Pavarësisht se janë ndër shtyllat kryesore të ekonomisë, profesionistët e lirë përballen me sfida të shumta, nga konkurrenca e pandershme, ndryshimet e shpeshta në ligje por edhe burokracitë institucionale.

Aleanca e Profesionistëve të Lirë, mblodhi në një takim dhjetëra profesionistë të fushave të ndryshme të ekonomisë, të cilët ndanë një sërë shqetësimesh.

“Duke nisur që nga konkurrenca e pandershme që i bëhet profesionistëve të lirë në treg, janë probleme që hasen gjithmonë. Formalisht u hoq taksa e tatimit mbi të ardhurat për profesionistët deri në atë pragun e 14 milionë lekë, por tregu është totalisht i çrregulluar. Marrin shembull kontabilistët mund të jenë me dhjetëra me qindra raste që pasqyra financiare firmosen nga njerëz anonim ose formalisht”, tha kontabilisti Artur Papajani.

Mungesa e sigurisë juridike, është problemi tjetër me të cilën profesionistët thonë se përballen vazhdimisht.

“Ne duhet të jemi ata që bëjmë presionin që ligji të mos ndryshohet, gjashtë apo shtatë herë siç ishte paketa fiskale, por ndoshta edhe më shumë ndryshime”, tha një tjetër profesioniste e lirë, me profesion përkthyese.

Mungesa e një mbrojtje ligjore ndaj profesionistëve duket edhe në konfliktin që sot avokatët kanë me GJKKO-në e shkallës së parë, nisur nga një rregullore censuruese që po implementohet prej 1shtatorit.

“Avokatët sot pranë Gjykatës së Posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit kanë një bojkot të përgjithshëm përsa i përket gjykimeve mbi masa të sigurisë dhe gjykimeve të themelit. Jo sepse avokatët janë kanë kapriço. Jo sepse avokatët nuk duan që të përfaqësojnë, por është vënë re që ajo gjykatë ka një mjet represiv ndaj avokatëve dhe i trajton si të punësuar të gjykatës. Nuk jemi më në kushte ta garantojmë profesionin e lirë”, tha avokati Lulzim Alushaj.

Ndërsa Diana Leka nga Këshilli i Investimeve theksoi rëndësinë e përfshirjes së profesionistëve në reformat për rritjen e konkurrueshmërisë.

“Në këtë moment kur po kalojmë në reforma shumë të rëndësishme për konkurrueshmërinë e vendit, zëri i profesionistëve duhet të jetë aty dhe i saktë që në këtë ekosistem të shoqatave të biznesit të ndihmoni që Shqipëria jonë dhe klima e investimeve të shkojë në një transformim të qëndrueshëm”, tha Diana Leka, drejtore e sekretariatit të Këshillit të Investimeve.

Kurse deputetja e PD-së Jorida Tabaku tha se profesionistët duhet të kenë një rol më të rëndësishëm në procesion e integrimit për të kuptuar sesa do përballohen kostot dhe sfidat që sjellë legjislacioni evropian.

“Ju nuk konkurroni dot as me pastrimin e parave, as me paratë e korrupsionit. Ju konkurroni vetëm me punën. Dhe unë shpresoj shumë që kjo klimë e përgjithshme biznesi që është krijuar me një pakicë të vogël që sot po merr përfitimet, ndërsa profesionistët e lirë ngarkohen dhe me taksa dhe me ligje abuzive të ndryshojë në Shqipëri dhe procesi i integrimit ne duhet të na shërbejë për ta përmirësuar vendin”, tha Jorida Tabaku deputete e PD-së.

Përballë këtyre sfidave Aleanca e Profesionisteve të Lirë thotë se bashkimi i tyre dhe një prezantim më i fortë i shqetësimeve pranë institucioneve, do të garantonte më shumë siguri dhe përfitim ekonomik për këtë shtresë.

“Përmes këtij ndërgjegjësimi neve jemi të aftë të organizohemi më mirë, por në të njëjtën kohë të mbrojmë më mirë interesat e të gjithë profesionistëve të tjerë, duke na lejuar të marrim qasje konkrete pasi kemi verifikuar të gjitha faktet edhe provat”, tha Adela Kanani drejtore ekzekutive e APL.