Ministri i jashtëm gjerman, Heiko Mass deklaroi se gjatë presidencës gjermane po behët e pamundura për ti dhënë një perspektivë të re të rinjve në Ballkanin perëndimor, duke marrë shkas nga fakti  se 71 përqind e të rinjve në Ballkanin Perëndimor mendojnë të largohen nga vendi 

Ai u shpreh për një strategji me tri hapa për të luftuar këtë fenomen: investimin në të ardhmen e rajonit, zgjidhjen e problemeve të së kaluarës dhe anëtarësimin në BE.

Sa u përket investimeve të reja BE-ja kohët e fundit vuri në dispozicion rreth 9 miliardë euro për ta bërë më tërheqës rajonin në aspektin ekonomik, duke siguruar kështu mbështetje për ndërmarrje të vogla dhe të mesme për hapjen e vendeve të punës dhe përmirësimin e kushteve të trajnimit.

Ndërsa sa i përket perspektivës së integrimit europian ministri gjerman u shpreh i vendosur për të vazhduar më tej.

Ministri Maas premtoi edhe një herë  se do të përpiqej t’i hapë që këtë dhjetor edhe zyrtarisht negociatat e anëtarësimit, së paku me Maqedoninë e Veriut: “Para përfundimit të Presidencës Gjermane në Këshillin e BE-së, ne duam të mbajmë një konferencë të parë anëtarësimi me Maqedoninë e Veriut. Dhe, nëse e lejojnë rrethanat, edhe me Shqipërinë,” – tha Maas.

Vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sidomos Serbia e Kosova, më parë duhet të “braktisin fantazmat e së kaluarës” për të bërë hapa përpara në këtë rrugë dhe të arrijnë të bashkëpunojnë me një-tjetrin.

E njëjta gjë vlen edhe për Bosnjë-Hercegovinën, e cila është e ndarë etnikisht edhe sot, 25 vjet pas Marrëveshjes së Dejtonit.