Laburistët në Britaninë e Madhe fituan me diferencë të thellë zgjedhjet e pjesshme në zonën e Makerfield, por ngjarja politike e mbrëmjes nuk ishte vetë fitorja. Ishte rikthimi i Andy Burnham në Parlament dhe debati i ri që është hapur për të ardhmen e Partisë Laburiste.

Pak pas orës tre të mëngjesit, kur u shpall rezultati në Wigan, atmosfera ishte e qartë. Laburistët kishin fituar. Burnham u zgjodh deputet me 24.927 vota, ndërsa kandidati i Reform UK, Robert Kenyon, mori 15.696 vota. Diferenca kaloi 9.200 vota.

Për një garë që ishte paraqitur si shumë e ngushtë, rezultati përfundimtar u kthye në një demonstrim force për Laburistët.

Por surpriza më e madhe nuk erdhi nga numrat. Kur mori fjalën pas fitores, Burnham shmangu çdo referencë për ambiciet e tij politike apo për të ardhmen në krye të partisë.

“Të gjithë e dinë se politika nuk po funksionon. Të gjithë e ndjejnë se vendi nuk është aty ku duhet të jetë. Ndoshta sonte mund të jetë pika e kthesës. Makerfield do të sjellë atë që mungon në jetën politike: shpresën” tha ai.

Megjithatë, ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte ajo që Burnham nuk tha. Ai nuk e përmendi asnjëherë kryeministrin Keir Starmer. Nuk foli për postin e kryeministrit dhe as për drejtimin e Partisë Laburiste.

Ishte një heshtje që shumë e interpretuan si politike. Sepse arsyeja pse kaq shumë vëmendje ishte përqendruar te Makerfield nuk ishte thjesht gara zgjedhore. Ishte vetë Burnham.

Për herë të parë që nga viti 2017, ai po rikthehej në Parlamentin britanik dhe po fitonte sërish një rol të rëndësishëm në politikën kombëtare.

Fitorja bëhet edhe më e rëndësishme kur shihet në kontekstin politik të zonës ku u mbajtën zgjedhjet. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024, Laburistët kishin fituar me 45.2 përqind të votave, ndërsa Reform UK kishte marrë 31.8 përqind.

Por në zgjedhjet lokale të majit, situata kishte ndryshuar ndjeshëm. Reform UK kishte arritur në 49.8 përqind, ndërsa Laburistët kishin zbritur në 24.3 përqind.

Shumë analistë besonin se Makerfield ishte kthyer në një nga zonat më të rrezikuara për Laburistët. Në vend të kësaj, Burnham arriti të mobilizojë votues që dukeshin të zhgënjyer nga politika. Pjesëmarrja në votime arriti në 58.75 përqind. Në total votuan 45.510 qytetarë.

Ky element konsiderohet veçanërisht i rëndësishëm. Në shumicën e zgjedhjeve të pjesshme pjesëmarrja bie. Në Makerfield ndodhi e kundërta.

Pjesëmarrja ishte më e lartë se në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024. Për mbështetësit e Burnham, kjo tregon se qytetarët nuk po votonin thjesht për një deputet të ri. Ata po votonin për një drejtim politik.

Madje, sipas disa zërave brenda partisë, edhe për një alternativë të mundshme në krye të Laburistëve.

“Makerfield nuk e rrëzoi Keir Starmerin. Por bëri diçka ndoshta më të rrezikshme për një kryeministër: krijoi një pasardhës të dukshëm”, tha një person i përfshirë në fushatën e Burnham.

Fitorja ka hapur menjëherë diskutime për të ardhmen politike të ish-kryebashkiakut të Mançesterit.

Analistët kanë renditur tre skenarë.

I pari është që Burnham të kthehet gradualisht në figurën kryesore të partisë dhe të mbledhë mbështetje mes deputetëve të shqetësuar për rënien e popullaritetit të qeverisë.

Deklarata të figurave të njohura të Laburistëve kanë treguar se brenda partisë ekziston shqetësim për drejtimin aktual dhe përballjen me partinë Reform UK.

“Pyetja nuk është më nëse Burnham mund të rikthehet në qendër të jetës politike. Këtë ai e provoi. Pyetja është çfarë ndodh nëse qeveria vazhdon të humbasë mbështetje”, tha një burim brenda partisë

Sipas mbështetësve të këtij skenari, Burnham mund të paraqitet si njeriu që ka treguar se di të rikthejë votuesit e humbur dhe të bashkojë sërish bastionet tradicionale të Laburistëve në veri të Anglisë.

Skenari i dytë është bashkëjetesa politike me Starmer.

Sipas këtij skenari, kryeministri mund ta afrojë Burnham në nivelet më të larta të qeverisë dhe ta kthejë nga rival të mundshëm në një aleat të rëndësishëm.

Për shumë deputetë laburistë, kjo shihet si zgjidhja më e sigurt.

Burime pranë drejtuesve të partisë thonë se fitorja e Burnham rrit presionin mbi Starmer, por nuk nënkupton automatikisht fillimin e një gare për drejtimin e partisë.

Sipas tyre, stabiliteti i qeverisë dhe tradita e Laburistëve për të shmangur konfliktet e brendshme gjatë një mandati parlamentar vazhdojnë të jenë faktorë që favorizojnë Starmer.

Ndërsa skenari i tretë është politikisht më interesanti. Burnham mund të mos kërkojë menjëherë drejtimin e partisë, por të mbetet alternativa më e fortë në sfond.

Në këtë rast, sa herë që qeveria do të përballet me vështirësi, sa herë që sondazhet do të tregojnë rënie apo Reform UK do të fitojë terren, e njëjta pyetje do të rikthehet.

“Po sikur të ishte Andy Burnham?” Dhe ndoshta ky është problemi më i madh për Keir Starmer pas Makerfield.

Jo se humbi. Laburistët fituan. Por që nga kjo ditë ekziston brenda partisë një figurë që ka treguar se mund të fitojë aty ku shumë mendonin se Laburistët nuk fitonin më.

Teksa mbështetësit e tij festonin fitoren, një gjë ishte bërë e qartë. Andy Burnham nuk është rikthyer thjesht në Parlament. Ai është rikthyer mu në qendër të politikës britanike.