SARANDË- Një program i ri me qëllim edukimin mjedisor të fëmijëve do vihet në jetë nga Ministria e Turizmit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit. Lajmi u bë me dije nga ministrja Mirela Kumbaro e cila shpjegoi se programi do të hartohet nga specialistët e drejtorisë së Zonave të Mbrojtura, më pas Ministria e Arsimit do të ketë si përgjegjësi të çojë çdo klasë sipas territoreve që ka çdo bashki. Ajo tha se ky program do të përfshijë pastrimin, por padiskutim për të nxitur edhe fryëmn tek fëmijët për ta dashur natyrën.
“Bëhet fjalë për të shfrytëzuar asetet natyrore që kemi në çdo bashki. Programin do ta bëjnë specialistët e drejtorisë së Zonave të Mbrojtura, ekzekutimin dhe përgjegjësinë për t’i bërë fëmijët pjesë do ta kenë zyrat arsimore. Ne duhet të realizojmë atë që kemi për detyrë, edukimin mjedisor ku është edhe pastrimi, edhe dashuria për natyrën. Na duhet të edukojmë fëmijët, sepse aty fillon problemi. Kjo është arsyeja pse kemi nisur këtë program në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, përmes Agjencisë së Zonave të Mbrojtura që ka zyra rajonale në 12 qarqe, dhe po përgatisim marrëveshjen me Ministren e Arsimit. Këtë do ta detajojmë në nivel qarqesh, ku ne do të propozojmë kalendarin dhe programin, ndërsa Ministria e Arsimit ka për detyrë të sjellë fëmijët me radhë, klasat, shkollat sipas territoreve që ka çdo bashki”, u shpreh Kumbaro.
Më tej ministrja theksoi edhe një herë nevojën për të denoncuar krimin mjedisor, që është shtuar si një opsion i veçantë në aplikacionin e Komisariatit Dixhital.
“Çështja e ndotjes rezulton të jetë problemi më i madh. Problemin e ndotjes nuk e rregullojmë dot me shkresa. Kemi futur te komisariati dixhital një figurë të dedikuar që është krimi mjedisor. Përdoret komisariati dixhital, por nuk përdoret mjaftueshëm për mjedisin. Pse? Sepse ne nuk e kemi ende të qartë që të hedhësh plehrat është krim mjedisor”, u shpreh Kumbaro.
Në takim ministrja Kumbaro dha një mesazh edhe për varkat dhe anijet që transportojnë turistë gjatë sezonit veror në ishujt e jugut, të cilët duhet të mbledhin mbetjet.
“Nëse të gjithë bashkë veprojmë, denoncojmë, kontrollojmë, ky fenomen do të reduktohet. Është shumë kollaj të pastrosh ishujt, por është shumë e vështirë të pastrosh mendjet e dhjetëra, qindra vizitorëve që shkojnë nëpër ishuj. Kjo e mendjes do të na kërkojë punë, por nuk e bën dot vetëm një njeri, dhe nuk e bëjmë dot vetëm me polici. Po, ju konfirmoj, policia dhe trupat e inspekimit do të jenë shumë më të ashpra dhe më të përgjegjshme për monitorimin”, u shpreh gjatë takimit ministrja Mirela Kumbaro.
Kumbaro mori pjesë në mbledhjen e parë të Komitetit të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura të Parkut Natyror Rrëzomë dhe Parkut Kombëtar Butrint. Në këtë mbledhje morën pjesën edhe kryebashkiakët e Sarandës, Delvinës dhe Finiqit, si edhe ekspertë të zonave të mbrojtura dhe përfaqësues të shoqatave turistike dhe mjedisore të qarkut Vlorë.