Një operacion i mirëorganizuar i Antidrogës së Durrësit, çoi në zbulimin dhe goditjen e një baze të rrezikshme të prodhimit të drogës sintetike, e kamufluar në formë karamelesh dhe e shpërndarë pranë shkollave të mesme, që synonte adoleshentët. Nga hetimi, laboratori i përpunimit u zbulua në Tiranë, pavarësisht se aktiviteti i paligjshëm tregtar kryhej në Durrës.
Në pranga kanë rënë dy vëllezër, Ledio dhe Rubin Lemeti, 20 dhe 25 vjeç, nga Kavaja, por me banim në Tiranë, ndërsa u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre 20-vjeçar. Sipas policisë që ka kryer hetimet paraprake, të rinjtë kishin ngritur një aktivitet të avancuar për prodhimin, transportimin dhe shitjen e drogës sintetike, duke pasur target kryesor kryesisht adoleshentët, por jo vetëm.
Lënda narkotike përpunohej në formë xhelatine dhe merrte pamjen e karameleve, një mënyrë kjo sa e sofistikuar aq edhe e rrezikshme për të shmangur dyshimet nga autoritetet dhe për të joshur moshat e reja. Gjatë operacionit, pranë zonës së shkollave, policia u gjeti dhe sekuestroi 50 paketime me drogë sintetike si karamele me peshë totale 650 gramë.
Ndërkohë, në banesën e të arrestuarve në Tiranë ku u zbulua laboratori i mirëfilltë, u gjetën sasi të tjera xhelatine në formë karameleje, lëndë narkotike kanabis, 550 gramë material sintetik i gatshëm për prodhim, peshore elektronike, kallëpe plastike dhe përbërës të ndryshëm për përpunimin e drogës.
Hetuesit e Antidrogës së Durrësit, dyshojnë se rrjeti është më i gjerë dhe në mesin e grupit ka edhe persona të tjerë të përfshirë si bashkëpunëtorë, të cilët po hetohen nga policia.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente







