Ish-prokurori Ervin Karanxha ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese konstatoi 2 shkelje në procesin ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, të cilat sipas tij janë ‘qëndrimi në kafaz xhami gjatë seancave gjyqësore dhe masa e sigurisë arrest me burg’.

Komentet Karanxha i bëri në studion e emisionit ‘Frontline Intervieë’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, ku komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ktheu në Gjykatë të Lartë kërkesën për liri të Veliajt. Gjykata e Lartë do të duhet të arsyetojë pse masa “arrest me burg” ndaj Veliajt është e nevojshme dhe pse nuk mjaftojnë masa më të lehta sigurie, duke marrë parasysh edhe detyrën e tij si kryebashkiak.

“Gjykata Kushtetuese bëri një interpretim kushtetues në lidhje me caktimin e masës së sigurimit ndaj Erion Veliajt. Në lidhje me prezumimin e pafajësisë dhe qëndrimin e tij në kafaz, ne e kemi diskutuar se kafazi i xhamit për të paraburgosurit dhe kufizimi i komunikimit me mbrojtësit, përbën një shkelje të parimit të prezumimit të pafajësisë. Shkelja tjetër e konstatuar ishte edhe me masën e sigurimit. Masa e sigurimit, Gjykata Kushtetuese dhe është diçka pozitive në kuadrin e të drejtës në Shqipëri, që thuhet ‘duhet të shprehet gjykata kur caktohet masa e sigurimit’. Pra gjykata duhet të shpjegojë pse masat e tjera janë të papërshtatshme. Kjo është diçka e re që lidhet edhe me vendimin unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë”, tha mes të tjerash Karanxha.

Ish-prokurori shtoi më tej se qëndrimi në qeli i Veliajt është shkelje e rëndë e një vendimi të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi që ai të mbetej në krye të Bashkisë së Tiranës, pavarësisht hetimeve që po zhvillohen ndaj tij.

Për Karanxhën, Veliaj është kufizuar nga ushtrimi i detyrës si kryebashkiak i Tiranës dhe kjo sipas tij mund të penalizojë ‘nesër’ Shqipërinë, nëse çështja do të shkojë në Gjykatën e Strasburgut.

“Sot Veliaj juridikisht është kryetar i Bashkisë së Tiranës, por defacto nuk e ushtron këtë detyrë, duke u shkelur rëndë një vendim i Gjykatës Kushtetuese, që është i detyrueshëm për t’u zbatuar. Gjithë kjo periudhë që Veliaj është kufizuar nga ushtrimi i detyrës si kryetar bashkie, përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe nesër do penalizojë Shqipërinë, kur të shkojë çështja në Strasburg”, tha mes të tjerash Karanxha.

Nga ana tjetër, për Juristin Romeo Kara, situata më parodike me çështjen ndaj kryebashkiakut Veliaj, janë kallëzuesit Nesti Angoni dhe Nasta Pëllumbi.

Teksa e cilësoi shkelje këtë praktikë kallëzimi me personazhe inekzistentë, Romeo Kara tha se kallëzuesit e kanë detyrim ligjor që të dalin me fytyrë dhe identitet të saktë.

“Ne duhet të dimë tani kush është Nasta dhe Nesti, të cilët na çuan në një situatë parodike. Ata që ja kanë bërë Erionit këtë, janë tallur shumë. Kjo tallje duhet të ketë një emër, kushdo që është pas saj. As fytyra e Nastës dhe Nestit, as jeta e tyre dhe e familjes së tyre, nuk janë më të mira se fytyra ime dhe jeta e familjes time bashkë. Sepse unë kur kam bërë kallëzimet e mia kam dalë me fytyrë atje dhe kam marrë gjithë kusuret përsipër. Këta të luajnë mangallin kështu nga larg me mashë, për këtë jam avokat i Veliajt”, tha mes të tjerash juristi Kara.

Më tej juristi Kara për të forcuar pretendimin e tij që kallëzuesit nuk duhet të jenë persona enigmatikë, ngriti pyetjen ‘ku do të gjenden Nesti dhe Nasta, nëse faktohet nga Gjykata se kanë bërë kallëzim të rremë kundrejt Veliajt?’.

Teksa dyshonte se ‘goditja’ ndaj Veliajt ishte bërë nga brenda Partisë Socialiste, për juristin Romeo Kara, masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’ do të ishte masa më e mirë për kryebashkiakun e Tiranës, gjatë kohës që hetimet vijojnë.

“Nasta dhe Nesti, fakti që fshihen dhe nuk kanë guxim, do jenë nga soji i tyre, socialistë. Sepse ata duan të kënaqen. Ajo lufta brenda llojit që është më e ndyrë, që s’ka asnjë lloj parimi. Nasta mund të jetë një burrë që ndihet shoqe. Problemi është këtu, nëse ai ka bërë kallëzim të rremë, ku ta gjesh nesër Nestin dhe Nastën? Arrest shtëpie do të jetë masa më e mirë për të”, tha avokati Kara.