Profili i Aleksandër Rodimcev/ Nga acari i Siberisë në vapën e Shqipërisë, gjenerali i tri luftërave vjen atashe në Tiranë

Profili i Aleksandër Rodimcev/ Nga acari i Siberisë në vapën e Shqipërisë, gjenerali i tri luftërave vjen atashe në Tiranë

Beqir Balluku, Enver Hoxha dhe Aleksandër Rodimcev

Një foto e vitit 1954 e pabotuar nga Enver Hoxha dhe aparati i tij propagandistik në kohën e vet dhe më vonë. Ndoshta, nuk e dispononte, pasi mund të jetë fotografuar nga sovjetikët.

Duke shfletuar një libër të botuar para 2 vjetësh në Rusi, hasa në një foto dhe një dokument arkivor të panjohur mbi planet e Moskës për të rimëkëmbur ushtrinë shqiptare në vitet 1953-1956. Libri titullohet “General Rodimcev. Proshedshij tri vojni - Gjenerali Rodimcev. Njeriu i tri luftërave” dhe është shkruar nga I. A. Rodimcev, biri i gjeneralit A.I. Rodimcev.

Njeri me reputacion të lartë dhe ushtarak i ditur.

Shqipëria ishte me fat, pasi në qershor të vitit 1953 vjen si kryekëshilltar ushtarak i ushtrisë dhe atashe ushtarak në misionin diplomatik sovjetik në Shqipëri gjenerallejtënant Aleksandër Iliç Rodimcev (1905-1977), dy herë hero i BS, njeri me reputacion të lartë në vendin e tij të madh dhe ushtarak i ditur.

Teksa në 5 mars 1953 vdes Stalini, udhëheqja e re e Kremlinit u druhej gjeneralëve të Stalinit. Prandaj nga Siberia lindore, ku ishte si zëvendëskomandant i qarkut ushtarak, i mbushin mendjen Rodimcevit të vinte në Shqipëri. Nga acari në Mesdheun e ngrohtë e me vapë.

Është interesant fakti që disa ditë, më 18 qershor 1953, para nisjes për në Shqipëri me rrugë detare, pasi ishte informuar mirë për gjendjen e ushtrisë së vendit të vogël, Rodimcevi bëri një relacion të shkurtër drejtuar ministrit të asaj kohe të Mbrojtjes së BS, Mareshalit Bulganin. Të nesërmen, Bulganin-i ia çon relacionin udhëheqjes së re, duke qenë dakord me kërkesat e gjenerallejtënantit.

Po botojmë foton dhe raportin mbi gjendjen e ushtrisë shqiptare në vitin 1953, një analizë e ngjeshur, me rëndësi dhe për historianët ushtarakë shqiptarë. Po ashtu po paraqes dhe përkthimin e disa fragmenteve nga kapitulli “Avanpost në Adriatik” i librit kushtuar njeriut të tri luftërave. Thjesht, kemi të bëjmë me një figurë të shquar, i  vlerësuar dhe në Perëndim.

Rruga e lavdisë

Rodimcevi hyri në Ushtrinë e Kuqe në vitin 1920. Mori pjesë në Luftën Civile Spanjolle në anën e republikanëve kundër Francisko Franko-s në vitet 1936-1937, ku shpall për herë të parë “ Hero i Bashkimit Sovjetik”. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, përmendet më së miri për rolin e tij në Betejën e Stalingradit, ku komandoi shkëlqyeshëm Divizionin e 13-të gardist pushkatar.

Gëzonte popullaritet të madh në ushtri dhe njihej për trimërinë e tij. Në vitin 1943, pas Betejës së Stalingradit, komandoi Korpusin e 32-të gardist pushkatar, element i armatës së 5-të të Gardës, e cila ishte pjesë e Frontit të Stepës (komanduar nga Mareshali Ivan Konjev) në Betejën e Kurskut.

Pas luftës, shërbeu si zëvendëskomandant i qarkut ushtarak të Siberisë Lindore. Në vitin 1953, pas vdekjes së Stalinit, u emërua atashe ushtarak në Shqipëri. Në vitet 1953-1956 punoi si kryekëshilltar ushtarak në ushtrinë shqiptare. Pastaj u emërua përsëri zëvendëskomandant qarku ushtarak, këtë herë për qarkun ushtarak të Veriut. Më vonë këshilltar i grupit të inspektorëve të Ministrisë së Mbrojtjes së BRSS.

Ishte babai i dy vajzave dhe një djali. Qytetar nderi në shumë qytete, emrin e tij e mbajnë rrugë të ndryshme, është skalitur në disa vepra skulpturore. Është vlerësuar dhe si autor i 5 librave dokumentarë: “Nën qiellin e Spanjës", "Në kufirin e fundit" "Njerëzit e heroizmit legjendar", "Gardistët rezistuan deri në vdekje", "Mashenjka nga (fshati ukrainas) Mishelovka (reshtere infermiere Maria Boroviçenko, 1925-1943, Heroinë e BS)", që kanë pasur sukses.

Mbi motivet e një prej librave të tij është xhiruar filmi artistik “Nuk ka ushtarë të panjohur”.

Dokumenti, Ushtria shqiptare të bëhet më e aftë nga ana luftarake

Shokëve G.M. Malenkov, L.P. Berija, V.M. Molotov, N.S. Hrushov, A.I. Mikojan

Po ju dërgoj shkresën e të sapoemëruarit si Këshilltar Ushtarak në Shqipëri gjeneral Rodimcev. I konsideroj arsyetimet e tij shumë të drejta.

Më 19/VI.1953. BULGANIN

Tepër sekret

Kop. 3

MARESHALIT TË BASHKIMIT SOVJETIK

Shokut N.A. BULGANIN

Pasi u njoha me materialet për organizmin, dislokimin dhe furnizimin materialo-teksin të ushtrisë shqiptare raportoj si më poshtë mendimin tim për çështjen e rritjes së aftësisë mbrojtëse të Republikës Popullore të Shqipërisë.

Si rezultat i studimit të çështjes, e mendoj kështu detyrën time: është e domosdoshme që ushtria shqiptare të bëhet e lëvizshme, manovruese dhe më e aftë nga pikëpamja luftarake.

Lidhur me këtë do ta quaja të nevojshme me të mbërritur në Shqipëri të diskutoja me komandën e ushtrisë shqiptare këto masa:

1. Të suprimohet komandimi i korpusit të këmbësorisë (në origjinal: “gorno-strelkovij” - fjalë për fjalë: malor-pushkatar) që ndodhet në përbërje të ushtrisë. Tre divizionet e këmbësorisë, duke pasur parasysh karakterin e kufizuar të manovrës së tyre në kushtet malore, të riorganizohen në brigada të veçanta këmbësorie, regjimente të veçanta këmbësorie dhe batalione të veçanta këmbësorie pa nënndarje të kuadruara.

2. Të ndryshojë dislokimi i trupave, me qëllim mbulimin e sigurt të kufijve tokësorë dhe detarë të Shqipërisë, në veçanti të kufijve me Jugosllavinë. Arsyet për venddislokimin e trupave do të përpunohen nga unë pas studimit me kujdes të kësaj çështjeje në vend, së bashku me komandën e ushtrisë shqiptare.  

3. Lidhur me faktin se aktualisht mbrojtja bregdetare është në gjendje jo të mirë, do të mendoja se është e nevojshme të komandohen në Shqipëri 2-3 specialistë-detarë për të ndihmuar komandën e ushtrisë shqiptare për hartimin në vend të masave për forcimin e mbrojtjes së bregdetit të Shqipërisë.

4. Të hartohet një plan masash për përgatitjen e pozicioneve të mbrojtjes dhe ndërtimin e pengesave xheniere në vendkalimet kryesore malore, qafat në maleve dhe në bregdetin e Shqipërisë.

5. Në formacionet dhe njësitë e ushtrisë shqiptare, përshirë deri në batalion / divizion, të ketë oficerë-instruktorë sovjetikë, duke ruajtur aparatin e këshilltarëve ushtarakë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore dhe Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare. 

Numri gjithsej i aparatit të këshilltarëve dhe instruktorëve për realizimin e masave të mësipërme do të arrijë në 125 veta, në vend të 25 personave ekzistues.

Duke marrë në konsideratë se në vend nuk ka mundësi të merren mjete transporti për aparatin e këshilltarëve dhe aparatin e atasheut ushtarak, lutem të ndahen 10 autovetura, prej të cilave 5 copë “Pobjeda” dhe 5 copë “GAZ-67”.

GJENERALLEJTËNANT I GARDËS

/RODMICEV/

Më 18 qershor 1953.   

Posti i përparuar në Adriatik/ Fragmente nga libri “Gjenerali Rodimcev. Njeriu i tri luftërave”

Ishte viti 1953, një ndër historitë më të paharrueshme në historinë e vendit tonë (Bashkimi Sovjetik), vit kthese, plot ankth, me shpresa, me deklarata të papritura për publikun dhe me veprime të udhëheqjes politike sovjetike, të shkaktuara nga lufta për pushtet pas vdekjes së Stalinit. Një valë ndryshimesh kuadri shpërtheu në të gjithë vendin, duke prekur jo vetëm nivelet më të larta të partisë dhe organeve të sigurimit, por edhe ushtrinë.

SITUATË NERVOZE DHE E RRËMUJSHME

Babai njihej gjerësisht në mjedisin e ushtrisë dhe kishte marrëdhënie të mira me shumë udhëheqës ushtarakë të rangut të lartë, të cilët vlerësonin shumë cilësitë e tij profesionale dhe personale. Ndërkohë udhëheqësit e rinj të vendit tonë si më parë i përmbaheshin politikës staliniste të kuadrit lidhur me ushtarakët - në postet drejtuese në ushtri, por edhe në përgjithësi në Moskë, duhet të kishte sa më pak të ishte e mundur ushtarakë të njohur dhe popullorë në ushtri dhe në popull. Solidariteti brenda-ushtarak, i bazuar në marrëdhëniet në frontet në luftës, respekti ndaj autoriteteve dhe mospranimi i hipokrizisë, karakteristikë e shumicës absolute të këtyre njerëzve, përbënte rrezik për intrigat politike dhe përpjekjet e të gjitha llojeve të arbitraritetit.

Për këto arsye, babai u ndodh në lëvizjen e përgjithshme të trazuar administrative, edhe pse, siç thuhet, dhe në mënyrë të planifikuar. Pozita e tij ishte sigurisht shumë më e mirë se e atyre që u larguan nga postet e tyre ose fituan antipati tek udhëheqja e re të vendit, por në kushtet e pritjes së përgjithshme të ndryshimeve, nuk favorizoi besimin e tyre ndaj të ardhmes së tij, kurse perspektivat e shërbimit të mëtejshëm dukeshin shumë të mjegullta.

Në kabinetet moskovite situata ishte nervoze dhe e rrëmujshme. Një kategori e caktuar ushtarakësh ishte kryesisht e preokupuar të shfrytëzonte këtë mundësie dhe të zinte vendet e lira në aparatin qendror. Sa i përket babait, ai kurrë nuk aspiroi për këtë.

SA SHUMË OFERTA

Gjenerallejtënant A.I. Rodimcevit, pas disa javësh pritjeje sfilitëse iu propozua të vazhdonte shërbimin si diplomat në ndonjë mision ushtarak në një nga vendet e Evropës Perëndimore ose në Gjermani. Shërbimi në Gjermani për babanë ishte krejtësisht i papranueshëm për një arsye të kuptueshme. Dhe në përgjithësi, puna në një mision ushtarak në çdo vend, me gjithë prestigjin dhe statusin diplomatik, nuk i dukej shumë tërheqëse. Me shpirt donte shërbim në trupa, çështje konkrete ushtarake.

Edhe një variant tjetër pune të mëtejshme ishte propozimi disi i papritur e postit të kryekëshilltarit ushtarak dhe atasheut ushtarak në Shqipëri. Dhe megjithëse puna në këtë vend në pamje të parë nuk dukej zgjedhja më e mirë, ky post ishte, ndoshta, më me përgjegjësi, i lidhur me punën konkrete në ushtri, të gjitha që iu ofruan atij. Fakti është se në këtë shtet të vogël, që u bë aleati ynë, ishte e nevojshme të krijohej një infrastrukturë moderne ushtarake dhe ushtarake, e cila në të ardhmen mund të luante një rol të rëndësishëm në rajonin e Mesdheut, në interes të kampit socialist të sapoformuar. Babanë e tërhiqte shumë kjo punë, nisur nga fakti se në këtë rast mund të t’i shkonin për shtat në të vërtete njohuritë e tij ushtarake dhe përvoja luftarake si dhe pavarësia e madhe në krahasim me detyrat e tjera të propozuara, gjë që gjithmonë ishte faktor shumë i rëndësishëm për babanë.

Nga mënyra se si babait i i ofroheshin me këmbëngulje variante pune jashtë shtetit, ai kuptoi se donin ta degdisnin me ngulm sa më larg nga Moska, mundësisht jashtë vendit, në mënyrë që jo vetëm ta shkëputnin nga mundësia për të zënë poste komanduese në trupa, por edhe nga veprimtaria si deputet në Sovjetin Suprem (parlament) të vendit dhe lidhjet e tjera me opinionin publik, që i kishte gjithmonë.

TAKIMI ME ISH-AGJENTEN E FAMSHME

Pauza u zvarrit. Pasi e kuptoi se herët a vonë do t’i duhej të merrte një vendim, babai vendosi të këshillohej me shokët dhe miqtë më të vjetër, mendimi i të cilëve kishte shumë rëndësi për të. Në këto ditë ai u takua me disa ushtarakë, nën drejtimin e të cilëve ai luftoi dhe ka shërbyer në vitet e fundit. Ndoshta, ishte vendimtar takimi me ish-agjenten e partizanen e famshme sovjetike Maria Fortus (1900-1981), bash ajo që e ndihmoi në Spanjë, e cila kaloi përmes sprovash të vështira, punonte shumë me të huajt, i njihte mirë njerëzit dhe, më e rëndësishmja, njihte karakterin e babait. Përvoja e saj jetësore dhe qëndrimi miqësor ndaj babait tim, padyshim, e ndihmuan në këtë periudhë të ndërlikuar të bënte zgjedhjen, për të kuptuar drejtimin e duhur të punës së ardhshme, për të ndërtuar marrëdhënie të mira me shokë të huaj.

NGA I FTOHTI I SIBERISË NË VAPËN E SHQIPËRISË

Pasi dha pëlqimin për punën në Shqipëri dhe duke kaluar përgatitjen përkatëse për shërbimin, babai në fund të qershorit 1953 hyri në vendin e ri të punës. Një fazë e re filloi në jetën e gjeneralit Rodimcev, fati i tij mori një tjetër kthesë mjaft të papritur.

Kështu - nga i ftohti në vapë, pastaj përsëri në vise të ashpra. Por babai kurrë nuk është ankuar për fatin e tij. Për më tepër, ai përpiqej të punonte në mënyrë të pavarur, larg nga zyrat dhe nuk i shkonte mendja për kryeqytet.

... Para se të nisej për në Shqipëri, babai, në procesin e njohjes me materialet përkatëse, përgatiti një raport për Ministrin e Mbrojtjes të BRSS, N.A. Bulganin (gjithashtu drejtuar G.M G.M Malenkovit, L.P.Beria, V.M. Molotovit dhe N.S.Hrushovit) me propozime për riorganizimin e ushtrisë shqiptare për të rritur aftësinë mbrojtëse të Republikës Popullore të Shqipërisë. Vlen të përmendet se, së bashku me masat që lidhen me forcat tokësore, babai tërhoqi vëmendjen në nevojën për të forcuar mbrojtjen e bregdetit dhe komandimin e specialistëve ushtarako-detarë në përbërje të aparatit të këshilltarit ushtarak. Propozimet e këshilltarit ushtarak të sapoemëruar të Shqipërisë, gjeneral A.I. Rodimcev u miratuan kryesisht nga udhëheqja sovjetike.

Një betejë në qiell dhe në det me avionë dhe katerë të huaj

... Njëherë natën babait i dërguan makinën, u bë gati shpejt e shpejt dhe u largua, duke na thënë të mos dilnim nga shtëpia dhe të rrinim larg dritareve. Ndërkohë u dëgjuan breshëri të forta e të shpeshta. Po qëllonte një bateri kundërajrore, e cila, siç doli, ishte dislokuar aty afër, pas një rruge bregdetare, për ekzistencën e së cilës ne as që nuk dyshonim. Natyrisht, nga dritarja pashë se si disa projektorë po kërkonin me rreze nëpër qiell dhe nëpër det, nëpër të cilin endeshin katerë, gjithashtu me projektorë të ndezur. Zjarri i baterisë kundërajrore, si dhe nga ana e detit nuk u ndërpre për një kohë të gjatë. E gjithë kjo nuk ishte vetëm e pazakontë, por shtëpiza jonë u drodh nga zhurma, kurse nëna ime, si grua e vërtetë oficeri, futi gjërat më të domosdoshme në valixhe, në rast se do të na duhej të largoheshim me urgjencë.

Të nesërmen në mëngjes mësuam nga babai se kishin fluturuar avionë, që kishin shkelur hapësirën ajrore, por i kishin larguar, nuk kishte nevojë të shqetësoheshim. Babai im, si gjithmonë, ishte fjalëpakë kur ishte puna për shërbimin, veçanërisht në praninë time, ndoshta nënës i ka treguar për ngjarjet e asaj nate më hollësisht. Por nga çunat që njihja, tanët dhe shqiptarë - ndërkohë çunat janë të njëjtë kudo, janë gjithmonë në dijeni të ngjarjeve - mësova se nuk kishte vetëm avionë, por edhe katerë të huaj, të cilëve detarët shqiptarë u dolën përballë dhe e gjithë kjo rezultoi në një betejë të vogël detare. Mbaj mend mirë se zjarri i artilerisë nga tokë dhe deti u përsërit disa herë.

Çfarë ndodhi në kufijtë e Shqipërisë në ato vite - shkeljet e hapësirës ajrore nga avionë, shfaqje të anijeve të huaja në ujërat e saj, fluturime balonash-spiunë ajrorë, ndodhi dhe në kufijtë e vendeve të tjera socialiste. Kjo quhej “lufta e ftohtë”.

Gjeopolitika, pse kishte rëndësi për Moskën bashkëpunimi ushtarak me Tiranën

Pse ishte i rëndësishëm bashkëpunimi ushtarak me Shqipërinë për BRSS në atë periudhë historike? Nuk do të ndalem në aspektet politike të marrëdhënieve midis dy vendeve, por do të prek vetëm në disa çështje të ndihmës ekonomike dhe ushtarake. Kjo e fundit (ndihma ushtarake) u bë gjithnjë e më aktuale në vitet ‘50 lidhur me krijimin e bllokut ushtarak të NATO-s me në krye SHBA-në. Udhëheqja politike dhe ushtarake sovjetike e kuptonte rëndësinë strategjike të Shqipërisë si shtet aleat për krijimin këtu të bazës sonë ushtarake-detare. Nevoja për këtë kushtëzohej nga aktiviteti në rritje i flotës amerikane në rajonin e Mesdheut. Ky rajon ishte një nga ato, ku “lufta e ftohtë” ndihej gjithnjë e më shumë. Për t’iu kundërvënë kërcënimit ndaj kampit socialist nga ky drejtim, flota ushtarake-detare sovjetike kishte nevojë urgjente për një strukturë bregdetare, që i mundësonte një prani të përhershme. Shqipëria ishte vendi i përsosur për ta realizuar këtë detyrë. Ishte avanpost i vërtetë i socializmit në Adriatik.

... Njohja e kontributit të madh të babait në marrëdhëniet sovjetike-shqiptare dëshmon dekorimi me urdhrin më të lartë të këtij vendi - Urdhri i Skënderbeut - dhe ftesa për pushime në vitin 1958, të cilat i kaluam së bashku të tre – babai, nëna ime dhe unë.

Shënim: Përkthimi i dokumentit dhe fragmenteve nga libri, si dhe nëntitujt, shënimet në kllapa dhe transliterimi i alfabetit cirilik sipas drejtshkrimit të gjuhës shqipe janë të autorit të dossierit.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë