Procesverbali, mungesa e Bregut
merakos Metën: Ishte në avion?

Procesverbali, mungesa e Bregut<br />merakos Metën: Ishte në avion?
PD bojkotoi Konferencën e Kryetarëve në 3 nëntor kur për herë të parë, ministri i Financave do të prezantonte buxhetin e ardhshëm. Largimi i Edi Palokës dhe Edmond Spahos ka krijuar një paqartësi juridike në lidhje me kuorumin, çka ka bërë që mazhoranca të hedhë sytë nga deputetja kritike e Bashës, Majlinda Bregu.

Ilir Meta është interesuar posaçërisht për të, duke thënë se ishte kthyer në atdhe pasi ishin parë në avion, teksa shton se mungesa e saj mund të jetë pas ndonjë orientimi politik. Më tej, për të plotësuar kuorumin, Gramoz Ruçi thërret me urgjencë në telefon Ermonela Felajn.

Debati në Konferencën e Kryetarëve 
Ilir Meta – Konferenca e Kryetarëve mblidhet sot, duke pasur parasysh se në Kuvend është depozituar për shqyrtim dhe miratim projektligji “Për buxhetin e vitit 2017”.

Në mbështetje të nenit 78, pika 3 të Rregullores, projektligji i buxhetit futet automatikisht në programin e punës së Kuvendit. Kuvendi miraton një kalendar të posaçëm shqyrtimi, të cilin e keni përpara dhe për të cilin do ndalemi më vonë. Në mbështetje të nenit 79, pika 2 të Rregullores projektbuxheti paraqitet fillimisht nga Ministri i Financave në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Urdhëroni, zoti Paloka!

Edi Paloka – Përveç çështjes së vonesave të kuorumit, që nuk është, ne po e sajojmë duke u paraqitur sekretari apo nënkryetari i komisionit. Ia kam shprehur edhe dje administratës.

Sigurisht, nuk jeni ju përgjegjës për këtë, por ne sot nuk duhet të ishim këtu për të bërë shoë-n e radhës, jo vetëm ne si Parti Demokratike, por të gjithë ju. Keni bërë vetëm propagandë gjithë ditën dhe na keni thirrur edhe ne për të bërë propagandë dhe shoë-n e radhës, ndërkohë që të gjithë ju duhet të ishit tek ata që janë në hall tani, duke filluar nga ministrat, të parët, edhe ne, sigurisht, dhe jo të bëjmë shfaqje pas shfaqjesh.

E dinë të gjithë që kjo qeveri nuk po qeveris më, por që ne të vazhdojmë të bëhemi pjesë e këtij shoë, nuk ka asnjë arsye. Për më tepër, kuorumin nuk e kemi, zotërinj, kështu që ne po largohemi.

Ilir Meta – Zonja Sekretare e Përgjithshme, si do të vazhdohet?
Albana Shtylla – Ne kemi bërë një debat për organet konsultative, siç është Konferenca e Kryetarëve dhe këshillat. Nuk ka rregull të parashikuar për sa i përket kuorumit dhe ne kemi zbatuar për analogji atë çfarë thotë Rregullorja, të paktën në praktikën parlamentare, që, për sa u përket komisioneve të përhershme apo të posaçme parlamentare, duhet të ketë një kuorum për të zhvilluar mbledhjen. Të them të drejtën, ju takon juve si konferencë për të vendosur nëse do të vazhdoni me tetë anëtarë. Normalisht, duhet të jenë nëntë.

Ilir Meta – Është njoftuar Majlinda Bregu?

Albana Shtylla – Është njoftuar dhe ka konfirmuar. Ndërkohë, tani më thotë se nuk do të jetë prezente.

Ilir Meta – Siç duket, do të ketë marrë orientim. (Ndërhyrje pa mikrofon.) Jo, u kthye mbrëmë, më duket. A nuk ishte mbrëmë në avion? Po Vali kur kthehet?

Albana Shtylla – Nuk e di kur kthehen.

Ilir Meta – Zoti Ruçi, ju si mendoni të procedojmë?

Gramoz Ruçi – Zoti Kryetar, opozita, që sapo u largua, duhet të ishte e prirur që Konferenca e Kryetarëve të ishte zhvilluar, që buxheti, të paktën, të ishte prezantuar e të planifikohej.

Duke shtuar problemin që ka pasur qeveria dhe çdo ekzekutiv me FMN-në, ju me të drejtë e pasqyruat në seancën e parlamentit kërkesën e qeverisë për ndjesë që nuk ka zbatuar ligjin, këto janë artifica që kërkojnë të zvarriten dhe çojnë në zgrip.

Mosmiratimi, moskalimi sot, mosprogramimi sot i çështjes, mosprezantimi nesër në seancën e parlamentit do të thotë të humbasin edhe 7 ditë të tjera nga diskutimi normal në komisione e të tjera.

Për sa i përket artificës të ashtuquajturës “kuorum”, kjo quhet Konferencë e Kryetarëve dhe kryetarë janë kryetarët e grupeve. Kryetari i grupit të PD-së ishte dhe iku, ndaj nuk shikoj asnjë arsye që ne të bllokohemi.

Duhet të kemi parasysh se Konferenca e Kryetarëve është konsultative, sepse, në fund të fundit, është atribut i seancës, kështu që duhet ta dëgjojmë prezantimin e buxhetit, duhet të diskutojmë dhe të miratojmë, me konsensus apo jo ne këtu, është seanca që do të shprehet nesër.

Ne duhet të vazhdojmë në normalitet. Buxheti i shtetit është eventi kryesor i një parlamenti, kështu që ne nuk mund ta çojmë dhe më pas të themi: “Kemi Krishtlindjet, nuk e miratojmë dot buxhetin, nuk kishim kohë” e të tjera.

Ilir Meta – Jam dakord. Duket sikur ka një artificë, por ndoshta mund të na hapë ndonjë diskutim të panevojshëm. Çfarë mendimi keni?

Albana Shtylla – Zoti Ruçi, mbledhja kishte filluar kur zoti Paloka bëri deklarimin. Në momentin e hapjes ishte kuorumi.

Në diskutim, në qoftë se nuk ka një vendimmarrje, mund të bëhet një propozim, i cili do të votohet në seancë. Pra, për efekt të hapjes së mbledhjes dhe të procesverbalit, të dy zotërinjtë ishin prezentë.

(Ndërhyrje pa mikrofon.)

Ilir Meta –
Jo, keni parasysh vetëm anën formale, të tjerat i keni ...

Gramoz Ruçi – Në qoftë se duhet formalisht, ministri, një nga ata që quhet në kuorumin e konferencës, është përfaqësues i qeverisë, apo jo?

Ilir Meta – Normalisht. (Ndërhyrje pa mikrofon.)

Gramoz Ruçi – Është e shprehur për marrëdhënien me parlamentin? Dakord, ta marrim në telefon dhe të vijë urgjent.

Ilir Meta – Ne mund ta bëjmë kështu, më pas ta gjykojmë: ministri mund të bëjë paraqitjen, meqenëse ne kemi filluar dhe ata ishin prezentë. Në qoftë se do të gjykojmë se formalisht duhet të bëjmë një akt, Petriti vjen në drekë, të vijë edhe Ermonela apo Spartaku. Kështu që të vazhdojmë.

Pas prezantimit të buxhetit nga Arben Ahmetaj.
Ilir Meta – Faleminderit, zoti Ministër! Atëherë, kush ka ndonjë pyetje, ndonjë shqetësim apo ndonjë merak ? Zoti Braçe, ke ndonjë merak? Atëherë, jeni dakord me projektkalendarin? Po, urdhëro!

Arben Ahmetaj - Në respekt të punës që do të bëjnë komisionet, në qoftë se do të arrinim, nëse datën 15 dhjetor ta afronim me një javë, do të ishte një ndihmesë e madhe, sigurisht pa stresuar Komisionin e Ekonomisë dhe komisionet e tjera, por në mirëkuptim me ata, për të pasur kohë që ta përgatisim buxhetin pak më shpejt. Unë personalisht do të isha në dispozicion të Komisionit të Ekonomisë dhe të komisioneve të tjera. Gjithsesi, ndjesë që e kërkoj, por ky është meraku që unë kam.

Ilir Meta - Kemi ndonjë reagim për këtë kërkesë të ministrit?

Erion Braçe - Zoti Kryetar, unë kam përpara periudhat që janë caktuar ose që janë konsumuar zakonisht për diskutimet për buxhetin në parlament.

Duke filluar nga viti 2000 e këtej, me përjashtim të vitit 2014 që janë lënë vetëm 14 ditë për shkak të situatës që ka qenë në atë periudhë dhe vitit 2010, që janë lënë 13 ditë, ditët mesatare për diskutimin e buxhetit dhe paketës fiskale, janë 26,1 ditë.

Këtë radhë kemi lënë diku 33-34 ditë për diskutimin e projektbuxhetit, duke pasur parasysh që kemi 28-29 nëntorin brenda, përfshirë të shtunat, të dielat që janë fundjava dhe që po të zbriten, del edhe jashtë mesatares që është diskutuar buxheti nga viti 2000 deri tani, kështu që nuk e di t`ju them se sa kohë duhet.

Mirë Komisioni i Ekonomisë, por problemi është për komisionet e tjera që duan kohën e tyre të angazhimit dhe të dëgjesave, sepse duhet të organizohen edhe dëgjesa me ministrat e linjës e të tjera me radhë, kështu që, për sa kohë s’janë këtu as drejtuesit e tjerë të komisionit, s’jua them dot sot.

Ilir Meta - Një javë para ose një javë mbrapa nuk ka rëndësi, por rëndësi ka procesi. Keni sugjerim tjetër, zonja Felaj? Atëherë, jemi dakord. Nuk kemi konsensus, kështu që do ta miratojmë në seancë plenare.

Dakord? Ju mund të bëni një deklaratë dhe ne mund të bëjmë një sqarim, në qoftë se do të ketë kontestime për procedurën, sepse procedura ka qenë shumë e saktë, aq më tepër me ardhjen e kryetarit të Sigurisë Kombëtare. 



dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)