pas 2 shishe birrash të rënda belge nuk hezitojnë të përsërisin habinë mbi çfarë baze Brukseli po i zgjatë mandatin EULEX-it.

Në rrafsh pak më konceptual, politikëbërja dhe mendimi në BE është në fazën e post-modernizmit, e cila mund të mos ketë kuptim per nje rajon “arkaik” si Ballkani. Prandaj kjo fuqi ekonomiko-politike është në kërkim të gjetjes së zgjidhjeve unike, të zgjidhjeve sui generis. Duke i shtuar këtu edhe menopauzën në terma kohore, BE-ja në Ballkan më shumë i perngjan një kimisti të apasionuar në laborator. Ndryshe, në raport politik dhe diplomatik, BE-ja duket opsion i mirë vetëm për të blerë kohë – që në rastin e Kosoves do të thotë – ruajtje të status quo-së në veri. Derisa ky “diverzitet” në politikëbërje e që në shumë raste rezulton me mos politikëbërje pikërisht përshkak të diverzitetit, çmohet ne Bruksel si karakteristikë e mirë e BE-së, në rastin e fundit për veriun, neutraliteti është vdekjeprurës. Prandaj, unilateralizmi I kryeministrit është pergjigja më e mirë ndaj “neutralitetit” të tejzgjatur të BE-se dhe EULEX-it.

Ky vendim sado i drejtë, parasheh një etapë kur marrdhëniet me BE-në duhet të rishikohen seriozisht. Dhe këtu duhet prap unilateralizëm në artikulimin e kërkesave të Kosovës si shtet. Neutraliteti ndaj statusit, nuk mund të jetë justifikim e aq me pak të bëhet barrierë që autoritetet në Prishtinë të jenë në gjendjë të ushtrojnë detyrat kushtetuese. BE-ja ka zbarkuar me agjendë për siguri, stabilitet dhe zgjidhje të konfliktit – për ku neutraliteti është I admirueshëm. Megjithatë, 12 vite më pas, BE-së i duhet një qasje tjetër sepse Kosova është tjetër.
Në formën çfare është tani, neutraliteti I BE-së është pengesë pikërisht për të arritur synimet që edhe ata i kanë vënë vetes – sundimin e ligjit.




  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Leonardo DiCaprio drejt martesës? E dashura e e tij fotografohet me një unazë diamanti në dorë

Leonardo DiCaprio drejt martesës? E dashura e e tij fotografohet me një unazë diamanti në dorë