Aministia Penale “do të ndodhë, patjetër”, u shpreh ministri i Drejtësisë. Ai tha se amnistia është në parlament.

“Pasi të kemi marrë vlerësimin për ‘Themeloret’, do të fillojmë të merremi me amnistinë, me vëmendjen që i takon. Në ditët në vijim, besoj që do të fillojë diskutimi në parlament”, tha Gogu. “E sigurt që ndodh brenda këtij sesioni parlamentar”, shtoi më tej ministri.

Lidhur me transmetimin live të seancave, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, tha se s’ka kërkuar sqarime për këtë duke besuar te vendimmarrja e pavarur e institucioneve të drejtësisë dhe gjykimit të gjyqtarit.

"Besoj në maturitetin dhe profesionalizmin e çdo gjyqtari shqiptar për të garantuar drejtpeshimin e parimit të një seance publike që parashikohet në kodet tona të procedurës dhe sigurisë së procesit që duhet drejtpeshuar dhe këtë e bën vetëm gjyqtari", tha ministri.

Garancia proceduriale dhe besimi i qytetarëve te drejtësia janë dy kriteret që duhen plotësuar për anëtarësimin në BE, tha ministri i Drejtësisë Toni Gogu gjatë konferencës për shtyp. Ai e përmblodhi punën lidhur me procesin në disa statistika, ndërsa tha se raporti i IBAR ka kaluar në grupin vendimmarrës.

“Kemi vendosur që në nisje të detyrës 3 prioritete: fuqzimi i garancive proceduriale dhe të drejtave të njeriut, eficenca e sistemit gjyqësor që duhet të rritet në mënyrë domethënëse dhe aksesi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Nuk mundet të futemi në Europë nëse nuk fuqizojmë garancinë proceduriale të qytetarit në proces dhe qytetarët s’mund të kenë besim te sistemi nëse nuk e aksesojnë lehtazi apo nuk u përgjigjet në kohë. Do të doja të informoja pak me procesin e integrimit europian.

-70 institucione janë koordinuar

-190 ekspertë

-90 orë raportim në Komisionin Europian

- 8000 faqe dokumentacion janë dorëzuar.

Raporti i Vlerësimit të Piketave të Ndërmjetme (IBAR) ishte një proces teknik dhe tashmë ka kaluar. Procesi lëviz, ecën dhe ka mbështetje faktike maksimale nga shteti shqiptar. ky raport ka të bëjë me rezultatet e prekshme që ne duam të shohim në vijim dhe që çdo qytetar pret nga sistemi i drejtësisë në vijim. Cilësia e reformave vlerësohet në atë raport që ka kaluar nga grupi i punës në grupin vendimmarrës”, tha Gogu.

Stoku i dosjeve është shifra negative që Gogu veçoi duke thënë se 72% e qytetarëve e shohin të vështirë financimin e një çështjeje.

“Shifra negative ka të bëjë me stokun e dosjeve sepse 72% e qytetarëve shqiptarë e shohin sistemin të vështirë për ta përballuar financiarisht. Në 137 mijë e 101 çështje që ministria ka si statistikë, trendi o fillon të zbresë. Është i papërfillshëm sepse është vetëm 2%, por kemi një model suksesi”, tha Gogu.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:51
‘I ashpër’, Toni Gogu u adresohet kritikave për Kodin e ri Penal: Presim versionin përfundimtar! Do të konsultohemi me ekspertët ndërkombëtarë

1779187275_tonigogu.jpg

Ministria e Drejtësisë është në pritje të draftit të Kodit të ri Penal për ta konsultuar më pas me ekspertët ndërkombëtarë. Në këtë Kod, parashikohet trajtimi i krimit ekonomik, pastrimit të parave, proporcionalitetit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

“Në proces kemi disa ligje të rëndësishme që u shërbejnë objektivave strategjike siç është Kodi Penal, jemi në fund të tij, presim nga grupi i punës të marrim draftin dhe ta konsultojmë me ekspertët ndërkombëtarë. Kodi Penal do të siguronte që krimi ekonomik të ketë vëmendjen e duhur, pastrimi i parave, proporcionaliteti penal dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut”, tha Gogu.

I pyetur për komentet se Kodi i ri është shumë i ashpër, ministri u shpreh se duhet parë si përkon versioni përfundimtar me realitetin.

“Duhet të shikojmë versionin përfundimtar dhe mbi të të shikojmë nëse është Kodi Penal që i përgjigjet realitetit tonë shtetëror, juridik e me radhë”, tha ai.

Ora 12:45
Refuzimi i gjykatave për transmetimin live të seancave, Gogu: Besoj te pavarësia e vendimmarrjes dhe profesionalizmin e gjyqtarëve

1779187259_tonigogu.jpg

Edhe pse të pandehurit, mes tyre Ilir Meta, Erion Veliaj apo Ilir Beqaj kanë kërkuar transmetimin live të seancave gjyqësore, vetë gjykatat kanë refuzuar duke lejuar kamerat vetëm për pak minuta. Lidhur me çështjen, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, tha se s’ka kërkuar sqarime për këtë duke besuar te vendimmarrja e pavarur e institucioneve të drejtësisë dhe gjykimit të gjyqtarit.

“Nuk kam kërkuar sqarim sepse besoj që vendimmarrja e gjykatës është tërësisht e pavarur dhe besoj në maturitetin dhe profesionalizmin e çdo gjyqtari shqiptar për të garantuar drejtpeshimin e parimit të një seance publike që parashikohet në kodet tona të procedurës dhe sigurisë së procesit që duhet drejtpeshuar dhe këtë e bën vetëm gjyqtari. Mund të ketë mendime, por nuk mund të komentoj. Çmon gjyqtari gjithmonë si drejtpeshon transparenca dhe siguria e një procesi duke siguruar që palët mos të humbasin dhe mos t’u mohohet asnjë e drejtë brenda procesit. Është tjetër gjë kur flasim për transmetim direkt dhe tjetër për prani të gazetarëve brenda saj”, tha Gogu.

Ora 12:33
Aministia Penale, Gogu: Do të ndodhë patjetër! Do të nisim pas vlerësimit të ‘Themeloreve’

1779186175_tonigogu.jpg

Amnistia Penale është në pritje të vlerësimit nga Komisioni Europian dhe menjëherë më pas, do të nisë diskutimi i saj në parlament, tha ministri Gogu duke siguruar se “do të ndodhë, patjetër.”

“Është një instrument i politikës sonë penale që u dizenjua për të adresuar disa problematika, në radhë të parë fuqizimin e të drejtave të njeriut dhe kjo ka të bëjë me situatën që kemi me popullimin në burgje. Do të ndodhë, patjetër. Jemi treguar shumë të kujdesshëm që në të gjithë procesin që kemi të avancimit të vendit drejt anëtarësimit, t’i shqyrtojmë prioritetet sipas rëndësisë. Amnistia është në parlament. Pasi të kemi marrë vlerësimin për ‘Themeloret’, do të fillojmë të merremi me amnistinë, me vëmendjen që i takon. Në ditët në vijim, besoj që do të fillojë diskutimi në parlament”, tha Gogu.

Janë rreth 12 mijë ata që presin të përfitojnë nga miratimi i amnistisë, disa qindra të burgosur që presin lirim, rreth 1000 që presin ulje dënimi, mijëra që presin të lirohen nga shërbimi i plorës apo edhe miraja të tjerë që u shuhet ndjekja penale.

Ora 12:27
Mbipopullimi i burgut të Shënkollit në Lezhë, Gogu: Do të përmirësojmë kushtet, së shpejti me rezultate konkrete

1779185827_tonigogu.jpg

Mbipopullimi i burgut të Shënkollit ku ndodhen edhe të dënuar që vuajnë nga shëndeti mendor do të adresohet nga Ministria e Drejtësisë me përmirësimin e kushteve. Lajmin e dha ministri Toni Gogu gjatë konferencës me gazetarët.

“Jemi në mes të punës për përmirësimin e ndjeshëm të kushteve në Shënkoll, Lezhë ku janë persona me trajtim të detyrueshëm mjekësor, që vuajnë nga shëndeti mendor sepse është e patolerueshme. Ne s’mund të vazhdojmë ta ofrojmë atë shërbim siç kemi bërë deri tani. Jemi në diskutime të avancuara që atë shërbim ta ofrojë Ministria e Shëndetësisë dhe sigurinë Ministria e Drejtësisë. Të dënuarit që vuajnë nga shëndeti mendor janë në vëmendjen tonë. Jemi duke punuar. Shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete që institucioni në Shënkoll të plotësojë standardet”, tha Gogu.

Sot, Avokati i Popullit rekomandoi mbylljen e 5 burgjeve: Burrel, Kosovë-Lushnjë, Kukës “Mine Peza” (302) dhe “Jordan Misja” (313), pasi sipas tij, nuk plotësojnë kushtet.