Deputeti dhe Sekretari i Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, komunikoi sot publikisht konkluzionet e hetimit të Institucionit të Avokatit të Popullit në lidhje me trajtimin kriminal të ish-presidentit Ilir Meta, në burgun 313.
Në deklaratën e tij, Blushi thotë se raporti konfirmon shkeljen flagrante të Konventës Europiane për Drejtave të Njeriut, të Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi, sa i përket mënyrës të trajtimit të Metës në IEPV-në "Jordan Misja", ku ai ndodhet i burgosur prej më shumë se një viti.
Deklarata e plotë e Tedi Blushit:
Një tjetër ky akt zyrtar shumë i rëndë që trondit themelet e Shtetit të së Dejtës dhe ekspozon në dritë të diellit fytyrën kriminale të shtetit represiv të Edi Ramës dhe keqpërdorimit prej tij të Institucioneve të Drejtësisë dhe vuajtjes së dënimit, thjesht dhe vetëm në funksion të ndërtimit të një regjimi arbitrar, represiv dhe policor.
Konkretisht, pas hetimit administrativ të kryer nga Av. i Popullit, në lidhje me ankesën që unë, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, kam bërë ndaj këtij institucioni, në lidhje me trajtimin e Z. Meta në IEPV "Jordan Misja ", Av. i Popullit ka konstatuar se kufizimi i takimeve të Z. Meta në vetëm katër takime në muaj, pa marrë parasysh rrethanat individuale, statusin e tij shoqëror dhe politik përbën kufizim të tepruar të së drejtës për jetë familjare dhe të së drejtës për tu organizuar politikisht.
Avokati i Popullit, ka konstatuar se ndalimi i vizitave për takim me Z. Meta, të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Eurodeputetëve, duke kërkuar gjoja një miratim paraprak formal nga prokurori, është në kundërshtim me ligjin dhe me standardet ndërkombëtare, përfshi dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Avokati i Popullit, ka konstatuar se kufizimi i telefonatave të Z. Meta me drejtuesit e partisë, nuk është kryer sipas kritereve të parashikuara në ligj dhe gjithashtu është konstatuar se pengesat e vendosura ndaj Z. Meta për komunikimin e tij me median, janë një shkelje flagrante e ligjit, e Kushtetutës dhe e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, të gjitha konstatime të denoncuara dhe që i japin të drejtë gjithë shqetësimeve të bëra publike nga Partia e Lirisë dhe nga vetë Z. Meta, sa i përket mënyrës çnjerëzore të trajtimit të tij në burgun politik të Edi Ramës.
Konkretisht po ndalem në të katërta çështjet.
Së pari, në konkluzionet e Av. të Popullit lidhur me ankesën, që unë si Sekretar i Përgjithshëm kam bërë pranë këtij institucioni, sa i përket moslejimit të vizitave të lejuara për takim me Z. Meta, Av. i Popullit konstaton se, lexoj raportin:
Legjislacioni ka parashikuar një minimum të garantuar takimesh mujore me familjarë ose me persona të ndryshëm nga anëtarët e familjes, por ky minimum takimesh, thuhet në raportin e Av. të Popullit, nuk duhet të kthehet në një standard të ngurtë dhe të zbatueshëm për IEPV-në dhe ç'është më e rëndë akoma, Av. i Popullit, konstaton se refuzimi dhe moszbatimi i të drejtës së Z. Meta për të zhvilluar më shumë se katër takime në muaj, thuhet në raportin e Av. të Popullit, nuk gjen mbështetje në ligj.
Gjithashtu, dua të saktësoj, referuar gjithmonë konstatimeve shumë tronditëse të Av. të Popullit, se si rregull, thuhet pra në këtë raport, të paraburgosurit duhet të kenë një regjim më të lirë dhe më të gjerë për gëzimin e të drejtave edhe për shkak të aplikimit të parimit të prezumimit të pafajësisë.
Gjithashtu, ky interpretim, pra interpretimi se nuk lejohen më shumë se katër takime në muaj, thuhet shprehimisht në raportin e Av. të Popullit, është qartazi alogjik dhe i kundërt me vet ligjin dhe i kundërt me standardet ndërkombëtare.
Av. i Popullit, për këtë çështje, sjell në vëmendje dhe rrjedhimisht citon nenin 46, pika 1, ku parashikohet se kushdo ka të drejtë të organizohet kolektivisht për çfarëdo lloj qëllimi të ligjshëm, i sjellë në këtë raport pikërisht si një nga nenet e Kushtetutës të shkelur në mënyrë arbitrare nga IEPV " Jordan Misja" Dhe po ashtu sjell në vëmendje nenin 11 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që parashikon se çdo kush ka të drejtën e tubimit paqësor si dhe të drejtën themelimit me të tjerë të Sindikatave dhe pjesëmarrjes në to për mbrojtjen e interesave të tij.
Ndaj, konkluzion në raportin e Av. të Popullit, kufizimi i takimeve të Presidentit të Partisë së Lirisë me Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj force politike, gjoja mbështetur në legjislacion, në fakt përbën, e cilëson vet raporti i Avokatit të Popullit, kufizim të pajustifikuar në ligj të ushtrimit të së drejtës së tij politike të organizimit.
Në lidhje me çështjen e dytë, sa ju përket vizitave pa autorizim të gjithë atyre të cilët duan dhe kanë shprehur interes të takohen me Z. Meta në ambientet e paraburgimit te IEPV "Jordan Misja", veçanërisht të deputetëve dhe eurodeputetëve, që siç e kemi denoncuar, nuk kanë të drejtë të kërkojnë autorizim paraprak nga prokurori, por sikundër konstaton edhe Av. i Popullit, referuar gjithmonë ligjit, Kushtetutës dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, kjo është një e drejtë që deputetëve veçanërisht, por edhe Eurodeputetëve nuk duhet tu mohohet.
Av. i Popullit konstaton se neni 5 i ligjit për të drejtat e të paraburgosurve, parashikon se disa zyrtarë dhe persona që mund ti shoqërojnë ata, të listuar sipas pikës 1 dhe 2 të këtij neni, mund të vizitojnë në IEPV pa autorizimin e prokurorit dhe sipas nenit 45 të po këtij ligji, IEPV duhet tu mundësojë deputetëve dhe eurodeputetëve takime konfidenciale me të burgosurit.
Avokati i Popullit, konstaton se deputetët, pra të përfshirë shprehimisht në nenin 51 të ligjit për të drejtat e të paraburgosurve, mund të marrin takim me të paraburgosurit pa autorizim me shkrim të prokurorit.
Avokati i Popullit, përcakton se ky detyrim buron rrjedhimisht nga neni 3 dhe 8 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut nga protokolli opsional i Konventës kundër torturës dhe trajtimit ose dënimit të egër çnjerëzor ose poshtërues si dhe nga rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente












