Profet i artit Petrit Ceno

Profet i artit Petrit Ceno

Pikturë e artistit Petrit Ceno

Nga Agim Janina 

Piktori Petrit Ceno nuk është më. Një ditë iku dhe i tha lamtumirë të gjallëve. Iku por la një vepër. 
Vepra e artistit është hiri në vatër. Mjafton pak ta shpupurisës dhe ai ndizet flakë.. 
Atëbotë sapo ishte kthyer nga Italia, ku kishte hapur një ekspozitë, frymëzuar nga vepra e De Radës "Këngët e Milosaos". 
Ekspozita u hap në Shën Dhimitër Korone, ku ka dhënë mësim poeti.
Arbëreshët u mallëngjyen. U dilnin lot prej syve, e përqafonin dhe e uronin.
“Na solle të gjallë dheun e motit të madh të të parëve, motin e Skërderbeut!” 
Piktori ishte gjithë gëzim e gjallëri. Një buzëqeshje dehëse i derdhej nga buzët dhe i mbytur nga kujtimet e shumta
Por një takim do t'i mbetej i pashlyer në kujtesë Pas Kalabrisë ekspozita hapet në Romë. Emocione të një natyre tjetër. Tablotë aty ishin të zhveshura nga poezia. Në to publiku do të shikonte vetëm artin. U mirëprit me dashuri dhe shtypi shkroi një artikull të mirë, ndërsa RAI – 3 dha një emision të veçantë.
Në ekspozitë vinin vizitorë të shumtë, vështronin tablotë, diskutonin, mbanin shënime dhe donin ta takonin. 
Por takimi më i bukur i ndodhi një mbasdite. 
Duke gjerbur nga një kafe në baret e kryeqytetit, piktori nisi të rrëfente.
E takon dikush, që siç mësoi më vonë ishte profesor në universitet. E ftoi për një vizitë në shtëpi. Pranon me kënaqësi dhe të dy i hypin veturës dhe u nisën. 
Shtëpia ndodhej në periferi të Romës. Ishte një vulë e bukur dy katëshe me oborr përpara. 
- Profesori, vijoi piktori, më udhëhoqi në një holl të madh, i shtruar me pllaka mermeri të zi. Më pas kaluam në një sallon pritje, veshur me qilim të trashë e disa kolltukë punuar me dru, ku na priti e zonja e shtëpisë, një grua e pashme rreth të tridhjetave. 
Më dha dorën me shumë përzemërsi dhe më ftoi të ulesha në njërin nga kolltukët. Më gostiti me një gotë vere.
"Nuk jua thashë në fillim, foli burri, por gruaja ime është piktore. Ajo më shtyu t’ju ftoja në shtëpi".
Nëpër mure ishin vendosur piktura dhe tek tuk ndonjë peisazh.
"Ju falenderoj shumë – foli gruaja – që pranuat ftesën dhe na nderuat me ardhjen tuaj këtu. Ju jemi shumë mirënjohës"!
"Është kënaqësi për mua, ia ktheva, aq më shumë, ju jeni edhe piktore. Kështu biseda jonë do të bëhet më e lehtë.
Gruaja buzëqeshi me dashuri.
Midis tablove më zuri syri një portret që më tërhoqi vëmendjen. Iu afrova pranë. Në një sfond jeshil të bukur zmeraldi, ishin pikturuar dy sy shprehës, poshtë tyre ravijëzohej një linjë, që tregonte të vijën e buzës dhe më poshtë dilte një dorë e brishtë me gishtrinj të gjatë.
Kuptohej menjëherë që ishte një portret femre. 
Gruaja kërkoi mendimin tim për punët e saj. Ç’ti thoja ? Diçka duhej të shprehja, por çfarë?!
"Ndodhem në vend të huaj dhe i ftuar në shtëpinë tuaj, prandaj më duhet të tregohem i sinqertë – fola. Ne shqiptarët e kemi zakon, që gjërat i themi hapur, siç i ndjejmë. Ju në këtë tablo keni paraqitur një portret femre, ndonëse keni pikturuar vetëm sytë, buzët dhe një dorë të brishtë. E ç’mund të kërkosh më shumë nga një femër? Si artist nuk kërkoj më tepër dhe ju kuptoj, por kjo femër veç tyre, a nuk ka një botë shpirtërore, një personalitet, a nuk do të thotë diçka nga qenia e saj ? Këtë gjë nuk e gjej në veprën tuaj, sado që e kërkova.
Kur thashë këto fjalë, pashë që burrë e grua, por sidomos gruaja u prek shumë. Ata prisnin t’ju lavdëroja potretin dhe u doli e kundërta. 
Një hije bezdie u end midis nesh dhe e ftohu mjedisin e gëzueshëm të mbrëmjes.
Gruaja e pikëlluar dhe e fyer ia bëri si me mospërfillje:
"Vini nga një vend i largët dhe nuk e njihni Italinë ".
"Përkundrazi Zonjë! Ne jemi shumë afër me njëri tjetrin. Shqipëria nuk është India. Një det i vogël, sa një leqen me ujë, i ndan brigjet tona. Në Shqipëri e njohim mirë Italinë dhe kulturën e saj të madhe. Që të vegjël kur ulemi në bangat e shkollës dhe mësojmë të mbajmë lapsin në dorë për të vizatuar, bashkë me mësimin e vizatimit dhe të pikturës kemi njohur artistët e mëdhenj dhe artin e tyre. Ju vetë e keni ngritur në piedestal.
I numërova një sërë artistësh italianë piktorë e skulptorë, por edhe nga fusha të tjera të artit. 
Ajo më dëgjoi me mosbesim dhe ftohtësi. Nuk bindej në njohuritë e mia.
"Më mirë e lemë këtë bisedë", tha ftohtë dhe si e lodhur. 
Folëm për gjëra të rëndomta. I ulur në kolltuk, po rrija i nervozuar. Mendoja se ndoshta u tregova pa takt. 
Por thashë atë që mendoja dhe nuk gënjeva. Befas në cep të dhomës zyri më zuri një piano të vogël. Më lindi një mendim, që shpejt e vura në veprim.
"Më falni që ju pyes, kush luan në këtë piano"?
"Djali i vogël gjashtë vjeçar. Ushtrohet më një mësues muzike" – ma ktheu gruaja.
-"A më lejoni ta provoj"?
Burrë e grua panë njëri tjetrin me habi e thanë me një gojë:
"Ju lutemi ! Piano është e juaja"!
Di të luaj në piano. Kam mësuar kur kam qenë në Liceun Artistik dhe keq nuk i bie. U ula në karrige, hapa pianon, hoqa kadifen e butë, që mbulonte tastierat e bardha dhe duke u kthyer nga gruaja i thashë:
"Cilin kompozitor italian dëshiron zonja të dëgjojë"?
- Petrit këtë pyetje vetëm një kokëkrisur shqiptar mund ta bëjë.
Piktori buzëqeshi dhe vijoi:
- Nuk them se nuk pata emocion kur bërë këtë pyetje, por kisha besim tek vetja. 
Gruaja më hedh një sy me mospërfillje:
"Luaj kë të dëshironi"!
Luajta nga opera “Nabuko” e Verdit, arien e skllevërve në breg të detit. Pastaj i rashë disa arjeve të tjera, po nga Verdi. Mora disa melodi napolitane, kanconeta të gëzueshme. 
U bija tastierave me pasion e gëzim. Megjithëse burrë e grua nuk i shikoja se ishin pas, e kuptoja që diçka po lëvizte pas kurrizit tim. 
Kur mbarova u ktheva. 
Gruaja kishte ngulur sytë mbi një kryq të varur në murin përballë e menduar dhe në një gjendje disi mistike. Sytë i kishte të përlotur. Po ashtu ishte edhe i shoqi.
"Nga Shuberti çfarë dëshironi të dëgjoni"?
"Gruaja është besimtare dhe do të na nderoni në se...", foli burri.
Nuk ishte nevoja të më thoshte. A ka më bukur se “Ave Maria”?
Tingujt e pianos kumbonin me ëmbëlsi e si me nostalgji në sallonin e madh, i cili kishte një akustikë të mrekullueshme.
Kur mbarova dhe gishtrinjtë i shkëputa nga tastierat, gruaja u ngrit me rrëmbim nga kolltuku, ku qe ulur dhe u sul drejt meje. Më përqafoi me dashuri e pasi më puthi tha:
"Ju nuk jeni shqiptar, por napoletan"!
"Ju siguroj zonjë që jam shqiptar kokë e këmbë! – ia ktheva me të qeshur. Zonjë a keni më nevojë të bindeni për njohuritë e mia mbi Italinë?
"Oh... më falni. Pendohem shumë për fjalët që thashë !
Dhe si më mori përsëri në qafë me dashuri, më ftoi të uleshim në tavolinë dhe bashkë me bisedat e këndshme të shjonim dhe gatimet e ssj të shijshme...
Kjo histori ka ndodhur kur Italia ishte përtej ëndrrës, që shihej në televizion...
Vepra (Milosao dhe Rina) nga cikli “Kenget e Milosaos”

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tea: 14/02/2019 07:53

    Jashtezakonisht e bukur, me pelqejne pikturat e Petrit Cenos, nje njeri me vlera qe ka dhene per artin shqiptar!! Respekt per studiuesin qe ka bere kete shkrim!

    Përgjigju
  • redi: 13/02/2019 15:20

    Histori shume e bukur , por dhe nje fire e arte pikturimi . Pikturat e Petrit Cenis ngjajne si veprat i dikurshme te Rilindhes italiane

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion