Prof. Artan pak – Toccata, hiç- Fuga

Prof. Artan pak – Toccata, hiç- Fuga

Akademiku Artan Fuga

 “Toccata e Fuga” , është formë muzikore e viteve 1500. Toccata i shërbente muzikantit si pjesë hyrëse-“shkrythje” dhe për të tërhequr vëmendjen e publikut për atë që vinte më pas -“Fuga”, që ishte pjesa kryesore,më komplekse dhe e përqendruar.

Për të hyre në temë, unë u cudita nga një opinion i Prof.Fuges(“Virusi logjik i tautologjisë”,gazeta Panorama), rreth tematikës së këtyre diteve, ku telendiste përqasjen optimiste ndaj situatës që po jetojmë, për shkak të koronavirus.

Profesori na avitej pranë karantinave tona dhe na flladiste me atë që kishin nevojë buzët tona të plasura, pesimizmin e freskët.

Ja si e fillonte Profi: “Kur ra tërmeti, kishte ca që bënin profetin dhe thoshin : keni për të parë nuk do të bjerë më! E kishin mirë! Edhe e mbyllnin me notë pozitive dhe hiqeshin si optimistë, edhe dukej sikur dinin diçka.

Sikur ëngjëlli Gabriel u kishte ardhur te veshi, kishte gjetur njeriun e shenjtë, të pastër si fëmija, pa mëkate dhe ja kishte dhënë lajmin e mirë.

Qesharake! Dhe llogaritë i kishin bërë mirë kodoshat – në kuptimin pozitiv të fjalës, sepse, nëse tërmeti nuk binte, atyre u dilte fjala, nëse tërmeti binte përsëri i fortë, na çonte në dreq të gjithëve dhe atyre nuk kishte më kush t’u thoshte: More kodosha – në kuptimin e mirë të fjalës, ju na thatë se nuk do të binte më!”

Unë u cudita qamet! More Prof, po cili paska qenë ai kodosh-në të gjitha kuptimet e fjalës, që paska thënë se nuk do binte më tërmeti?! Për besë, nuk më vjen në mendje, askush që ta ketë thënë këtë në publik.

As dëgjuar nga unë vetë, e as treguar nga ndonjë mik a shok. Se thagma të tilla shpërndahen me gëzim. Pa le pastaj, që ky kodosh të ishte edhe i kategorisë që vlente të merrte hapësire në memorjen tuaj, për të ndejtur krahë për krahë me filozofët e korifejtë me të cilat koka juaj është plot me siguri.

Se ndonjë idiot në ndonjë cep rrjeti social edhe mbase ka thënë që nuk do binte më tërmet, po ju betohem që më duket e papranueshme që një filozof dhe akademik si ju e paska lexuar dhe i paska kushtuar kohë nga e vetja e cmuar, për rregjistrim/reagim.

Në vend që, përshembull, të na dergonte një fllad nga idetë brilante të ndonjë të mencuri, nga ata që të mësojnë si të mbijetosh duke mundur stresin.

Pra,c’është kjo hyrje e sforcuar me dikë që paska thënë dicka dikur për termetin?! Eh, Prof, kur nuk ke gjë për të thënë,më mirë hesht, ti i di mirë këto shprehjet…

Se nuk e lë me kaq, thjesht për “tocata”, por e zgjeron më tutje dhe thua prap: “Luanin me qarrin duke bërë shkencëtarin.

Poker!” Po pokeri c’lidhje ka o Prof?! “Bingo” edhe mbase, ngase është lojë qarri dhe lojë televizive, që e njohin gjithë pensionistët. Dhe ti me siguri për ata e ke kompozuar opinionin, se ata janë më të rrezikuarit e temës tënde, koronavirusit. Pokeri, nuk është lojë qarri o Prof.

Është dicka që kërkon mendje, llogaritje, intuite, ndjesi, analizë, madje edhe filozofi. Një nga ato shprehjet e tjera, qe i di edhe ti, e që vlen për rastin, është “inkopetenti që nuk ka asgjë për të thënë, bëhet qësharak nëse thotë asgjënë e tij.” Duke këmbëngulur në premisën e ekzistencës së kodoshit, Profi,që duket mjaft i vendosur të “na ngrejë” moralin e karantinës, vazhdon: “Dhe tani thonë : Koronavirusi do të mundet patjetër! Si tërmeti! Po u mund – do të thonë: E e patë? Vetë Marie Magdalena kishte folur me mua dhe më erdhi dhe ma dha lajmin e mirë! Mua, të pastrit, mua të mirit, mua shpirtdlirit, mua që kurrë nuk kam bërë mëkate, mua të dashurit me shokët dhe … me shoqet, mua zemërbardhit, mua që nuk kujtoj fare se ju jeni budallenj!

Pa studime, pa prova, pa shkencë, deklarojnë, deklarojnë, deklarojnë: Virusi do të mundet! Po nuk u mund dhe larg qoftë na zhduk, e kush do t’u thotë: Pa hajdeni ju kodosha këtu – pse na gënyet? Kush do t’ua thotë ? Macja e lagjes, qentë e rrugës, cakejtë e malit, arinjtë e murmë, kush?” Aha! Kjo pra ishte “Fuga” pas “Toccata”. Profesori po kërkon që askush të mos na bëjë të shpresojmë se ndoshta, edhe këtë herë, sic gjatë gjithë historisë së tij mbi tokë, njerëzimi do triumfojë mbi fatkeqesinë. Profesor, që njerëzimi do triumfojë edhe mbi koronavirusin, pavarësisht humbjeve të kësaj lufte, për këtë nuk ka nevojë të jesh as shkencëtar, as filozof, as profesor. Kjo është aksiomë, nuk ka nevojë për vërtetim.

Po, njerëzimi do triumfojë! Koronavirusi nuk do sjellë fundin e botës sonë. Ai do na shkaktojë plagë, të rënda madje. Ai do na japë mësime, të paguara shtrenjtë madje.

Po jeta do triumfojë përmes dhimbjesh, edhe përmes përgjakjesh po të duash. Por, do triumfojë! Por profesori nuk dashka që kjo të përmendet fare. Profesori dashka vetëm që të shtrihemi e t’ja marrim vajit me oi! Oi se nuk e njohim koronavirusin!

Në vend të na japësh dy-tre ide, nga ato që supozohet të kesh lexuar apo të kesh filozofuar, që tregojnë sesi njeriu ja ka dalë mbanë kundër forcave të natyrës me mendjen dhe zemrën e tij.

Mund të shkosh edhe më tutje, e të tregosh se si janë ca ligje të natyrës e të demokracisë që janë shkelur e që ndaj ndoshta po përpelitemi mes paqartësisë për të nesërmen dhe humbjeve të sotme. Këtu duhet të ishte lëmi yt! Për këtë të ka paguar ky popull e këto ekrane gjithë këto vite.

Por ti, jo! Ti mendon ndryshe. Ti mendon se mund të pertypësh fjalë e mendime sporadike nëpër gojë njësoj si berberi i lagjes e pastaj të na i vërvitësh për ripërtypje. Në këtë pikë,nuk mund të mos mendoj: “moj e mjera Shqipëri, kë paske mbajtur në krye të elitës, në krye të akademisë së shkencëtarëve!”

O lumëmadhja Shqipëri, po mirë që me ndonjë ide shkencore tipat si ky nuk të hynë ndonjë herë në punë, po as me një fjalë të mirë e të mencur kur je tkurur nga lëngata nuk të gjenden?! More mos u ka hyrë koronavirusi në tru këtyre, apo kështu kanë qenë që të vegjël e nuk e paskemi ditur?! Prof, jeni bërë për të ardhur keq! Nuk di nga ta kap e nga ta zë të të dëftoj sa qesharake janë këto që thoni. Po një gjë më vjen kollaj në mendje të ta them: paske qene ti doktor Adhamudhi.

Për besë je fiks! Gjithëpërfshirja juaj në çdo lëm e cështje është në rregull me të qenurit filozof, se filozofi është erudit në shumë fusha. Po ama, nëse je filozof, jo nëse punon si filozof. Se, a ma thua dot Prof, cila shkollë apo doktrinë e mbështet këtë tezën tënde? Doktrina e “Qametit”? Prof tregohu i sinqertë.

Thuaj që ke vendosur të bëhesh gazetar. Dhe këtu jam ok, do jesh gazetar mediokër, po punë e madhe. Këtu ka plot e nuk vihesh re.

Po ama do jesh i kuptueshëm. Se kështu, pak filozof në tentativë i përzier me aspirant i fshehur për gazetar, del një sharlatan në profesion të lirë qe herë mbulon plehraxhinjtë (në konotacionin pozitiv të profesionit me pak nuancë nostalgjie fëmijërie), herë mbulon ekonominë, me një penelatë nga poshtë-lart të punëve të taksave, cikesh pak me sportin, prekesh me marketingun, futesh me kokë te “nderzimi artificial i lopëve” e nxjerr përfundimin te shkak/pasojat e koronavirus. Ja dhe ku thua : “Të ishte Emanuel Kanti t’i dëgjonte këto tautologjira do ja jepte vetes me revole: bam! Por, kjo nuk i pengon të hiqen si profetë ! Virusi do të largohet, do t’a mundim…Cfarë fatkeqësie!

A thua se e bëjnë të na japin optimizëm. Se na dinë spurdhjakë! Frikën e tyre na e japin ne!” Po jo o Prof,jo, cilit mund ti shkojë në mendje që ju të jeni spurdhjak?! Ju jeni goxha profesor…ju dini edhe si do sillej Kant në një situatë të caktuar… Unë psh mendoj, se Kant do ja jepte vetes me revole,kur të shihte në ç’kokë ka përfunduar filozofia kohët e sotme. Prof, bëhuni optimist! Mbahuni! Mos u dukni më në publik dhe jeni në rregull. Se punën si filozof do e keni edhe pas koronavirusit. Por filozofin vet…aha, nuk ka gjasa. Po as ky nuk është qameti.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Xhuxhi: 31/03/2020 09:00

    Servera te lodhur,qeveri e lodhur,popull i mbaruar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, ndërron jetë 65- vjeçari

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, ndërron jetë 65- vjeçari