Prodani:Votuan 16 pseudo-delegatë
Asambleja e FSHF-së të ankimohet

Prodani:Votuan 16 pseudo-delegatë<br />Asambleja e FSHF-së të ankimohet<br>
Zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Futbollit kanë përfunduar për Armand Dukën, por beteja ligjore duket se do të vazhdojë. Këtë e thotë edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i institucionit të Futbollit, Eduard Prodani, i cili në një intervistë ekskluzive për “Shqiptarja.com”, tregon pse fitoi Duka dhe hapat e mëtejshëm për të shpallur të pavlefshëm Asamblenë Zgjedhore. 

Zgjedhjet e FSHF-së përfunduan. Çmendim keni për rezultatin? Fitoi Duka apo humbi Fino?
Zgjedhjet në FSHF përfunduan formalisht, por janë të tëra rrethanat që perdja që ra në datën 7 shkurt të jetë vetëm akti i parë i një shfaqje më të madhe. E them këtë sepse me vullnetin e duhur, palët konkurruese mund të ankimojnë rezultatin dhe aspekte të tjera të zhvillimit të asaj Asambleje jo vetëm pranë organeve të drejtësisë në Shqipëri, por edhe në ato të drejtësisë sportive ndërkombëtare. Ajo Asamble u organizua dhe zhvilloi punimet në kundërshtim jo vetëm me dispozitat të legjislacionit të Shqipërisë, por edhe në dhunim të parimeve të rëndësishme mbi të cilat rregullohet dhe funksionon sot futbolli botëror. Jam i sigurtë që padi të mundshme në lidhje me to mund të sjellin zhvillime interesante në këtë çështje. Nga ana tjetër, rezultati formal me 14 vota në favor të presidentit në detyrë tregoi thjesht që ai nuk pati shumicë në atë Asamble. Pa i hyrë fare çështjes shumë të diskutuar të ligjshmërisë së shoqatave rajonale, në atë Asamble votuan të paktën 16 pseudo-delegatë të përzgjedhur nga administrata e FSHF-së, vota e të cilëve ishte natyrisht e komanduar dhe sigurisht në përputhje me interesat e tyre të vogla ekonomike. Unë them se këto zgjedhje nuk patën fitues. Aq më pak fitoi futbolli, siç “bërtasin” në mediat sociale ca të “indoktrinuar”, të dëshpëruar për t’u vënë re nga “establishmenti”. Në fakt, këto zgjedhje shërbyen për të nxjerrë në dritë dhe vërtetuar dyshimet se situata në futbollin shqiptar është seriozisht e kompromentuar. Dhe, si në raste të ngjashme në futbollin botëror, këto zgjedhje mund të shërbejnë për të katalizuar procese që shpesh kanë përfunduar në revolucione të mirëfillta dhe fillime të reja. Të presim dhe të shohim në do të jetë i tillë rasti i Shqipërisë.

VIDEO/ Intervista e plotë e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të institucionit të Futbollit, Eduard Prodanit për Report Tv

UEFA dhe FIFA u shprehën se zgjedhjet ishin të rregullta. Fjala e zotit Surkis dukej sikur përmbante  nota të forta mbështetje për zotin Duka. Ç’mendoni për këto?
UEFA dhe FIFA ndoshta kanë verifikuar që faza përmbyllese e procesit të zgjedhjeve ishte e lirë dhe pa probleme. Me fjalë të tjera, ata kanë parë që s’pati ndërhyrje të jashtme, dhunë fizike, apo zhvillime të ngjashme që cënojnë integritetin e votimit në sallë. Dhe kështu ishte vërtet, sepse zoti Fino dhe konkurruesit e tjerë e lanë veten të dhunohen, tek pranuan raportin fals të verifikimit të Asamblesë, që zyrtarizoi një mbledhje me shumë delegatë ilegjitimë. Sigurisht, ata e bënë këtë duke mos dashur që në asnjë rast të cënohet imazhi dhe reputacioni i FSHF-së dhe futbollit shqiptar në botë. Por, për paditë që mund të ngrihen në vijim, do të duhet te shprehen jo vëzhguesit që dërgon administrata e FIFA-s dhe UEFA-s, por organet e pavarura të drejtësisë brenda dhe jashtë këtyre institucioneve. Fjalën e zotit Surkis, sado e çuditshme që të jetë dukur, i takon ta vlerësojë UEFA, në emër të së cilës ajo u mbajt. Sido që të ishte, përmbajtja e saj nuk ka patur ndonjë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve, sepse në të mund të kishte ndikim “vetëm Zoti”, siç është bërë zakon të thuhet së fundmi. Unë mund të komentoj vetëm që, në qoftë se fjala e zotit Surkis ka tingëlluar ndopak e njëanshme, kjo ndoshta ka ardhur për shkak se ndoshta është ende nën efektin e mirënjohjes për votën që zoti Duka mund t’i ketë dhënë për zgjedhjen e tij në postin me të cilin erdhi në Tiranë. S’kemi ç’të bëjmë. Kështu funksionon aktualisht sistemi. Po nuk duhet harruar që UEFA dhe FIFA janë institucione në tranzicion. Në to sot zhvillohen debate të forta të brendshme për çka ka ndodhur në të kaluarën dhe për atë si këto organizma do të formësohen dhe performojnë në të ardhmen e afërt.
 
Megjithë çka thoni më sipër, mendoni se zoti Fino gaboi diku në fushatën e tij? A mund të arrinte ai rezultat tjetër?

Zoti Fino gaboi tek e konsideroi fushaten për kreun e FSHF si një luftë programesh. Ai e pa veten si një kandidat alternativ ndaj një drejtuesi në pushtet, të cilit lehtësisht mund t’i ngarkohen përgjegjësi për shumë nga defektet e funksionimit të FSHF-së dhe problemet që kalon futbolli sot. Kështu, fitorja shikohej logjikisht e lehtë. Në të vërtetë, nuk ishte kështu. Për kreun e FSHF-së sot nuk përplasen programet, por tarafet. Nuk konkurrojnë idetë, por përfitimet materiale të votuesve. Nuk votojnë klubet anëtare, por individë, interesat e të cilëve shpesh s’kanë të bëjnë fare me ato klube. Zoti Fino nuk e dinte se po hynte në një garë, ku kundërshtari kishte, edhe gurin edhe arrën. Ai nuk e merrte me mend se lista e votuesve do t’i jepej vetëm pasi asaj t’i ishte dhënë dora e fundit nga kundërshtari dhe se “ligji i zgjedhjeve” do t’i fshihej po të mos shkonte dhe ta kërkonte me insistim. Zoti Fino u çudit pa masë kur kuptoi se statuti dhe rregulloret e FSHF-së janë një kurth për ata që guxojnë të kandidojnë për të sfiduar kreun ekzistues. Se në FSHF  s’ke kujt t’i drejtohesh kur sheh se po të vjedhin, se atje të rrahin dhe s’të lënë të qash. Zoti Fino në fakt mundi të zhvillonte një përpjekje vetëm 20-25 ditore, me pak mbështetës në dispozicion, ndërkohë që kundërshtari kishte një vit që përgatitej me tërë strukturat dhe “superstrukturat” e sistemit të FSHF-së. Pjesën më të madhe të atyre pak ditëve, zoti Fino u detyrua ta kalojë duke u endur në labirinthet pa fund të sistemit të ngritur nga kundërshtari i tij se sa me punë për të bindur votuesit. Së fundi, zoti Fino nuk mund ta imagjinonte se pas gjithë asaj periudhe në politikë dhe poste publike e shtetërore të nivelit më të lartë, të kishte vështirësi aksesi në pjesën më të madhe të mediave, që ishin dukshëm në shërbim të kundërshtarit të tij. Në ato rethana, Fino arriti një rezultat shumë të mirë.

Zoti Prodani! Ju kandiduat vetë për Komitetin Ekzekutiv dhe morët shumë pak vota për të fituar një vend në të. Si e shpjegoni?
Kandidimi im ishte më shumë një gjest se sa shprehje e interesit për t’u kthyer në organet drejtuese të FSHF-së. Megjithatë, unë mund të fitoja vetëm në rastin kur kontigjenti që do të mbështeste zotin Fino, do të votonte i plotë për mua. Unë nuk zhvillova fushatë individuale kokë më kokë, siç veprohet në këto lloj zgjedhjesh. Isha vërtet shumë prezent në televizione dhe në shtyp, por dihet,  këto kanë pak, për të mos thënë aspak influencë ndër delegatët-ushtarë të Asamblesë. Arrita të marr vetëm 15 vota, nga të cilat disa ishin pa dyshim nga pala kundërshtare e zotit Fino. Konkluzioni është se grupi votues i zotit Fino nuk më ka votuar aspak siç pritej. U pa qartë se nga ky grup kishin marrë masivisht vota për në Komitet njerëz shumë të afërt të zotit Duka. 
Kjo provon edhe njëherë çfarë shpreha më sipër që zoti Fino nuk pati kohë dhe mundësi të organizohet si kundërshtari i tij. Por rezultati im nuk ka rëndësi dhe nuk më ka mërzitur. Kjo sepse unë arrita qëllimin që të përcjell një pjesë të mirë të mesazheve që deshiroja të bëheshin të ditura. Ato janë fara të hedhura që një ditë do të mbijnë.

Ç’do të bëni në vijim? A do të vijoni të jeni pranë futbollit? 
Në shumë vite punë dhe përpjekjesh në futboll, kam përpunuar ide dhe vizione që mendoj se mund të shërbejnë mirë për debatet e rëndësishme në futboll.  Si dhe në rastin e zotit Fino, në të ardhmen, nuk do të mungoj të ndihmoj çdo alternativë që do e vlerësoj si pozitive për futbollin shqiptar. Po ashtu, për sa kohë të ketë media të hapura dhe të interesuara për zhvillimin e futbollit, unë do të jem prezent me idetë dhe mendimet e mia. Them se futbolli ynë ka nevojë për sa më shumë njerëz dhe sa më shumë kontribute. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Policia e Shtetit bën bilancin e muajit Shtator: 82 operacione antikrim dhe 527 të arrestuar, mbi 10 mijë bimë kanabisi të asgjësuara! U arrestuan dhe 148 shoferë

Policia e Shtetit bën bilancin e muajit Shtator: 82 operacione antikrim dhe 527 të arrestuar, mbi 10 mijë bimë kanabisi të asgjësuara! U arrestuan dhe 148 shoferë