Profil/ Inva Mula, zonja shqiptare
e Europës...sot surpriza në Butrint

Profil/ Inva Mula, zonja shqiptare<br />e Europës...sot surpriza në Butrint
Ka ardhur të qëndrojë për një kohë të gjatë në Tiranë, plot një muaj. Por, ndër projektet për të cilat ajo do të jetë këtu, ekskluzivitetin e mban dita e 9 majit, Dita e Europës.
Artistja e madhe Inva Mula do të  këndojë sot në Butrint në koncertin e shoqëruar nga Kori dhe Orkestra e TKOB-it e drejtuar nga dirigjenti Noorman Ëidjaja. Do të ketë pjesë të përzgjedhura nga repertori kombëtar dhe ai botëror. Inva Mula, sopranoja shqiptare, rrezëllitëse dhe e suksesshme në skenat e Europës e ato ndërkombëtare, është si qershia mbi tortë e asaj që kanë organizuar Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri në bashkëpunim Ministrinë e Kulturës, atë të Integrimit Europian, të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe shefja e Delegacionit të BE, Romana Vllautin, të cilën ministrja Kumbaro e cilësoi si “motori” i gjithë aktivitetit që do të zhvillohet në Butrint, qëndrojnë përkrah artistes dhe e shohin gjithë adhurim.

Inva Mula, ky model fantastik i talentit, vullnetit dhe punës, për  shefen e Delegacionit të BE-së, Romana Vllautin, është një vlerë e rrallë. Është vetë zonja e nderuar e BE-së, ajo që ka pëzgjedhur Butrintin si vendndodhje të aktivitetit. E konsideron si një nga vendet kryesore të identitetit europian, ndërsa për Inva Mulën thotë se “kemi një artiste, jo vetëm europiane, por edhe  të përmasave botërore”.

Vendodhja në jug të Shqipërisë e aktivitetit, duket se i ka hapur punë ambasadores së BE-së, siç është rrëfyer ajo. Sigurisht që ka kushtuar, por “ia vlen”, argumentoi Vllautin, sepse sipas saj “kultura është thelbësore për një shtet që aderon në BE”. Shefja e Delegacionit të BE-së premton pas kësaj, si në Tiranë dhe me të gjithë kolegët e saj do të bashkëpunojë që “të promovojë artin dhe kulturën sa më shumë të jetë e mundur”.
 
Dhe Inva Mula mendon se, nëse do të promovojë kulturën shqiptare, pikërisht atje në Butrintin e mrekullueshëm, ku ka bërë dhe koncertet të tjera, “me kulturën do të jemi pjesë e rëndësishme e Bashkimit Europian”. Inva Mula e dashuron Butrintin, e mendon si një vend brilant, ngaqë muret e tij edhe pa muzikën e saj “flasin dhe do të jenë si fanar, që nuk do të humbin asnjëherë vlerën, pavarësisht kohës që kalon”.

Ajo rrëfen programin me një gëzim të papërmbajtur dhe pohon se përveç gjërave të njohura për publikun, ku nuk mungojnë elementët e kompozitorëve si Verdi, etj, do të ligjërohen përmes zërit të saj edhe kompozitorët shqiptarë. Sopranoja ndihet krenare duke na e shprehur këtë me fjalët “kemi çfarë t’i tregojmë komunitetit europian, edhe kur dëgjojmë vallet e Thoma Gaqit apo të Nikolla Zoraqit”.

Inva Mula nuk ngurron të rrëfejë edhe surprizën më të ëmbël të këtij koncerti. Do të këndojë arien “Agime shqiptare” të shkruajtur nga babai i saj Avni Mula. Nuk si ta lërë jashtë programit.

Për artisten e njohur “Agime shqiptare” i kapërcen kufijtë babë e bijë: “është një copë Shqipëri, është imazhi i saj për vlerat që ajo ka dhe për atë që duhet të jetë”, -kështu shprehet me modesti e delikatesë Inva Mula.

E veshur me një fustan klasik të kuq purpuri, në harmoni me këpucët e saj shik dhe çantën elegante, Inva Mula rrezaton edhe me profilin e saj si grua. Përpara syve kemi një një zonjë të ëmbël e të hijshme pariziene e me origjinë shqiptare.

Nis të tregojë sikur të jetë para një “provimi” detajet e gjithë koncertit, përmasat e korit e të orkestsrës që do të performojnë sot në Butrint. Nuk duket se do t’i mungojë shoqëria në skenë. Artisti i talentuar shqiptar Armando Klogjeri, do të jetë partneri i saj. Inva e admiron Klogjerin edhe për faktin se ai e këndon shumë bukur këngën tradicionale shqiptare. Sopranoja na servir një gjerdan suprizash.

I druhet entuziazmit për koncertin në Butrint. Po sikur të bier shi...?! Megjithatë ajo ka vendosur të këndojë nën qiellin me yje sot për Ditën e Europës. Mes emocioneve dhe kujtimeve të mikpritjes që ka përjetuar sa herë këndon para publikut shqiptar, Inva Mula, thotë se sharmin që ta jep ky tip  teatri e bënë të elekrizohet publiku.
 
Si e përjetoni të ardhmen e Shqipërisë në Europë, edhe pse ju vetë keni mbërritur e para në Europë”, e pyes. Inva shprehet se i pëlqen kjo pyetje, sepse e di se ku synon të arrijë. “Unë kam mbërritur e para në Europë, por kam mbërritur pa tërhqur pjesën tjetër të Shqipërisë. Do të doja që pjesa tjetër të ishte ashtu siç kanë bërë gjithë artistët  që kanë ikur nga Shqipëria, ata që kanë bërë diçka personale. Dhe nëse të gjithë artistët do të mendonin të bënin diçka personale për jetën e vet, atëherë ata do të ishin të aftë për ta konjuktuar vlerën e tyre me artin europian”.
 
Shkrimi u botua ne gazeten Shqiptarja.com 9 maj 2015
 
Redaksia Online
(d.b/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Barcelona fiton El Clasicon e parë të sezonit, Halaand i jep leksione Chelsea-s! Juve barazon, Motta: Chiesa duhet të gjejë një klub tjetër

Barcelona fiton El Clasicon e parë të sezonit, Halaand i jep leksione Chelsea-s! Juve barazon, Motta: Chiesa duhet të gjejë një klub tjetër