/ATSH/- Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka në një intervistë me Zërin e Amerikës nga Lozana, Zvicer,  ku po zhvillohet procesi gjyqësor në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv lidhur me ngjarjet e ndodhura në Beogradë gjatë përballjes Serbi-Shqipëri, tha se përgjigja përfundimtare e kësaj gjykate mund të vonojë edhe një muaj.
Sipas Dukës, Shqipëria ka besim se Gjykata do t'i japë fitoren në tavolinë Shqipërisë, pasi ndeshja në Beograd u ndërpre për shkak të dhunës ndaj lojtarëve shqiptarë dhe se skuadra kuqezi nuk ka refuzuar të kthehet në fushë.
Kreu i FSHF-­së theksoi se ndeshja nuk mund të luhej në kushte të papërshtatshme dhe nuk pati asnjë urdhër për ta vijuar atë.
I pyetur mbi kërkesën zyrtare të Shqipërisë dhe provat mbi të cilat e ka mbështetur atë, Duka tha se Shqipëria duhet të marrë atë ndeshje në tavolinë se ndeshja nuk është ndërprerë për arsye të ekipit shqiptar por të dhunës dhe racizmit të shprehur nga huliganë dhe tifozë në stadium.
"Pra ndeshja të përfundojë me rezultat për Shqiperinë 3-­0 dhe të hiqet masa e gjobës pasi është federata serbe përgjegjëse për realizimin e ndeshjes", deklaroi Duka.
Lidhur me seancën e sotme të zhvilluar në Lozane, Duka tha se seanca dëgjimore në Lozanë nisi me dëgjimin e dëshmitarëve të paraqitur nga FSHF dhe nga pala serbe. Sipas tij janë dëgjuar të gjithë dëshmitarët kapiteni i ekipit shqiptar Lorik Cana, kapiteni i ekipit serb dhe një zyrtar i Drejtorisë së policisë së Stadiumit te Beogradit. "Trupi gjykues do marri kohën e vet për vendim", u shpreh Duka.
Duke iu përgjigur pyetjes se sa gjasa ka që kërkesa e Shqipërisë të njihet dhe a ka precedent të mëparshëm kjo gjykatë të rrëzimit të kësaj lloj kërkese, Duka shprehu bindjen se Shqipëria ka plotësisht të drejtë.
"Mendojë se kemi 100% të drejtë. S'jemi shkaktarë, s'kemi refuzuar të hyjmë në fushë, skuadra shqiptare është dhunuar jo vetëm nga tifozët serb. E ka pasur të pamundur të kthehet në fushë, s'ka pasur urdhër për t'u kthyer. Kjo është një lojë që luhet në kushte të barabarta, por jo absolutisht të papërshtatshme. Ishte e pamundur që ajo ndeshje të luhej", deklaroi Duka.