TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike Azem Hajdari u ekzekutua mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, pak metra larg selisë së PD-së në kryeqytet. Nga breshëritë e plumbave gjeti vdekjen dhe truproja i tij Besim Cera, nga Dibra. Për vrasjen e deputetit Hajdari u akuzuan menjëherë Jaho Mulosmani dhe tre vëllezërit Izet, Ismet dhe Isamedin Haxhia, njerëz që qëndronin shumë pranë kryeministrit Berisha me detyra jo të vogla. Ish-truproja i kryeministrit Sali Berisha, Izet Haxhia, sipas Akuzës, telefonoi Hajdarin dhe e nxori nga zyra e tij dhe dhjetë minuta më pas u ekzekutua në pritë.

Në një proces gjyqësor maratonë, u cilësuan fajtorë Mulosmani, i cili u dënua përjetë, si dhe dy vëllezërit Izet e Ismet Haxhia, që u dënuan përkatësisht me 25 dhe 20 vjet heqje lirie. I treti i vëllezërve Haxhia, Isamedini, u dënua vetëm për armëmbajtje pa leje. Edhe pse dosja u mbyll me ndëshkimin e tre personave, asnjëherë nuk u tha motivi se përse u ekzekutua Azem Hajdari. Ndërkaq, u vërtetua se mbi deputetin kishte qëlluar me dorën e tij Fatmir Haklaj, i cili u vra më pas gjatë një atentati të mirëorganizuar.
Të dënuarit pretenduan gjithnjë se janë të pafajshëm për vrasjen, e cilësuar si “krimi i shekullit 20” dhe janë ankuar në Gjykatën e Strasburgut.


Shkrimi u publikua sot (05.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)