Profil/ Kush është 'hija' e Isa Mustafës që u bë sot kryeministër i Kosovës (VIDEO)

I cilësuar shpesh si “hija” e Isa Mustafës, Avdullah Hoti, i zgjedhuri i Lidhjes Demokratike ka marrë sot “bekimin” e Kuvendit si kryeministër i Kosovës.

Edhe pse nuk është zgjedhur nga qytetarët e Kosovës, Avdullah Hoti u votua si kryeministri i Kosovës me 61 vota. Politikani nga Rahoveci zuri vendin e kryeministrit Albin Kurti, duke udhëhequr një qeveri koalicioni më AKK-në, Nismën dhe Listën Serbe. Kjo ishte tentativa e dytë e 44 vjecarit  për të udhëhequr Kosovë, dhe ndryshe nga viti 2017, sot, babai i dy fëmijëve ia doli.

Pas përfundimit të studimeve në Fakultetin Ekonomik, në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1998, Hoti bëri doktoratën në Universitetin e Staffordshire në Mbretërinë e Bashkuar. Karriera e tij politike nisi pasi u bë pjesë e stafit akademik të Universitetit të Prishtinës, ku edhe u njoh me Isa Mustafën.

Rrugëtimi përkrah mentorit të tij politik nis më 2008, kur fillimisht Hoti shërbeu si këshilltar për ekonominë i Mustafës, asokohe kryebashkiak i Prishtinës. Dy vjet më vonë, ai ishte kthyer në krahun e djathtë i Isa Mustafës, i cili pas rizgjedhjes si kryebashkiak i kryeqytetit, e emëroi Hotin nënkryetar.

Në vitin 2014, pasi Mustafa humbi garën për Prishtinën ndaj Shpend Ahmetit, Hoti u zgjodh për herë të parë deputet.

Megjithëse, Lidhja Demokratike kishte dalë e dyta në zgjedhjet e atij viti, Mustafa arriti të bëhej kryeministër i Kosovës, falë një marrëveshjeje me Partinë Demokratike, që atëkohë drejtohej nga Hashim Thaçi.

Hoti u gjend sërish afër mentorit të tij, pasi Mustafa e emëroi Ministër të Financave, pozitë në të cilën shërbeu deri më 2017 dhe do të mbahet mend për reformën fiskale.

Në vitin 2017, në zgjedhjet që u mbajtën pas rrëzimit të Qeverisë me mocion mosbesimi, Lidhja Demokratike e udhëhequr nga Mustafa, ia besoi Hotit kandidimin për kryeministër të vendit në zgjedhjet e parakohshme.

Megjithatë, profesori nuk pati sukses në këtë garë, pasi partia e tij doli treta, ndërkohë që ai rezultoi, njeriu i tretë më i votuar në vend, me 115 mijë vota. Në zgjedhjet e 6 tetorit, dy vjet me vonë, Hoti mori vetëm 26 mijë vota, ndërkohë që kandidatja e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmani u kthye në figurën më të votuar të LDK-së me 176 mijë vota.

Pas formimit të koalicionit qeveritar mes LDK-së dhe VV-së, Avdullah Hoti u emërua zëvendëskryeministër. Ai u kthye në zërin kryesor të Lidhjes Demokratike, duke mbrojtur qëndrimet e partisë brenda Qeverisë.

Ai doli kundër kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar atë për “rrezikim të marrëdhënieve me Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, për shkak të refuzimit të heqjes pa kushte të tarifës 100% ndaj mallrave serbe, sipas kërkesës së të Dërguarit Special të Presidentit Trump për Dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Hoti ka botuar gjashtë libra në gjuhën angleze dhe gjashtëmbëdhjetë artikuj shkencor në revista ndërkombëtare lidhur me tregun e punës, zhvillimin ekonomik dhe tranzicionin, arsimin, emigrimin dhe remitancat etj.

Avdullah Hoti ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit se ka në pronësi edhe tri banesa të vogla. Njëra 67 metra katrorë e blerë më 2010, tjetra vetëm 57 metra 2 e blerë më 2015 dhe e fundit 69 metra e blerë në vitin 2018.

Një ditë para mbajtjes së seancës, Hoti, ka thënë se qeveria e re do të përballet me sfida të shumta, duke nisur nga pandemia e koronavirusit, problemet ekonomike dhe dialogun me Serbinë.

Kjo pandemi pritet të shkaktojë dëme të mëdha ekonomike. Ministri në detyrë i Financave, Besnik Bislimi, ka thënë mbyllja për shkak të koronavirusi i ka kushtuar çdo ditë shtetit të Kosovës rreth 6 milionë euro.

Por, jo më pak i rëndësishëm është dialogu me Serbinë, një proces që është pezulluar nga viti 2018. Hoti merr miratimin e Kuvendit si kryeministër mes presionit të jashtëzakonshëm të administratës së presidentit amerikan Donald Trump për rikthimin në dialog. Për t’i hapur rrugën dialogut, i dërguari i Trump, Richard Grenell ka arritut dy marrëveshje të mëdha për rinisjen e bisedimeve: rikthimin e flurimeve direkte mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe rikonstruktimin e linjave hekurudhore./ Marre nga Gazetasi

Avdullah Hoti dhe Isa Mustafa

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë