10 ditë përjashtim kërkohet për deputetin Flamur Noka, pasi në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, përdori fjalë fyese drejt kryetarit Bledi Çuçi. Fyerja e Nokës ndaj Çuçit nuk dëgjohet prej mikrofonit të fikur, por reagimi i Çuçit është i menjëhershëm, ai fillimisht e përjashtoi nga mbledhja dhe pas refuzimit të vazhdueshëm të deputetit të PD-së për të lënë sallën, mbylli mbledhjen para kohe.

Report TV mëson se i është drejtuar me fjalët "Se e dimë ne si jeni ju, keni miratuar ligjin me orientim seksual e kështu, vetë i bëni ligjet dhe vetë i zbatoni. Se ju shohim se ç'bëni ju, ndryshe ditën dhe ndryshe natën", duke iu referuar ligjit të sapomiratuar për barazinë gjinore, që ka shkaktuar debat dhe që demokratët e kanë kundërshtuar.  Më pas, Çuçi i kërkon që të largohet nga salla. 

"Zoti Noka mos e tepro tani. Ju paralajmëroj do t'iu përjashtoj nga Komisioni. Boll tani...Kë shef, kë shef…Ndërpritet mbledhja", theksoi ai. 

I gjithë debati u zhvillua gjatë kohës që kryepolici Ilir Proda po prezantonte projektbuxhetin për vitin 2026, Me herët Proda u përfshi vetë në debate deputetët e opozitës. Ai u pyet për atentatin e ndodhur më 11 nëntor pranë Aeroportit të Rinasit, ku u vranë Gilmando Dani ( krahu i djathtë i Emiljano Shullazit) dhe Muçi Shaljani, agjent i Mbikëqyrjes Policore. Proda theksoi se "çështja është në hetim dhe nuk kam çfarë them se sa kaq deri tani.”

Ai u pyet edhe për Ilir Metën, arrestimi i të cilit tetorin e kaluar, shkaktoi debat publik për mënyrën se si u mor në polici. Proda thotë se policia nuk ka shkelur ligjin dhe se nuk kishte përdorim force ndaj tij.

“Për arrestimin e Metës nuk kishte përdorim force. I takon individit të sillej njëlloj si në detyrën që ka mbajtur.”, tha Proda.

Kryepolici foli edhe për sigurinë në gjykata, teksa tha se kanë ngritur një grup pune për të përcaktuar se si do të ndryshojë përgjegjësia e ruajtjes së godinave të institucioneve të drejtësisë. 

“Në lidhje me sigurinë në gjykata, ne kemi analizuar rolin tonë, por prej reformës, institucionet e drejtësisë, përveç SPAK, e ruajnë vetë. Policia e Shtetit ruan godinën deri në 16:00, më pas Illyrian Guard, ndërsa brenda e ka vetë gjykata. Është ngritur një grup pune, besoj do ndryshojë, të shohim se kujt do t’i jepet si përgjegjësi, Policisë së Shtetit, apo Burgjeve. Nëse na kalon neve, do të marrim të gjitha masat që duhet, dhe është parashikuar. Siguria në shkolla është në fokus të veçantë, me plan bashkë me Ministrinë e Arsimit. Shkollat shpesh tregohen jo bashkëpunuese, se nuk duan t’u prishet imazhi.”, theksoi ai.

Iu përgjigj edhe deputetit demokrat Flamur Noka për dorëheqjen nga Policia e Shtetit të Ritvan Palit pasi u spekulua se ai u largua për shkak se u transferua në Kukës. 

"9 raste të referuara për grupe kriminale në SPAK, 50% më shumë se më parë. Me DEA-n kemi bashkëpunim të ngushtë, kanë zyrën e tyre në Tiranë. Mund të ankohen njerëzit edhe te DEA, edhe te opozita. Për rastin e Ritvan Palit, të shkosh në Kukës nuk është persekutim, nëse ju e mendoni kështu, është problemi juaj dhe jo i imi. Ka ikur nga detyra me dorëheqje, pyeteni vetë se përse ka ikur.", tha ai. 

Proda i cilësoi si të turpshme tentativat për të përbaltur punën e policisë.

"Përgjegjësia penale është personale, kush ka rezultuar i përfshirë nuk do të thotë se bëjnë pis organizatën që i ka dhënë 227 dëshmorë Shqipërisë", u shpreh ai. 

Proda theksoi se kanë bërë 9 ekstradime nga Emiratet e Bashkuara Arabe, teksa e cilësoi si një sukses.  Më herët në komision ishin kreu i AMP-së, Eduart Merkaj, i cili tha se pas atentatit të Rinasit ku u vra edhe një punonjës, Muçi Shaljani, të gjithë punonjësit po kalojnë në verifikimin e figurës së tyre dhe procedurat e rekrutimit. Ndërkohë, kreu i Burgjeve Klevis Qose tha se vitin e ardhshëm parashikohen të realizojë seanca gjyqësore me videocall nga burgu për të personat me rrezikshmëri të lartë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:52
Debat te 'Çështjet e Brendshme'/ Noka e ofendon, Çuçi kërkon përjashtimin e tij me 10 ditë: Do marrim masa! Mbyllet mbledhja 

 

Debat në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ku ishte i pranishëm kryepolici Ilir Proda për projektbuxhetin e vitit 2026. Kryetari i Komisionit, Bledi Çuçi ndërpreu mbledhjen pas një incidenti me deputetin demokrat Flamur Noka, i cili foli pa mikrofon dhe e ofendoi Çuçin. 

Në video nuk duhet se çfarë i thotë Noka, por Report TV mëson se i është drejtuar me fjalët "Se e dimë ne si jeni ju, keni miratuar ligjin me orientim seksual e kështu, vetë i bëni ligjet dhe vetë i zbatoni. Se ju shohim se ç'bëni ju, ndryshe ditën dhe ndryshe natën", duke iu referuar ligjit të sapomiratuar për barazinë gjinore, që ka shkaktuar debat dhe që demokratët e kanë kundërshtuar. 

Më pas, Çuçi i kërkon që të largohet nga salla. 

"Zoti Noka mos e tepro tani. Ju paralajmëroj do t'iu përjashtoj nga Komisioni. Boll tani...Kë shef, kë shef…Ndërpritet mbledhja", theksoi ai. 

Pas rifillimit të mbledhjes, Çuçi lexoi rregulloren duke deklaruar përjashtimin e Nokës me 10 ditë nga komisionet parlamentare. 

"Sapo mora masën për zotin Noka për përjashtimin nga mbledhja e komisionti. në rast se deputeti nuk pranon të dalë nga salla, drejtuesi i kërkon sekretariatit për procedurën marjen e masave për përjashtim nga pjesëmarrja e komisioneve 10, 30 dhe 60 ditë. Unë do t'i kërkoj përjashtimin me 10 ditë. Ju lutem dilni.", thotë kryetari Çuçi.