TIRANE - Ish-kryeministri Sali Berisha dhe Presidenti Ilir Meta ka disa muaj se kanë dhënë alarmin për kapjen e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë nga qeveria, ndonëse sot asnjëra nga këto gjykata nuk është ende funksionale. Për këtë çështje Meta i ka dërguar edhe një letër Komisionerit për Zgjerimin Oliver Varhelyi.

Por si janë emëruar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë nga PD-LSI para 2014 dhe si emërohen sot?

Sa të sinqertë janë Berisha dhe Meta me shqetësimin e tyre?

A ka shanse të përsëritet sot skenari i PD-LSI para 2014 me emërimin e të besuarave të tyre në dy gjykatat në fjalë?

Shqiptarja.com sjell ekskluzivisht disa procesverbale të procedurave të ndjekura nga PD-LSI, para dhe gjatë vitit 2013, për diktimin e kandidatëve të preferuar në dy gjykatat kryesore.

Kur ishte Bamir Topi President, PD-LSI, por sidomos Partia Demokratike, bllokonte në mënyrë arbitrare që në Komisionin e Ligjeve kandidatët e dekretuar, të cilët nuk ishin të besueshëm se mund t’i shërbenin partisë.

Komisioni i Ligjeve, në atë kohë me në krye Ilir Rusmalin dhe Eduard Halimin, kalonin në seancë plenare për votim vetëm kandidatët e preferuar të PD-së.

Pas ardhjes së Nishanit në krye të Presidencës në qershor të 2012, pati një koordinim mes PD dhe Nishanit, për plotësimin e vendeve vakante në të dy gjykatat, deri në prill të vitit 2013, para se PD të rrëzohej nga pushteti. Të gjithë anëtarët e emëruar nga PD-LSI në Gjykatën e Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, me përjashtim të Ardian Dvorani i shpallur sot armik nga Meta-Berisha dhe Vitore Tushës, janë shkarkuar nga Vetingu ose ia kanë mbathur nga drejtësia para se të përballeshin me Vetingun.

Po si i emëronin PD-LSI gjyqtarët e nivelit të lartë?

Në seancën e 1 prillit 2013, PD emëroi Xhezair Zaganjori në Gjykatën e Lartë, si dhe Besnik Imerajn dhe Gani Dizdarin në Kushtetuese. Në atë kohë, opozitës socialiste as nuk i jepeshin dekret, por futeshin menjëherë në seancë dhe votoheshin. Emrat emëroheshin në mënyrë të njëanshme dhe në bazë preferencash dhe lobimesh brenda partisë në pushtet.

“E para, dekretet s’janë në sallë. E dyta, s’e ke shpallur në rendin e ditës. Pra, në zbatim të Kushtetutës, kur hape seancën dhe lexove rendin e ditës të kësaj seance nuk ishte kjo pikë. Në zbatim të Rregullores së Parlamentit shpërndahet rendi i ditës. Nuk e ke të shënuar. Ti nuk e ke bërë këtë, prandaj je në shkelje të plotë të Rregullores dhe të Kushtetutës”, pohon Gramoz Ruçi, në atë kohë kryetar i grupit të PS në opozitë.

Ndërkaq, Jozefina Topalli, në atë kohë kryetare e Kuvendit, thotë se “Në zbatim të Kushtetutës dekretet e Presidentit hyjnë automatikisht....Urimet më të mira z. Zaganjori me 76 vota pro!”.

Pas Zaganjorit, sot i shkarkuar nga Vetingu, emërohen në të njëjtën mënyrë edhe Imeraj dhe Dizdari. Pro tyre ka votuar edhe Ilir Meta bashkë me deputetët e LSI. Në të njëjtën mënyrë janë emëruar më parë edhe Fatmir Hoxha, Altina Xhoxhaj dhe Bashkim Dedja, të gjithë të shkarkuar nga Vetingu.

Në prill dhe në maji të 2013, PD, në koordinim me Nishanin, emëroi edhe tre anëtarë të Gjykatës së Lartë, Admir Thanzën, Tom Ndrecën dhe Artan Brocin, që të tre të shkarkuar nga Vetingu. Gjatë votimit të tyre, LSI ishte larguar nga koalicioni me PD, por PD arriti të merrte dy deputetë nga PS, Asllan Dogjanin dhe Kastriot Islamin. Nga procesverbali i votimit, Islami dhe Dogjani, rezultojnë vendimtarë jo vetëm në emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, por edhe në krijimin e kuorumit për mbledhjen e Kuvendit. Në seancën për votimin e Artan Brocit, kanë marrë pjesë vetëm 71 deputetë, bashkë me dy deputetët e PS. Me 96 deputetë, Kuvendi nuk mund të mblidhej.

“Zonja kryetare, në votimin e kandidaturës së z. Artan Broci për anëtar të Gjykatës së Lartë, morën pjesë 71 deputetë. Të 71-të votuan pro, asnjë kundër, asnjë Parlamenti jep pëlqimin për emërimin e z. Broci”, thotë Viktor Gumi, në atë kohë deputet i PD. Ndërkaq, në seancën për votimin e Tom Ndrecës, rezulton se ka votuar kundra vetëm Dritan Prifti.

Në seancën e 27 korrikut 2008, PD voton disa anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe KLD. Në këtë seancë, pas votimit, Jozefina Topalli shprehet: “Atëherë, falënderoj anëtarët e Sekretariatit, zotërinjtë Madhi, Dervishi dhe Bumçi për punën e bërë dhe rikonfirmoj edhe një herë se z. Neshat Fana zgjidhet anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në vend të zotit Ilir Panda, të cilit i ka mbaruar mandati. Gjithashtu jepet pëlqimi për emërimin e z. Guxim Zenelaj, anëtar i Gjykatës së Lartë, për emërimin e zonjës Evelina Qirjako, anëtare e Gjykatës së Lartë, për emërimin e z. Andi Çeliku, anëtar i Gjykatës së Lartë, për emërimin e zonjës Majlinda Andrea, anëtare e Gjykatës së Lartë, të z. Aleksandër Muskaj, anëtar i Gjykatës së Lartë”.

Neshat Fana njihej si avokat i Sali Berishës. Majlinda Andrea u dënua për korrupsion. Të tjerët ose janë shkarkuar nga Vetingu ose janë larguar nga drejtësia, për të evituar Vetingun, siç është rasti i Arjana Fullanit, bashkëshortja e Ardian Fullanit.

Si emërohen sot anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese?

Sot politika nuk ka asnjë rol formal apo informal në emërimin e anëtarëve të dy gjykatave më të rëndësishme. Kuvendi sot ka në kompetencë për të emëruar tre nga 9 anëtar të Gjykatës Kushtetuese, por brenda një liste që i vjen nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Për çdo vend vakant, Kuvendi emëron një nga tre kandidatë të listuar nga KED brenda 30 ditëve, në të kundërt kandidati i parë konsiderohet si emëruar.

Ndërkaq, Kuvendi, ose partitë politike që përfaqësohen në Kuvend, janë të përjashtuar tërësisht nga procesi i zgjedhjeve së anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti, në bazë të një liste me kandidatë që i dërgon KED. Vetë KED përbëhet nga magjistratë nga të gjitha nivelet e drejtësisë, të cilët zgjidhen me short. Mandati i tyre është njëvjeçar. Ndërsa procedurat e zgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë të lartë bazohen në disa rregulla strikte. Procesi montohet nga përfaqësues ndërkombëtarë. 

Nëse Besnik Imeraj, Sokol Berberi dhe Vladimir Kristo nuk do të jepnin dorëheqjen, sot Kushtetuesja do të ishte funksionale. Edhe Gjykata e Lartë do ishte funksionale sot nëse Mirela Fana, Andi Çeliku, Aleksandër Muskaj, Evelina Qirjako, Guxim Zenelaj dhe Arjana Fullani nuk do të jepnin dorëheqjen njëri pas tjetrit.

Ja çfarë ka ndodhur me gjyqtarët e emëruar nga PD-LSI në dy gjykatat kryesore në Shqipëri

Bashkim Dedja, Gjykata Kushtetuese, i emëruar në 2010 nga PD-LSI, i shkarkuar nga Vetingu për pasurinë. 
Fatos Lulo, Gjykata Kushtetuese, i emëruar në 2010 nga PD-LSI, i shkarkuar nga Vetingu për pasurinë. 
Besnik Imeraj, Gjykata Kushtetuese, i emëruar nga PD-LSI në 2013. Dha dorëheqjen më 31 janar 2018, duke shmangur vetingun. Mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvëndësohej. 
Fatmir Hoxha, Gjykata Kushtetuese, i emëruar në 2011 nga PD-LSI, i shkarkuar nga Vetingu për pasurinë. 
Altina Xhoxhaj, Gjykata Kushtetuese, e emëruar në 2010 nga PD-LSI, e shkarkuar nga Vetingu për pasurinë. 
Gani Dizdari, Gjykata Kushtetuese, i emëruar në 2013 nga PD-LSI, i shkarkuar nga Vetingu për pasurinë. 
Sokol Berberi, Gjykata Kushtetuese, i emëruar nga PD në 2007. Dha dorëheqjen në 2016. Mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvëndësohej. 
Vladimir Kristo, i emëruar në prill 2007 nga PD, jep dorëheqjen në korrik 2017, pasi përfundon mandatin. Mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvëndësohej. 
Admir Thanza, Gjykata Lartë, i shkarkuar nga Vetingu për shkak të fshehjes së një dënimi në Itali për vjedhje dhe mosjustifikimit të pasurisë. Emëruar nga PD në 2013. 
Tom Ndreca, Gjykata e Lartë, i shkarkuar nga Vetingut, për shkak të mosjustifikimit të pasurisë dhe kontakteve me një person të inkriminuar. Emëruar nga PD në 2013.  
Artan Broci, Gjykata e Lartë, i shkarkuar nga Vetingu për pasurinë. Emëruar nga PD në 2013. 
Majlinda Andrea, Gjykata e Lartë, e dënuar për korrupsion, e emëruar nga PD në 2008. 
Mirela Fana, Gjykata e Lartë, emëruar nga PD në 2009. E dorëhequr në 2017 para Vetingut. Mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvëndësohej. 
Andi Çeliku, Gjykata e Lartë, emëruar nga PD në 2008. I dorëhequr në 2017 para Vetingut. Mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvëndësohej. 
Aleksandër Muskaj, Gjykata e Lartë, emëruar nga PD në 2008. I dorëhequr në 2017 para Vetingut. Mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvëndësohej. 
Evelina Qirjako, Gjykata e Lartë, emëruar nga PD në 2008. E dorëhequr në 2017 para Vetingut. Mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvëndësohej. 
Guxim Zenelaj, Gjykata e Lartë, emëruar nga PD në 2008. I dorëhequr në 2017 para Vetingut. Mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvëndësohej. 
Arjana Fullani, Gjykata e Lartë, emëruar nga PD në 2008. E dorëhequr në 2017 para Vetingut. Mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvëndësohej.

Procesverbalet e miratimit nga PD dhe LSI të tre anëtarëve në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese të vitit 2013