Gazetari dhe analisti Andrea Stefani do t'i mungojë botës së medias. Sëmundja e rëndë e ndau nga jeta para kohe, pavarësisht se Andrea nuk u dorëzua deri në momentin e fundit, duke tentuar t'i bëjë ballë të keqes që e kishte kapluar prej disa muajsh.
 
Jo vetëm për familjarët, por humbja e tij, është në radhë të parë një humbje për botën mediatike, atë të shkruar dhe vizive, të cilës ai i përkushtoi plot 20 vite.

Andrea Stefani ishte gazetari i parë i cili zbuloi kontrabandën e naftës të Shqipërisë me ish-jugosllavinë në vitin 1995, si gazetar i gazetës Shqiptare. 
 
Sot media humbi një zë të fortë analitik, ndërsa Stefani do të kujtohet edhe si një prej antikonformistëve të "pandreqshëm" me çdo pushtet që promovon padrejtësinë dhe pabarazinë para ligjit në Shqipëri.
 
Kush ishte Andrea Stefani?
Andrea Stefani punoi prej 20 vitesh në media si gazetar dhe opinionist në organe të ndryshme të shtypit dhe medias vizive shqiptare. Njihej për qëndrimet dhe pikëpamjet jo konformiste me pushtetet e radhës në Shqipëri.
 
Dimensionit të tij si gazetar i bashkëngjitet edhe aktivizimi i theksuar veçanërisht në përpjekjet qytetare kundër korrupsionit dhe dominimit autoritarist të shtetit.
 
Andrea Stefani ka qenë për disa vite gazetar i Gazetës Shqiptare, themelues e kryeredaktor i "Shekullit" dhe për shumë vjet drejtues i programit investigativ antikorrupsion “Hapur”. Për më shumë se 10 vjet është mjaft i pranishëm në debatet e përjavshme televizive. Ai njihej edhe si aktivist i Shoqërisë Civile. 
 
Andrea Stefani është autor i librit publicistik “Albanistan”. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com