Ish deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, një nga personat që ka punuar në hartimin e programit ekonomik të PD-së, shpjegon se si do të mbështeten bizneset nga ky program i demokratëve. Ajo sqaron se 100 mijë bizneset e vogla do të paguajnë një taksë vetëm 0.5% të xhiros duke përfshirë dhe të gjitha taksat dhe tarifat vendore dhe se pulla fiskale që do u jepet këtyre bizneseve nuk do të lejojë më që inspektorët e tatimeve të shkojnë në dyert e tyre. Tabaku gjithashtu tha se PD do të paguaj stazhin apo praktikat e 10 mijë të rinjve që të punësohen në bizneset private, pra biznesi nuk do të paguaj asgjë për kualifikimin e tyre.

Intervista e Jorida Tabakut nga selia blu

Si je Jorida? Çfarë përfitimesh do të kemi ne bizneset nga programi i qeverisë së Partisë Demokratike?

Jorida Tabaku: Biznesi është në qendër të programit të Partisë Demokratike, sepse ne besojmë që biznesi është motori i zhvillimit. Nuk është mirë ekonomia në qoftë se biznesi nuk është mirë.

Si do e arrini këtë?

Jorida Tabaku: Në dy mënyra: së pari, 100 mijë biznese të vogla do të paguajnë një taksë vetëm 0.5% të xhiros duke përfshirë dhe të gjitha taksat dhe tarifat vendore. Ndërkohë që pulla fiskale e vendosur në çdo biznes, nuk do të lejojë asnjë tatimor, asnjë inspektor që të shkojë në dyert e këtyre bizneseve. Për të gjitha bizneset e mëdhaja 15% tatim fitimi do të ulet në 9%. Të gjitha bizneset shqiptare përfitojnë nga kjo.

Bizneset kanë nevojë dhe për njerëz të kualifikuar apo jo?

Jorida Tabaku: Sigurisht! Për këtë arsye do të mbështesim me praktika 10,000 të rinj shqiptarë të talentuar të cilët do të shkojnë të punësohen në bizneset private, biznesi nuk do të paguaj asgjë për kualifikimin e tyre.

Shumë faleminderit Jorida!

Jorida Tabaku: Unë besoj që Shqipëria është më mirë në qoftë se qytetarët kanë më shumë para në xhepat e tyre. Për këtë arsye më 25 prill Shqipëria Fiton.

 

Disa nga pikat kryesore të programit ekonomik të PD, për të cilin Basha tha se janë dashur 2 vite për ta hartuar, është hapja e 110 mijë vendeve të punës, rritja e pagës minimale nga 30 mijë lekë në 36 mijë lekë, (edhe pse më herët kishte premtuar se do e bënte 400 euro), taksë 9% të fitimit mbi të gjitha bizneset me një xhiro vjetore mbi 14 milionë lekë të reja , totali i taksave dhe tarifave vendore i bizneseve të vogla e të mesme jo  më i lartë se 0.5% e xhiros etj.